Hans - www.pixabay.com

Agroturizmi, një alternativë për zhvillimin rural

Rritja e konkurrencës në tregun global, ndërgjegjësimi ndaj mjedisit, orientimi drejt sektorëve të shërbimeve dhe fokusi i politikës publike për transformimin e zonave rurale në peizazhe atraktive, ka nxitur krijimin e një modeli të ri të zhvillimit rural. Për më tepër rritja e kostove monetare si rrjedhojë e rritjes së përdorimit të inputeve dhe teknologjisë jashtë sektorit bujqësor, rritja e kostove të tjera si rezultat i ndërgjegjësimit ndaj mjedisit, mirëqenies së kafshëve dhe sigurisë së ushqimit, ka nxjerrë në pah nevojën për të tejkaluar modelin e mëparshëm dominues të zhvillimit të bujqësisë, i njohur si produktivizëm.

Krahas funksionit primar të bujqësisë (pra prodhimi i ushqimit dhe fibrave) që është ende vendimtar, nga ana tjetër, asetet dhe vlerat e tjera rurale siç janë peizazhi, mjedisi, siguria ushqimore, përpunimi, turizmi, aftësitë dhe njohuritë tradicionale dhe burimet kulturore kanë krijuar një model të ri në zhvillimin bujqësor. Kjo ka nxjerrë në pah nevojën për të tejkaluar modelin e mëparshëm dominues të zhvillimit të bujqësisë, i njohur si produktivizëm.

Kohët e fundit një numër i madh studimesh argumentojnë se agroturizmi është një strategji për zhvillimin rural. Kjo strategji e diversifikimit të aktiviteteve bujqësore, ndikon në rritjen e punësimit, mbrojtjen e peizazhit, parandalon shpopullimin dhe braktisjen e kulturave tradicionale dhe ofron teknika më të qëndrueshme në proçeset e prodhimit që kanë ndikime pozitive në biodiversitetin dhe burimet natyrore. Agroturizmi paraqitet si një faktor kyç për zhvillimin lokal, sidomos për zonat e margjinalizuara rurale përmes rritjes së pasurisë dhe diversitetit të aktiviteteve fitimprurëse. Për më tepër aktivitetet e agroturizmit janë një burim i rëndësishëm i të ardhurave, veçanërisht për fermat e vogla.

Agroturizmi nuk është një fenomen i ri. Kjo strategji e zhvillimit të fermave e njohur në mbarë botën që nga fillimi i shekullit të 20-të, është konsideruar një metodë e plotësimit të të ardhurave bujqësore përmes shfrytëzimit të burimeve në fermë të shërbimeve shtesë si p.sh., akomodimi dhe aktivitete të tjera rekreative.

Ekzistojnë disa përkufizime lidhur me konceptin e agroturizmit. Dijetarë të ndryshëm (Barbieri & Mshenga, 2008; Blacka et al., 2001; Che et al., 2005) e kanë përcaktuar agroturizmin si një grup shërbimesh si akomodimi, ushqimi dhe aktivitete rekreative, të ofruara me qëllim tërheqjen e vizitorëve në fermë. Maetzold (2002) e argumenton agroturizmin si një sipërmarrje alternative që lidh prodhimin bujqësor me udhëtimin në fermë. Përkufizimi më i gjithëpranuar për agroturizmin është ai i Gil et al. (2013) i  cili e përcakton agroturizmin si “realizimi i aktiviteteve bujqësore në një fermë ose në ambiente të tjera bujqësore për qëllime argëtimi ose edukimi” (fq., 45).

Hans – www.pixabay.com

Bazuar në punën e Tew dhe Barbieri (2012), sipërmarrjet agroturizëm janë të angazhuara në tri kategori aktivitetesh si:

  1. Prodhimi bujqësor: Prodhimet bujqësore (p.sh., gruri, misri, soje); të lashta të specializuara (p.sh., barëra); blegtoria (p.sh., gjedhët, derrat, kuajt, delet, dhitë). Shpendët dhe kafshët e vogla (p.sh. pulat, lepujt); kafshët e rralla ose jo tradicionale (p.sh., dre, bizon dhe kafshë të tjera ekzotike): peshk; produktet e drurit (p.sh., pemët e Krishtlindjeve, shkrimet); produkte të tjera bujqësore (p.sh., vezë, mjaltë, qumësht etj.).
  2. Shërbimet rekreative; shëtitje në fermë, vjelja dhe korrja e prodhimeve, vëzhgimi i kafshëve të egra, muze bujqësor, peshkimi, festivale, ngjarje dhe shfaqje (p.sh., festivali i korrjes), hiking ose biking, udhëtime edukative (p.sh. studentë), drejtimi i makinerive bujqësore, shëtitje me kalë etj.
  3. Akomodimi dhe shërbimi ushqimor: bed and breakfast, kabina fjetjeje, park rekreativ për automjete, dhoma degustimi, katering, hotel, restorante, hapësira për barbeques ose piknik, ushqime take-away.

Ndërsa bujqësia dhe turizmi janë dy nga sektorët më prioritarë për zhvillimin e qëndrueshëm rural në Shqipëri, zbatimi i strategjive që ndërlidhin në praktikë këto sektorë është i padiskutueshëm. Agroturizmi konsiderohet një metodë e plotësimit të të ardhurave bujqësore përmes shfrytëzimit të burimeve dhe ofrimit të shërbimeve shtesë si akomodimi dhe aktivitete të tjera rekreative që ndodhin në fermë.

Bujqësia është sektor përcaktues në zhvillimin socio-ekonomik të Shqipërisë dhe themelor për zhvillimin afatgjatë dhe të qëndrueshëm. Më konkretisht, sektori i bujqësisë kontribuon afërsisht 18.4% të PBB-së (INSTAT, 2018) dhe 40% të punësimit total (INSTAT, 2021a). Rreth gjysma (deri në 46%) e popullsisë jetojnë në zona rurale (INSTAT, 2021b) dhe aktivitetet bujqësore janë burimi kryesor i të ardhurave dhe jetesës së tyre. Pra zhvillimi rural është ngushtësisht i lidhur me ecurinë e aktiviteteve bujqësore.

Turizmi në Shqipëri po tregon gjithnjë e më shumë se është një nga sektorët me potencialin më të madh për të zhvilluar ekonominë e vendit. Kontributi i drejtpërdrejtë i turizmit në PBB për vitin 2017, ishte 8.5%, ndërkohë kontributi total arrin deri në 26.2% të PBB-së. Sa i përket kontributit në punësim, në vitin 2017 ky sektor punësoi direkt 93.500 vende pune (7.7% të totalit të punësimit) dhe në total 291.500 vende pune (24.1%).

Pra, agroturizmi është një strategji hibride që ndërlidh dy industri komplekse, bujqësinë dhe turizmin. Rrjedhimisht Shqipëria është një destinacion i përshtatshëm për zhvillimin e agroturizmit.

Bazuar në të dhënat e Ministrisë së Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural, në Shqipëri janë të regjistruara 28 subjekte të certifikuara si “Subjekt i certifikuar për veprimtarinë e agroturizmit”. Agroturizmi në Shqipëri si një rrugë e re e sipërmarrjes bujqësore, është në fazën e tij fillestare.

Me një jetëgjatësi afërsisht 7 vjet, agroturizmi në Shqipëri është një biznes familjar. Ai menaxhohet kryesisht nga menaxherë të rinj (rreth 35 vjeç). Kjo shifër pasqyron moshën mesatare të popullsisë shqiptare (39 vjeç). Madhësia mesatare e fermës agroturistike është afërsisht 7,3 ha/fermë, e cila është më e lartë se mesatarja për fermat bujqësore që operojnë në Shqipëri (1,2ha).

Kohët e fundit ka iniciativa konkrete në nivel politikëbërje që janë të përqëndruara në zhvillimin rural dhe më konkretisht në agroturizëm. Gjatë vitit 2018 janë ndërmarrë veprime konkrete me synim nxitjen e agroturizmit. Kështu tashmë ekziston një procedurë për të identifikuar dhe regjistruar zyrtarisht fermat e agroturizmit që veprojnë në Shqipëri dhe ky është ende një proces në vazhdim. Kjo do të thotë se deri këtë vit, fermat agroturizëm kanë funksionuar si sipërmarrje joformale dhe rrjedhimisht, ka mungesa të statistikave zyrtare rreth tyre. Përveç kësaj strategjia ndërsektoriale për zhvillimin rural dhe bujqësor 2014-2020, është përshtatur duke integruar Programin e Integruar për Zhvillimin Rural – “100 Fshatrat” për periudhën 2018-2020.

Në kuadër të këtij programi fermerët, shoqatat e fermerëve, OJQ-të lokale dhe aktorët e tjerë publikë dhe privat që synojnë të investojnë në agroturizëm, mbështeten me grante financiare. Një tjetër iniciativë e rëndësishme është politika fiskale që ka reduktuar TVSH-në nga 20% në 6% dhe tatim- fitimin në 5%. Krahas faktit që këto iniciativa nxisin fermerët të ofrojnë shërbime për vizitorët, vlen të përmendet fakti se për shkak të nivelit të konsiderueshëm të informalitetit në bujqësi, kjo politikëbërje është një rrugë për formalizimin e sektorit (vetëm 12% e fermave në të gjithë Shqipërinë kanë NIPT).

Arsyet pse fermerët, shoqëria, politikëbërësit etj., duhet të mbështesin zhvillimin e agroturizmit, lidhet me aspekte ekonomike dhe jo ekonomike.

Studimet tregojnë se aktivitetet e agroturizmit ndikojnë pozitivisht në përfitimet e përgjithshme të fermave, rrisin qëndrueshmërinë e tyre dhe përmirësojnë marketingun. Zhvillimi i agroturizmit promovohet si një rrugë për të reduktuar sfidat me të cilat fermerët përballen, siç është rënia e të ardhurave.

Në terma joekonomikë, agroturizmi konsiderohet si një dimension shumë i rëndësishëm që kënaq dëshirën e vizitorëve për autenticitet, ndikim pozitiv në shëndet dhe mbron dhe rivlerëson peizazhet rurale piktoreske të cilat janë burim për tërheqjen e turistëve. Agroturizmi është një mjet i shkëlqyer për të siguruar përfitime shoqërore dhe kulturore siç është edukimi më i madh publik mbi ushqimin, sigurinë ushqimore, dhe bujqësinë dhe rëndësinë e saj për ekonominë dhe cilësinë e jetës së vendit.

Agroturizmi mund të kontribuojë si një urë që i bashkon banorët e zonave urbane me bujqësinë dhe jetën rurale, duke e reduktuar këtë hendek. Përveç kësaj, agroturizmi mund të jetë një mjet shumë i dobishëm për rritjen e kërkesës për produktet e origjinës, krijimin e vlerës së shtuar në zonën rurale, përmirësimin e marketingut rajonal, sigurimin e stimujve ekonomikë për disa fermerë për të qëndruar të angazhuar në bujqësi, nxit fermerët të mbajnë tokën në prodhim, shërben si një strategji vertikale e rritjes dhe ndikon në rigjallërimin e komuniteteve lokale.

Ndërkohë që agroturizmi është një rrugë e dobishme për të krijuar përfitime ekonomike dhe joekonomike për fermat, gjithashtu përdoret si një instrument i politikave për zhvillimin e ekonomive lokale si edhe për ruajtjen e komuniteteve rurale dhe promovimin e traditave të tyre. Si rezultat, agroturizmi është një rrugë shumë efektive për të nxitur zhvillimin e qëndrueshëm rural.

 

Dr. Shpresim Domi
Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.

Na Ndiqni në: