Sebastian Pena Lambarri - www.unsplash.com

Metodologjia e zbulimit të patologjive në peshq

Kur punon me peshqit, ashtu si edhe me çdo kafshë tjetër, është shumë e rëndësishme si mbledhja e anamnezes (historikut) të mirë, ekzaminimi fizik i peshkut ashtu edhe analizimi/vlerësimi i parametrave të cilësisë së ujit, pasi cilësia e dobët e ujit shpesh është një faktor i rëndësishëm në sëmundjet e peshqve.

Më tej, nëse ekziston mundësia, vazhdohet me ekzaminimin e peshkut të gjallë dhe të sëmurë ose me mostër të freskët peshku të ngordhur. Nëse peshku ka ngordhur prej më shumë se disa orësh edhe pse i futur në frigorifer, ka pak mundësi të vendosim një diagnozë të saktë. Gjithmonë, para se të merremi me ekzaminimin e peshqve, duhet të lagim duart ose të përdorim doreza të lëmuara latex të cilat parandalojnë dëmtimin e shtresave përbërëse të lëkurës së peshqve.

Pas ekzaminimit fizik duhet të merren mostra për biopsi. Nëse disponojmë anestetikë, për të bërë anestezinë përpara biopsisë, këshillohet të përdoret në ujë të freskët e të dekloruar. Gjatë proçedurave të ekzaminimit klinik apo dhe biopsisë duhet të sigurohemi që peshku të mbahet i lagur dhe të trajtohet butë.

Duke përdorur me kujdes dhe butë një teh bisturie ose lamelë me rrëshqitje në drejtim të luspave, marrim një mostër të vogël mukusi nga trupi i peshkut dhe e vlerësojmë në mikroskop. Në rastet kur kemi lezione të lëkurës ose pendëve, marrim mostër nga zona e lezionit dhe e përgatitim në të njëjtën mënyrë.

Një tjetër praktikë diagnostikuse është dhe biopsia e velëzave e cila kryhet duke përdorur gërshërë. Filamentet nga velëzat e prera vendosen në mikroskop sikurse dhe me mukusin e lëkurës dhe vlerësohen me zmadhimin 40-400x.

Infestimi me parazitë është një nga shkaqet e zakonshëm të sëmundshmërisë dhe vdekshmërisë në peshq. Parazitët që prekin peshqit janë të shumtë dhe ata që hasen më shpesh janë protozoarët. Disa nga speciet e protozoarëve të cilët shkaktojnë humbje të konsiderueshme në akuakulturë janë ciliatë si p.sh.: Chilodonella, Tetrahymena, Epistylis, Ichthyophthirius, Trichodina dhe protozoarët flagjelatë: Ichthyobodo dhe Spironucleus (parazit i zorrëve).

Këta protozoarë shpesh shkaktojnë shenja të ngjashme klinike, ndaj kërkohet ekzaminim mikroskopik i mostrave të biopsisë për të vendosur diagnozë të saktë.

Trematodët monogenë janë krimba të shtypur të cilët ndikojnë negativisht ndaj lëkurës dhe velëzave të peshqve. Speciet e gjetura më zakonisht janë Dactylogyrus (kryesisht në velëza) dhe Gyrodactylus (kryesisht në lëkurë) të cilët shkaktojnë hiperplazi të filamenteve të velëzave duke rezultuar në vijim me hipoksi.

Ndër shenjat që identifikohen janë lëvizjet e shpejta të kapakëve të velëzave, pendët të dëmtuara dhe sipërfaqje të lekurës të gërvishtura në gurë ose objekte të tjera. Ekzaminimi mikroskopik i biopsisë së marë në velëza do të përcaktonte se me cilin nga dy parazitët e lartpërmendur kemi të bëjmë.

Një grup tjetër i rëndësishëm janë dhe makroparazitët e peshqve tropikalë, ku bëjnë pjesë krimbat e rrumbullakët të zorrëve (Camallanus, Capillaria), krimbat shirit, shushunjat, krimbat me gremça (Lernaea) dhe morrat e peshkut (Argulus). Irritimet dhe plagët lëkurore të shkaktuara nga parazitët e lartpërmendur, mund të infektohet në vazhdim nga baktere.

Mostrat për kultivimin bakterial merren nga lezionet ose organet duke përdorur mjetet laboratorike përkatëse. Për të shmangur kontaminimin nga mikroorganizmat e mjedisit ose ujit, duhet të konsiderojmë zbatimin e teknikave sterile. Në ndryshim nga standartet mikrobiologjike për specie tokësore, bakteriet në speciet ujore rriten në terrene ushqyese në 20-25°C/ 3-5 ditë.

Në vijim, shtamet bakteriale të izoluara, analizohen për ndjeshmëri ndaj antibiotikëve të ndryshëm pasi theksojmë se shumë shtame janë rezistentë ndaj antibiotikëve që përdoren zakonisht. Trajtimet ndaj bakterieve apo kërpudhave kërkojnë medikamente të ndryshme krahasuar me protozoarët dhe helmintët, ndaj diagnostikimi saktë i sëmundjes është i rëndësishëm për zgjedhjen e medikamenteve të duhura terapeutike.

Një mostër që përdorim për vlerësim laboratorik është edhe mostra e gjakut e cila kryesisht merret nga peshq të mëdhenj dhe që prelevohet nga vena kaudale, poshtë shtyllës kurrizore në bazën e pendës kaudale. Gjatë aplikimit përdorim shiringë 1ml me age 22-23 gauxh.

E rëndësishme është përdorimi edhe i heparinës e cila do parandalonte koagulimin e gjakut. Përdorimi i ac. etilenediaminetetraacetik (EDTA) nuk rekomandohet si antikoagulant pasi mund të shkaktojë lizë të eritrociteve. Vëllimi i përgjithshëm i gjakut në shumicën e peshqve përbën rreth 5% të peshës së tij trupore (50 ml/ kg). Te peshqit që nuk janë shumë të sëmurë, ne mund të marrim për analizim deri në 20% të vëllimit të përgjithshëm të gjakut. Kjo lejon që nga një peshk 10 gr, ne mund të marrim 0,1 ml gjak (20% x 50 ml/kg x10gr = 0,1 ml).

Diagnostikimi i problemeve të brendshme lehtësohet me përdorimin e pajisjeve imazherike si radiografia, ekografia dhe endoskopia të cilat tashmë janë të pranishme në klinika veterinare. Këto teknika diagnostike mund të përdoren me peshqit po aq lehtë sa me kafshët shtëpiake. Në fushën e diagnozës imazherike mund të përmendim edhe teknikat si CT dhe MRI, të cilat janë të disponueshme kryesisht në klinika të specializuara ose shkolla veterinare. Këto teknika të specializuara ndihmojnë në diagnostikimin e anomalive të sistemit kardiovaskular, traktit tretës, fshikëzës notuese dhe organeve të tjera në peshq të mëdhenj.

 

Prof. Asoc. Dritan Laci
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: