Lagocephalus sceleratus i përket familjes Tetrodontidae dhe përfaqëson një specie peshqish që si habitat kryesor të saj, ka oqeanin Indian dhe atë Paqësor. Në formën e rritur L. sceleratus mund të arrijë gjatësinë 110 cm dhe të peshojë rreth 7 kg. Peshku ka si veçori qëndrimin në fundin e detit dhe ushqehet me peshq të tjerë, falë dy dhëmbëve tepër të fortë të vendosur në nofull. Së fundmi kjo specie peshqish po shfaqet dhe në detin Mesdhe, ku për herë të parë u vërejt në Turqi në vitin 2003. Aktualisht përbën një nga speciet më invasive dhe gjatë viteve të fundit është vërejtur të përhapet me shpejtësi në detin Egje dhe në pjesën lindore të detit Mesdhe.
Rreziku për konsumatorët është i lidhur ngushtë me faktin se Lagocephalus sceleratus përban Tetrodoxinën (TTX) e cila mund të jetë vdekjeprurëse për pesonat të cilët e konsumjnë atë. Tetradoksina përfaqëson një përbërës organik jo proteinik, i cili është 1200 herë më toksik se cianuri dhe mjaftojnë 200 gram Tetrodoxinë (TTX) për të shkaktuar vdekjen e njeriut. Toksiciteti është i lidhur ngushtë me madhësinë e peshkut, stinët dhe seksin. Vlera më e lartë vërëhet tek peshqit femra dhe arrin maksimumin në muajin mars. TTX gjendet në vezore, lëkurë dhe muskuj, por vlerat maksimale gjenden në zorrë, mëlçi dhe vezore. Ashpërsia e helmimit është e lidhur ngushtë me sasinë e TTX të konsmuar dhe shenjat e para shfaqen zakonisht pas 6-24 orësh. Për një person me peshë 50 kg, nevojiten rreth 2 mg TTX për të shkaktuar helmim.
Gjithësesi kjo sasi mund të ndryshojë dhe është e lidhur ngushtë me shëndetin e personit, moshën dhe sensibilitetin.
Shfaqja e Lagocephalus sceleratus në urjat e Mesdheut është e lidhur drejtpërdrejtë me sigurinë e konsumatorit. Vlen të theksohet se TTX nuk shkatërrohet gjatë procesit të gatimit me nxehtësi të peshkut dhe metodat e detoksifikimit nuk kanë asnjë efekt. Për më tepër nuk ekziston asnjë antidot që mund të neutralizojë TTX dhe e vetmja mundësi shpëtimi, është frymëmarrja artificiale derisa trupi të vetëdetoksifikohet. Tetradoxina shkakton bllokimin e nervave duke e bërë të pamundur tkurrjen e tyre. Tek njerëzit ajo shkakton një sërë efektesh që perfshijnë të vjellat, diarre, dhembje të forta barku, moskoordinim dhe parezë. Simptoma të tjera mund të jenë dhe hipoksia, hipotensioni ose takikardia.
Mosnjohja e species nga disa peshkatarë ka bërë të mundur që specia Lagocephalus sceleratus të ndeshet dhe në markatat e peshkut në zonën e Mesdheut. Legjislacioni në fuqi në BE (rregullorja 854/2004) e ndalon rreptësisht tregtimin e peshqve helmues dhe konsumimin e Lagocephalus sceleratus. Për çdo peshk të kapur, është detyrim ligjor djegia e tyre në furrë dhe deri më sot janë djegur rreth 150 ton në vende të ndryshme të BE-së. Në të njëjtën kohë çdo vend duhet të publikojë rregullore specifike për specien në fjalë. Njohja e peshkatarëve dhe palëve të interesuara mund të shërbejë si një armë efektive për parandalimin dhe eleminimin e këtyre specieve duke pamundësuar daljen e tyre në treg. Për këtë arsye fushatat e sensibilizimit dhe publikimi i fotove të species Lagocephalus sceleratus në pikat e tregtimit të peshkut, luajnë një rol të rëndësishëm për konsumatorin.
Dr. Egon Andoni
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.
Bibliografia
FAO The Puffer Fish Lagocephalus sceleratus (Gmelin, 1789) in the Eastern Mediterranean.