Kuajt janë kafshë të mëdha dhe të bukura që i mbajmë ose si kafshë pune ose për kalërim për kënaqësi apo për aktivitete sportive. Njerëzit që mbarështojnë kuaj, shpesh e bëjnë këtë me një ndjenjë të madhe krenarie.
Një pjesë e kësaj krenarie tek pronarët vjen nga fakti që u sigurojnë kuajve kujdesin që u nevojitet për të mbetur të shëndetshëm. Për ta bërë atë me sukses, është e rëndësishme që pronarët dhe mbajtësit e kuajve të njohin se ka kërcënime të shumta që mund të sëmurin një kalë dhe madje të shkaktojnë vdekjen e tij.
Sëmundjet mund të shfaqen tek një kalë pa paralajmërim dhe disa mund të jenë fatale brenda një periudhe relativisht të shkurtër kohe. Përveç njohjes së këtyre sëmundjeve, pronarët dhe kujdestarët e kuajve duhet të jenë në gjendje të dallojnë shenjat se diçka nuk është në rregull, të dinë se çfarë të bëjnë për t’i dhënë ndihmë të menjëhershme kafshës dhe të dinë kur të kontaktojnë një mjek veteriner për ndihmë. Ndërsa ka shumë sëmundje që prekin kuajt, një nga shqetësimet më të zakonshme konsiderohen kolikat.
Tek kuajt, termi “kolikë” zyrtarisht i referohet çdo lloji të dhembjes së barkut si një simptomë klinike dhe nuk konsiderohet sëmundje. Përgjatë viteve, kolika është konsideruar si një term i gjerë për një sërë gjendjesh klinike që detyrojnë që një kalë të manifestojë shenja klinike që rezultojnë nga dhembjet e barkut. Termi “kolikë” i referohet dhembjes së barkut më tepër sesa një çrregullimi specifik.
Ky artikull do të trajtojë disa nga format kryesore të kolikave, cfarë duhet të bëjnë pronarët kur shfaqet një episod i dhembjeve të barkut, trajtimet standarde për kolikat dhe disa nga ndërlikimet e mundshme. Gjithashtu, në këtë artikull do të trajtojmë disa faktorë rreziku që rrisin gjasat për kolika. Njohja dhe shmangia e këtyre faktorëve mund të ndihmojë të zvogëlohet rreziku i shfaqjes së kolikave në kuaj.
Sindromi kolik që është shumë i zakonshëm te kuajt, shfaqet si rrjedhojë e një çrregullimi të traktit tretës. Shpesh dhembja e barkut është e paparashikueshme dhe shpesh nuk mund të parandalohet. Kolikat janë një shqetësim i vazhdueshëm për të gjithë pronarët e kuajve dhe është një situatë e frikshme kur bëhet fjalë për kafshën e tyre që po manifeston këtë sindromë.
Kolika është një nga ato krizat emergjente që pronarët e kuajve kërkojnë të shmangin. Ashpërsia e manifestimeve klinike të kolikave varion nga format e lehta në të rënda dhe madje deri në realizimin e eutanazisë. Për fat të mirë, shumica e llojeve të kolikave (mbi 80%) i përgjigjen mirë terapisë mjekësore në fermë.
Qëllimi i një pronari të ndërgjegjshëm është të gjejë mënyra për të parandaluar kolikat në mënyrë që kali i tij/saj të mos bëhet pjesë e të dhënave statistikore të rasteve fatale, ndërsa duhet të kuptojë gjithashtu se si të menaxhojë në mënyrë të përshtatshme dhembjet e barkut nëse ndodhin apo shfaqen në forma të ndryshme të ashpërsisë klinike.
Diagnoza, zakonisht bazohet në kontrollin fizik (vlerësimi i zhurmave të traktit intestinal, temperaturës, pulsit, frymëmarrjes, palpimit rektal dhe ngjyrës së membranës mukoze), abdominocentezës (marrja për vlerësim e lëngut të kavitetit të barkut) dhe/ose intubimi nazogastrik, ekografinë e kavitetit të barkut, në disa raste edhe në radiografinë e kavitetit të barkut dhe analizat e gjakut.
Nëpërmjet trajtimit të përshtatshëm dhe në kohën e duhur, prognoza për kolikat është shumë e mirë ndërsa për kolikat që marrin trajtim të menjëhershëm dhe kërkojnë ndërhyrje kirurgjikale është e mirë në shumë e mirë.
Çfarë është kolika dhe pse ndodh?
Çdo kalë ndodh që të shfaqë dhembje barku dhe ky çrregullim nuk dallon nga mosha, gjinia, raca, aktiviteti fizik që kryen ose mjedisi.
Si pasojë, termi kolik është një term mjaft i përgjithshëm dhe përdoret për t’iu referuar gjendjeve klinike me etiologji dhe ashpërsi të ndryshme. Për të kuptuar këto etiologji, për të bërë një diagnozë dhe për të filluar trajtime të përshtatshme, mjekët veterinerë duhet së pari të vlerësojnë aspektet e rëndësishme klinike të anatomisë së aparatit tretës të kuajve, proceset fiziologjike të përfshira në aktin e gëlltitjes, lëvizjen e lëngjeve përgjatë traktit intestinal dhe ndjeshmërinë ekstreme të kalit nën ndikimin e efekteve të dëmshme të përbërësve strukturorë të baktereve që ndodhen brenda lumenit të traktit intestinal.
Kolikat në kuaj janë të lidhura më shpesh me kolonin e madh dhe mund të ndodhin për shumë arsye, por në thelb të saj është fiziologjia e kuajve. Kuajt nuk mund të vjellin. Kjo është fiziologjikisht e pamundur dhe shkakton shumë probleme për kuajt kur tek kafshët e tjera thjesht nepërmjet këtij akti eleminojnë toksinat ose ushqimin e tepërt.
Muskujt e sfinkterit të poshtëm të ezofagut të kuajve janë shumë më të fortë se në kafshët e tjera, duke e bërë gati të pamundur hapjen e asaj valvule nën presionin e shkaktuar nga stomaku. Gjithashtu, ezofagu i kuajve bashkohet me stomakun në një kënd shumë më të vogël se në shumë kafshë, kështu që kur stomaku tendoset, si psh me gaze, ushtron presion kundër valvulës në një mënyrë të tillë që e mban atë edhe më fort të mbyllur. Stomaku i vendosur thellë brenda kafazit të kraharorit nuk mund të shtypet lehtë nga muskujt e barkut. Stomaku në kuaj mund të mbajë një volum prej 8-10 litrash përmbajtje ushqimore. Përfundimisht, kuajt kanë një refleks të dobët të aktit të vjelljes. Me fjalë të tjera, rrugët nervore që kontrollojnë atë aktivitet në kafshë të tjera janë të zhvilluara dobët në kuaj. Pra, për kuajt ka një pikë pa kthim kur bëhet fjalë për aparatin tretës.
Llojet dhe dinamika e zhvillimit të kolikave
Situatat klinike që zakonisht shkaktojnë kolika (dhembje barku) përfshijnë shtimin e gazrave, obstipacionet, ushqimin me sasi të mëdha të drithërave, gëlltitje rëre dhe infestimet parazitare. Shumica e kolikave që shfaqen në kuaj janë kolika spastike ose paralitike (obstipative). Kolika që shfaqet nga grumbullimi në sasi të shtuar i gazeve (kolika spastike) në traktin tretës është e zakonshme dhe zakonisht nuk përbën një kërcënim për jetën. Është shumë e rëndësishme të theksohet se të gjitha kolikat shoqërohen me një lloj grumbullimi të gazrave. Kolika spastike shkaktohet nga gazrat e tepërta që shkaktojnë dhembje kur tendosin muret e traktit intestinal. Kolikat e shkaktuara nga gazrat besohet të ndodhin kur mikrobet në zorrën e trashë prodhojnë gaz të tepërt, mbase për shkak të ndryshimeve në dietë ose ushqimeve shumë të fermentueshme. Por në përgjithësi, dhembjet e barkut nga gazet në kuaj shkaktohen nga lëngjet e tepërta ose gazrat për shkak të fermentimit të tepërt të ushqimit në pjesën e pasme të zorrëve.
