congerdesign - www.pixabay.com

Infeksionet feline herpesvirale shkaktojnë probleme të rënda okulare në mace

Infeksioni i syve me virusin herpesvirus është shumë i zakonshëm tek macet. Virusi është kudo. Shumica e maceve janë të ekspozuara si kotele. Kotelet mund të infektohen nga macja nënë edhe gjatë lindjes. Kështu ato mund të infektohen edhe para se t’u hapen sytë.

Gjatë infeksionit fillestar, kotelja zakonisht tregon të gjitha shenjat e një infeksioni të rrugëve të sipërme të frymëmarrjes duke përfshirë teshtitje, rrjedhje nazale dhe ndoshta një oreks të zvogëluar. Shenjat okulare janë gjithashtu të pranishme dhe variojnë nga rrjedhje okulare, dhe edemë konjuktivale të cilat në shumë raste shoqërohen me mbyllje të kapakëve të syrit. Shumica e koteleve janë në gjendje të shërohen nga ky lloj infeksioni brenda 1-2 javësh.

Ato mund të mos shfaqin kurrë më shenja, megjithatë virusi do të vazhdojë të persistojë në sistemin e tyre në një gjendje latente. Macet mund të mbajnë virusin për vite me radhë pa treguar ndonjë shenjë. Transportuesit asimptomatikë mund të eleminojne virusin. Përsëritjet e shenjave okulare janë të mundshme në çdo moment në të ardhmen, veçanërisht pas gjendjeve stresuese. Për fat të mirë, është pakica e maceve që kanë këto rikthime.

Shumica e maceve që vijnë në këtë praktikë me shenja të një infeksioni herpetik, në të vërtetë kanë një shpërthim të një infeksioni të mëparshëm latent. Macet mund të kenë pasur infeksionin fillestar para shumë kohësh por në gjendje të fshehtë, kështu që diagnoza mund të jetë një befasi totale për pronarin e maces.

Në shumë mace të rritura, ky virus zakonisht prek vetëm një sy.

A rrezikojnë njerëzit të preken nga ky infeksion?

E rëndësishme për veterinerët dhe personat që mbajnë mace, është të kuptojnë se Feline Herpes Virus është specifik. Me fjalë të tjera, ai nuk do të transferohet tek anëtarët e tjerë të familjes ose tek qentë. Macet e tjera janë të ndjeshme. Për fat të mirë, është e rrallë që të ketë një “infektim masiv” të maceve të rritura brenda një shtëpie. Shumica e maceve tashmë janë ekspozuar dhe me sa duket kanë formuar një përgjigje imune ndaj infeksionit.

Cilat janë moshat më të prekura?

Kotelet e moshës 2 deri në 4 muajshe dhe macet e moshës mbi 10 vjeç përbejnë kontigjentin më të ndjeshëm ndaj këtij infeksioni viral.

Mjekimi i gabuar!

Kushte të caktuara mjekësore dhe ilaçe të caktuara (p.sh., prednizoni) mund të rrisin rrezikun për probleme herpetike të syve.

Këshillohet…

Minimizimi i stresit është i rëndësishëm për kontrollin e problemit të syrit të maces tuaj. Shumë mace që tregojnë shenja të një infeksioni herpetik e bëjnë këtë pas një ngjarjeje stresuese, siç janë sëmundja, operacioni, lënia për një kohë të gjatë në hotel ose blerja e një kafshe të re në familje.

Sfidat në diagnozën e Felin Herpes Virus

Fatkeqësisht, testet diagnostike që janë aktualisht në dispozicion për të diagnostikuar përfundimisht një infeksion herpes janë jo të besueshme. Kjo është veçanërisht e vërtetë për rastet kronike. Mjeku mund të rekomandojë testimin në raste të vecanta. Pjesa më e madhe e testimeve aplikohet për të përjashtuar infeksionet dytësore bakteriale, diagnozat alternative ose faktorë të tjerë komplikues (p.sh. sëmundjet euzinofilike).

Diagnostikimi i një infeksioni herpetik të syrit bëhet më së miri nga vlerësimi i mjekut bazuar në anamnezën mbi problemet okulare të pacientit, shenja të veçanta në sytë e maceve si dhe nga përgjigja ndaj terapisë. Shumica e maceve që ne shohim tashmë, janë trajtuar në formë terapeutike dhe nuk kanë shfaqur një përgjigje të përshtatshme ndaj terapisë. Kjo në vetvete sugjeron një infeksion herpetik.

Trajtimi:

Këto lloje infeksionesh mund të shërohen shpejt me trajtime antivirale, por disa raste janë jashtëzakonisht sfiduese për tu trajtuar.

Qëllimet e trajtimit janë:

  • të eliminojnë shenjat e infeksionit
  • të kontrollojnë dhembjen e syve
  • të parandalojnë dëmtimin e syve që mund të çojë në humbjen e shikimit

Medikamentet antivirale të disponueshme për të trajtuar këtë gjendje vetëm pengojnë, por nuk e shkatërrojnë virusin. Qëllimi i trajtimit me antiviral synon në mbajtjen e virusit në gjendje inaktive duke penguar riprodhimin e virusit në organizmin e pacientit. Nëse pacienti ka një sistem të dobët imunitar për shkak të moshës, infeksioneve virale imunosupresive (p.sh., FIV ose FeLV) ose kushteve të tjera mjekësore, atëhere do të ishte shumë e vështirë trajtimi i problemeve okulare në këta pacientë.

Shpeshtësia e trajtimit me këto ilaçe është shumë e rëndësishme. Trajtimi është i nevojshëm për të paktën 3 javë (dhe për 1 javë përtej faljes së shenjave). Shumë raste kërkojnë më shumë terapi kronike. Barnat më të përdorura në këtë kategori janë idoxuridine dhe cidofovir. Një trajtim peros, famciclovir (Famvir) përdoret në disa raste të rënda.

Antibiotikët mund të përdoren nëse ka ulçera herpetike të kornesë dhe/ose nëse ka shenja të një infeksioni dytësor bakterial. Një infeksion bakterial mund të përshpejtojë shpejt shkallën e dëmtimit të syrit (syve) nga virusi. Analgjezikët ndonjëherë janë të nevojshme për rastet jashtëzakonisht të dhimbshme.

Çfarë sugjerohet tjetër?

L-lizina është një aminoacid (bllok ndërtimi i proteinave) që ka treguar disa efekte antivirale si ndaj maceve ashtu edhe ndaj herpesviruseve njerëzore. Përbën një suplement të sigurt që mund t’i jepet maces tuaj për të ndihmuar në frenimin e ciklit jetësor të virusit. Duhet dhënë me ushqim pasi mund të shkaktojë të vjella nëse jepet në stomak bosh. Mund të përdoret afatgjatë. Ky preparat është i disponueshëm në shumë forma duke përfshirë tabletat, kapsulat, pluhurin me aromë peshku (për t’u përzierë me ushqim) dhe pastë me përdorim peros. Zakonisht nuk është efektiv si trajtim i vetëm gjatë një infeksioni aktiv. Përdorimi i tij më i mirë është ose në kombinim me trajtime të tjera antivirale ose për përdorim afatgjatë për të zvogëluar përsëritjet.

Komplikacionet okulare

Herpes virus zakonisht shkakton konjuktivit ose infeksion korneal. Infeksioni i kornesë mund të konsistojë në mjegullim, skuqje dhe/ose ulçera të kornesë. Kjo e fundit mund të jetë shumë e dhimbshme.

Komplikimet më të zakonshme të një infeksioni herpetik janë ulcerat dentitrike në sy, ulçera jo shëruese të kornesë, sekuestrimi i kornesë (degjenerimi kafe i kornesë, zakonisht kërkon ndërhyrje kirurgjikale për shërim), keratiti eozinofilik ose konjuktiviti dhe kthimi i brendshëm i qepallave (“entropion”).

Për shkak të qëndrueshmërisë së virusit në mace, përsëritjet janë të mundshme. Një shenjë fillestare e shpërthimit të shenjave klinike mund të jenë shqetësimet e rrugëve respiratore.

Thirrje për pronarët e maceve!

Nëse macja juaj fillon të teshtijë në mënyrë të vazhdueshme dhe të ketë rrjedhje nazale (mund të jetë shenjë fillestare e prekjes së traktit respirator nga Felin Herpes Virus sidomos në kotele), duhet të kontaktoni me veterinerin.

Thirrje për veterinerët!

Në disa pacientë, koha e shpërthimit të shenjave respiratore (në mënyrë të vecantë në kotele 2-4 muajshe) është koha për të filluar trajtime antivirale në përpjekje për të parandaluar problemet e syve.

A është e infektuar me Herpes Virus??!!

Rasti: Mosha 2 muajshe

Shenjat klinike:

  • Oreks normal
  • Teshtima
  • Edemë konjuktivale unilaterale
  • Konjuktivit bilateral.
  • Keratit fokal në syrin e djathtë
  • Protruzion i palpebrës së tretë

Ndiqeni në vazhdim…

Prof.Asoc. Erinda Lika
Deparatmenti i Lëndëve Paraklinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: