Mirëqenie e kafshëve?
Koncepti “mirëqenie e kafshëve” presupozon në përgjithësi “cilësinë e jetës së një kafshe e perceptuar nga ajo vetë”.
Mirëqenia e kafshëve në kompleksitetin e saj nuk përfshin vetëm shëndetin dhe mirëqënien fizike të kafshëve por edhe mirëqënien psikologjike dhe kapacitetin për të shprehur sjelljet e tyre natyrale.
Niveli i mirëqenies së kafshëve në regjimin e mbarështrimit është direkt proporcional me gradën e adaptimit në një ambient jo natyral apo kapaciteti për t’u përballur me vështirësitë dhe shpejtësia e aktivizimit dhe e përfundimit të proceseve relative psikologjike, fiziologjike dhe biokimike.
Për çdo lloj kafshe, arritja që të përballojë një situatë të pafavorshme, do të thotë të ketë një gradë të mirë kontrolli të ekulibrit të saj si dhe një stabilitet fizik dhe mental.
Mirëqenia e kafshëve është përcaktuar si “shmangie e abuzimit dhe shfrytëzimit të kafshëve nga ana e njerëzve duke ruajtur standardet e duhura të akomodimit, të ushqyerit dhe të kujdesit të përgjithshëm, parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes dhe sigurimin e lirisë nga ngacmimet e parehatitë e panevojshme dhe dhembjet’’.
Kafshëve duhet ti sigurojmë ujë, ushqim, trajtim të duhur, kujdes shëndetësor dhe një mjedis të përshtatshëm për kujdesin dhe përdorimin e tyre, në varësi për specie – tipike e biologjisë dhe sjelljes. Kafshët duan kujdes në mënyre që të minimizojnë frikën, dhembjen, stresin dhe vuajtjen. Procedurat në lidhje me strehimin e kafshëve, menaxhimin, kujdesin dhe përdorimin duhet të vlerësohen në vazhdimësi dhe kur prishen, duhet të rregullohen.
Vlerësimi i “5 lirive” që nënkupton të drejtat e kafshëve për ngrënie e pirje uji, për qetësi e çlodhje, për të mos patur dhembje e dëmtime, për jetesë normale në habitatet e tyre si dhe për të mos patur shqetësime e strese, përbëjnë pikat kyçe në mirëqënien e tyre.
Sipas Shoqatës Botërore të Veterinarisë, meqenëse kafsha nuk gëzon të drejtën e zgjedhjes së opsioneve, “5 liritë” duhen kuptuar si 5 gjërat më të domosdoshme jetike, krejt esenciale, që pajtohen me konceptin human të ekzistencës së kafshëve. Këto asnjëherë nuk duhen konsideruar si një luks. Kjo mirëqenie e kafshëve arrihet nëpërmjet standardeve ligjore që lidhen me shkeljet e të drejtave të kafshëve dhe garantimin e lirive të tyre, të cilat vendosen dhe mbrohen me anën e ligjeve.
Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Kafshëve e konsideron MQK-ën të lidhur ngushtë me termat e “5 lirive” dhe të drejtave universale të kafshëve të cilat, sipas principeve ndërkombëtare janë:
- Liria ndaj urisë dhe etjes që arrihet nëpërmjet realizimit të aksesit të kafshëve për ujë të freskët dhe një diete ushqimore që siguron mbajtjen e shëndetit dhe të forcës së tyre.
- Liria ndaj diskonfortit (mungesës së qetësisë dhe shlodhjes) që mundësohet duke i siguruar kafshëve një mjedis të përshtatshëm, ku përfshihet strehimi i mbuluar dhe hapësira e nevojshme çlodhëse (për t’u shtrirë).
- Liria ndaj vuajtjes prej dhembjes, plagosjes, dëmtimit apo sëmundjes e cila ka të bëjë me vendosjen e shpejtë të diagnozës, me marjen e masave të profilaksisë dhe kryerjes së mjekimit.
- Liria ndaj sjelljes normale brenda habitatit që nënkupton mundësinë e shprehjes apo manifestimit të veprimeve normale dhe pa sforco të kafshëve në habitatet e tyre. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet sigurimit të hapësirave të mjaftueshme, faciliteteve të ndryshme sa më të përshtatshme si dhe bashkëshoqërimit të kafshëve me kafshë të së njëjtës specie.
- Liria ndaj frikës, stresit, shqetësimeve dhe sikletit që arrihet duke i garantuar kafshëve kushte dhe trajtime të përshtatshme, të cilat mënjanojnë vuajtjet fizike, madje edhe mendore.
MQK-ja është gjendja e individëve në përpjekjet dhe përballjet që ato bëjnë me mjedisin, përballje që përfshijnë ndjeshmërinë dhe shëndetin e tyre. MQK-ja është një term i gjerë dhe i përgjithshëm i cili, përveç “5 lirive” të sipërpërmendura përmbledh të gjithë elementët kryesorë të cilësisë së jetës. Madje, MQK-ja përfshin edhe 3 “R”-të e vlefshme për kafshët e eksperimentit të përdorura për qëllime eksperimentale të cilat janë:
- Reduktimi i numrit të eksperimenteve (Reduction)
- Rafinimi i metodave eksperimentale (Refinement)
- Zëvendësimi i metodave tradicionale të eksperimentimit me metoda alternative (Replacement)
Diferenca e mirëqënies së kafshëve ndaj të drejtave të kafshëve
Nga një vështrim i përgjithshëm, duket se koncepti i të drejtave dhe lirive të kafshëve është i njëjtë me atë të mirëqenies së tyre. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë sepse midis tyre ka ndryshime. Kështu, të drejtat dhe liritë e kafshëve, kanë të bëjnë me synimin për të mbrojtur kafshët si qenie në pronësi të njerëzve, si qenie që u përkasin njerëzve dhe përdoren prej tyre. Pra, në këtë rast, mbrojtja e kafshëve është një veprim human në shërbim të kafshës apo kafshëve që disponohen nga njeriu. Nga ana e saj, mirëqënia e kafshëve nuk synon vetëm plotësimin e gamës së trajtimeve humane por edhe shtimin e gamës së specieve të përfshira në këto trajtime. Gjithashtu, mirëqënia presupozon formimin dhe forcimin e një morali të përbashkët rreth sjelljes ndaj kafshës si subjekt dhe objekt i ligjit. Pra, MQK-ja është një term më i gjerë që lidhet me ndryshimin e cilësisë së jetës së kafshës në të gjitha dimensionet.
Kriteret si të mbajmë mirëqënien e kafshëve në ekuilibër bazuar në 5 liritë e mirëqënies së kafshëve
- I ushqyer mirë–mungesë urie dhe etje, pra bollëk ushqimi dhe uji
- Kushte mbarështrimi të mira–ambient ,temperaturë komforte dhe lëvizje të lirë
- Shëndet të mirë-mungesë sëmundjeje, shterngimi, plagësh dhe procedurash jo adekuate
- Sjellje në përputhje me llojin e kafshëve-sjellje sociale dhe natyrale, marrëdhënie të mira njeri-kafshë, status pozitiv emocional
- Mbrojtje nga stresi dhe frika-mungesë stresi ,frikë e apatie e përgjithshme.
Legjislacioni veterinar shqiptar mbi mirëqënien e kafshëve
1-Kërkesa të përgjithshme për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve sanksionohen ne ligjin mbi shërbimin veterinar ku flitet për lirinë e lëvizjes së kafshëve, duke përcaktuar detyrimet e pronarëve për të mos kufizuar lëvizjen, aq sa të shkaktojë vuajtje apo dëmtime të panevojshme. Kur kafshët mbahen të lidhura apo të izoluara vazhdimisht ose rregullisht, varësisht nga lloji, u sigurohet hapësira e mjaftueshme për nevoja fiziologjike. Përcakton kërkesat e mirëqenies duke theksuar se kafshët mbarështohen e përdoren në përshtatje me qëllimin e mbajtjes, nevojat fiziologjike dhe veçoritë e llojit. Ndërhyrjet kirurgjikale dhe manipulimet që shkaktojnë dhembje, kryhen vetëm me anestezi. Në ligj jepen detyrimet e pronarëve dhe drejtuesve të fermave për të garantuar kërkesat e mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve. Ekziston një nen ku flitet për kafshët eksperimentale, duke ngarkuar AK-në të miratojë kryerjen e eksperimenteve (kur nuk mund të zbatohen metoda të tjera alternative), në përputhje të plotë me standardet ndërkombëtare të mirëqenies, si dhe në qendrat eksperimentale të miratuara nga ministria.
2 – Mirëqenia e kafshëve në therje dhe gjatë transportit bën fjalë për mënyrën e kryerjes së therjes dhe rastet kur ajo lejohet. Ministri miraton aktet nënligjore për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve gjatë therjes, përcakton mënyrën dhe rastet kur kryhet eleminimi i kafshëve (për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive dhe kontrollin e infeksioneve zoonotike, në kushtet e vetëmbrojtjes nga kafshët agresive, të tërbuara apo të egra, etj. Trajtojnë përkatësisht kryerjen e eutanazisë, rastet kur lejohet si dhe procedurat e kryerjes. Përcakton rregullat e transportit dhe kushtet e mjeteve që e kryejnë atë. Të gjitha përcaktimet ligjore synojnë respektimin e standardeve të MQK-së gjatë lëvizjes transportuese, dokumentacionet përkatëse dhe rastet përjashtimore.
3 – Kafshët e shoqërimit si dhe qentë për qëllime profesionale, gjuetie e të tjera liston detyrimet e pronarëve të kafshëve (regjistrimi dhe pajisja me pasaportë, vaksinimi i detyrueshëm, sigurimi i lëvizjes, strehës e maskës mbrojtëse, evitimi i ndotjes së mjediseve publike, etj), detyron pronarët, drejtuesit e cirqeve dhe fermave të mbarështimit, si dhe organizatorët e veprimtarive ku marin pjesë kafshë, të sigurojnë kushtet dhe rregullat e mbrojtjes dhe MQK-së. Përcakton rregullat e mirëqenies së kafshëve të egra të cilat, jashtë mjediseve të tyre natyrore, mbarështohen vetëm në kopështe zoologjike, akuariume, terrariume, cirqe, ferma e vivariume. Klasifikon një sërë veprimesh që bien ndesh me MQK-në, kryerjen e të cilave e ndalon ligji. Veprime të tilla janë të shumta, por përmendim për shembull dhunën e torturën, ndërsimin e luftimet e kafshëve, ngarkesat fizike mbi aftësitë fiziologjike, bashkëstrehimi i llojeve të papajtueshme, ndërhyrjet kirurgjikale pa anestezi, etj. Përcakton ushtrimin e kontrolleve nga shërbimi veterinar për respektimin e MQK-së, duke detyruar edhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve të bashkëpunojnë dhe të marin pjesë në këtë proces.
Prof. Dr. Gani Moka
Departamenti i Moduleve Paraklinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.