Gazrat e shtuar tendosin murin e zorrëve, duke shkaktuar dhembje të lehtë deri të moderuar. Shumica e kolikave që shfaqen nga grumbullimet e gazrave do të shërohen me trajtim minimal. Sidoqoftë, këto forma kolikash të shfaqura si pasojë e shtimit të gazrave çojnë gjithashtu edhe në zhvendosje të kolonit të madh. Presioni dhe inflamacioni që rezulton nga zhvendosja e zorrëve të mëdha në kuaj shkakton shqetësim të konsiderueshëm.
Për të trajtuar një kolikë nga gazet e shtuara, mjeku veteriner përdor më shpesh një sondë stomaku nëpërmjet kalimit të saj nga vrimat e hundës së kalit, që ka për qëllim të lehtësojë presionin. Por nganjëherë e bën thjesht duke realizuar një ecje normale me kalin ose vrapim trot në në një linjë të drejtë, mund të shkaktojë lehtësim të gjendjes tek kafsha.
Kolika obstipative (ngjeshja e masave në traktin intestinal) ndodh kur trakti intestinal tendoset për shkak të grumbullimit të ushqimit, thatësisë ose ashpërsisë së ushqimit, lëvizshmërisë së dobët ose ndonjë forme tjetër të bllokimit. Obstipacionet ndodhin kur materiali ushqimor në traktin tretës grumbullohet dhe ngjeshet në një pjesë të zorrës (zakonisht koloni i madh) dhe nuk mund të zhvendoset lehtë. Tek kafsha shfaqen dhembjet kur muri i zorrëve tendoset dhe kur zorra tkurret fort në një përpjekje për të shtyrë ushqimin përmes kolonit të madh. Për shkak të formës dhe kthesave në kolonin e madh në formë U-je, ka disa vende që janë të ngushtuara dhe të prirura për bllokime. Kuajt me obstipacion shpesh herë janë lehtësisht të dhimbshme dhe nuk ushqehen, por mund të mos përkeqësohen shumë për disa ditë për shkak të volumit të madh të zorrës së trashë.
Koloni i madh dhe i gjatë tek kuajt nuk është i fiksuar mirë brenda kavitetit të barkut dhe herë pas here lëviz nga pozicioni. Mund të zhvendoset përpara, të fiksohet mbi veshkë apo edhe të përdridhet (imagjinoni një kabllo telefoni). Kur kjo ndodh, shpesh çon në bllokime apo ngjeshje dhe grumbullime të gazrave, duke shkaktuar dhembje më të forta ose të zgjatura. Nëse përdridhet fort, mund të parandalojë qarkullimin e gjakut në pjesë të kolonit të madh, duke bërë që ajo të dëmtohet ose të vdesë nga mungesa e oksigjenit. Kuajt me një përdredhje të madhe të kolonit të madh zakonisht kanë dhembje të forta dhe janë shumë të sëmurë për shkak të rrjedhjes së toksinave përmes murit të dëmtuar të zorrës. Kjo lloj kolike kërkon ndërhyrje urgjente kirurgjikale.
Në mënyrë të ngjashme, probleme të tjera që ndërpresin furnizimin me gjak në traktin intestinal shkaktojnë dëme të mëdha. Kuajt e moshuar mund të formojnë tumore dhjamore që mund të mbështillen rreth zorrës së hollë dhe ta shtrëngojnë atë (strangulacion), ose parazitët mund të migrojnë nëpër enët e gjakut, duke shkaktuar dëmtime të drejtpërdrejta të enëve dhe dëmtime indirekte të zorrës.
Në fund, kolikat mund të ndodhin në mënyrë dytësore për shkak të mosfunksionimit të lëvizjes. Nëse mekanizmat rregullues përgjegjës për lëvizjen e ushqimit në pjesën e mëposhtme të zorrëve prishen, ushqimi mund të ndalojë së lëvizuri. Në zorrën e hollë, shtohen lëngjet që së bashku me peristaltikën e saj përpiqen të lëvizin ushqimin, por as kjo sasi e shtuar e lëngjeve nuk mund të lëvizë masat. Aq shumë lëngje mund të shtohen në zorrë sa kafshafillon tëdehidrohet dhe shfaqet shoku hipovolemik. Lëngjet përfundimisht për shkak të pamundësisë që të lëvizin në pjesën e pasme të traktit intestinal, kthehen në stomak. Për shkak se kuajt nuk mund të vjellin, stomaku tendoset, duke shkaktuar më pas dhembje. Nëse lëngjet nuk largohen, stomaku mund të ndodhë që të pësojë rupturë. Nëse problemi i lëvizshmërisë është në kolonin e madh, atëherë mund të ndodhë edhe grumbullimi i gazrave, gjë që çon në shfaqjen e kolikës dhe zhvendosje të mundshme. Në shumicën e rasteve, nuk dihet se çfarë e shkakton mosfunksionimin e motilitetit të traktit intestinal por shpesh mund të ketë lidhje me infeksione në zorrë ose në kavitetin e barkut. Këta kuaj shpesh sëmuren për shkak të toksinave që vijnë nga zorra e prekur.
Invaginacioni
Kjo lloj kolike është shumë serioze për jetën e kafshës. Zakonisht shkaktohet nga infestimi me krimbat e shtypur dhe parazitët e tjerë dhe ndodh kur “një pjesë e zorrës futet në seksionin pasardhës”. Për shfaqjen e invaginacioneve, faktorë predispozues mund të bëhen katarret e zorrëve, enteritet, prania e parazitëve në zorrë, e trupave të huaj, rritja e peristaltikës gjatë enteralgisë, meteorizmit, nga infiltrate në mure e zorrëve, trashja e mureve të zorrëve, zmadhim i gjendrave, tkurrja spastike e muskulaturës së lëmuar të zorrëve në pjesë të veçanta, prirjes së ujit të ftohtë etj.
Kjo do të thotë në thelb, që një pjesë e zorrëve paloset në vetëvete dhe mund të ndërpresë furnizimin me gjak. Kur invaginacionet janë të lehta e të shkurtra ato nuk shoqërohen me çrregullime në lëvizjen e masave nëpër zorrë dhe të qarkullimit të gjakut në paretet e tyre. Në fillim hemostaza nuk është shumë e shprehur, muret e zorrëve janë me infiltrate hemorragjike. Në këtë rast nuk pengohet lëvizja e përmbajtjes në zorrë.
Kur së bashku me zorrën e invaginuar futet edhe një pjesë e mezenteriumit, atëherë furnizimi me gjak i mureve të zorrëve çrregullohet shumë, ndryshimet në muret e zorrëve zhvillohen shpejt dhe shfaqet gangrena e pjesës së invaginuar. Në këtë rast lëvizja e masave nëpër zorrë pengohet. Në përgjithësi, nëse këto raste kapen dhe trajtohen herët, kuajt mund të mbijetojnë por të gjitha trajtimet përfshijnë ndërhyrje kirurgjikale.
Torsioni
Ndoshta forma më e rëndë e kolikave është strangulacioni i kolonit të madh. Torsioni konsiderohet ndryshe si një “zorrë e përdredhur” dhe është një nga format më të dhimbshme të kolikave në kuaj. Koloni i madh mund të përdridhet deri në 180 gradë. Por nëse ky organ i madh, në formë U-je, përdridhet më shumë se 270 gradë, ndërpritet furnizimi i tij me gjak dhe qarkullimin e një sasie shumë të madhe të toksinave në organizmin e kalit.
Kjo formë përbën më shumë se 15% të ndërhyrjeve kirurgjikale të kolikave dhe pavarësisht ndërhyrjes së shpejtë për të kthyer kolonin në pozicion normal, shpeshherë është fatale për jetën e kafshës. Këto janë vetëm disa nga format e shumta të kolikave, megjithatë, shumica e llojeve të kolikave do të ngjajnë me njërën nga këto. Për më tepër, probleme të tjera të tilla si gurët në fshikzën urinare mund të imitojnë herë pas here dhembjen e zorrëve dhe të duken si kolika.
Prof. Dr. Rezart Postoli
Departamenti Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.