GoranH - Pixabay.com

Absesi i thundrave në kuaj

Ndërtimi anatomik i falangave

Për një kuptim sa më të mirë të problemeve me thundrat tek kuajt është domosdoshmëri njohja sa e mirë e ndërtimit anatomik të falangave. Nga pikëpamja anatomike ndërtimi i gishtërinjve (falangave të kuajve) paraqet disa veçori specifike të cilat janë karakteristikë e njëthundrakëve. Në kuaj është i zhvilluar vetëm gishti i tretë dhe dallohen tre gishtërinj (falanga) që emërtohen: falanga proximale, falanga mediale dhe falanga distale. Në kuaj dallojmë dhe kockën sesamoidea e cila ndodhet kaudalisht dhe artikulon me falangën mediale dhe falangën distale. Falanga distale përfaqëson kockën e thundrës dhe ndodhet e mbështjellë nga një mbulesë të brinjëzuar. Në të dallojmë tre sipërfaqe që emërtohen:

  • Facies artikularis (sipërfaqja proximale artikulare)
  • Facies parietalis (sipërfaqja dorzale)
  • Facies solearis (sipërfaqja palmare e tabanit)

Figura nr 1: Ndërtimi anatomikë i kockave të gishtërinjve tek kuajt.

Absesi i thundrës në kuaj

Absesi tek kuajt përbën një problematikë që ndeshet shpesh dhe shkakton shfaqjen e menjëhershme të çalimit tek kuajt. Ai mund të emërtohet si një akumulim purulent i eksudatit midis shtresave germinative dhe keratine të murit të thundrës. Ai mund të shfaqet tek të gjithë kuajt, pavarësisht moshës, rracës dhe seksit. Shfaqet kur materiale të huaja depërtojnë kapsulën e thundrës (epidermis) dhe fillojnë shumëzimin e shpejtë në indin submural (dermis). Shkak tjetër predominat është shpeshherë dhe ndryshimi i ambientit ku mbahen kuajt nga një mjedis i thatë në një mjedis të lagësht. Po kështu mjedisi me baltë ose shkëmbor, shkakton enjtje të thundrës duke mundësuar penetrimin më të lehtë të bakterieve. Dietat e pabalancuara mund të shërbejnë si shkak për shfaqjen e abseseve në mënyrë kronike, pasi kequshqyerja mund të shkaktojë dobësimin e thundrës. Në raste të rralla patologjia mund të komplikohet akoma më shumë duke shkaktuar inflamacionin e indit të butë-cellulitis, inflamacionin e kockës dhe çarjen e thundrës.

Figura nr 2. Thundra të prekur nga absesi.

Problemi më i madh me abseset në thundra është shpeshherë vendosja e pasaktë e diagnozës deri në momentin që shfaqen çalimet.

Shenjat klinike

Shenjat klinike janë të lidhura ngushtë me ecurinë e patologjisë dhe shkallën e përhapjes së absesit. Këto shenja klinike përfshijnë:

  • Çalime të lehta, të mesme ose të rënda. Këto çalime janë unilaterale ose në raste shumë të rralla mund të jenë bilaterale.
  • Pamundësia e mbështetjes së gjymtyrës në tokë.
  • Prania e temperaturës
  • Shenja letargjie
  • Prania e absesit që mund të dallohet në pjesën koronare.
  • Shtimi i pulsit.

Diagnoza

Diagnoza bazohet në:

  • Shenjat klinike të cilat në shumicën e rasteve lokalizohen vetëm në një thundër.
  • Egzaminimin me rreze X, i cili mundëson shfaqjen e xhepave me praninë e gazit dhe lëngjeve.
  • Realizimin e punkturave të cilat evidentojnë pikën ku ka më shumë dhembje.

Trajtimi

Trajtimi i absesit në kuaj realizohet në disa etapa. Hapi i parë është realizimi i procesit të drenimit për të mundësuar largimin e absesit. Ky proces realizohet shpejt dhe pas 5-7 ditësh nuk vërehet më abses që drenon nga plaga. Pas realizimit të procesit të drenimit ka shumë rëndësi që zona e drenuar të jetë e mbrojtur dhe e pastër në mënyrë që të mbrohet nga riinfektimi.

Figura nr 3. Pastrimi i plagës dhe hapja e kanalit drenues.

Përdorimi i ujit të ngrohtë me betadinë mundëson thithjen dhe largimin e të gjithë qelbit. Për këtë arsye shpeshherë mund të përdoret bandazhi me pambuk dhe jod. Në rast se absesi është shumë i përhapur, mund të përdoren anti-infamatorët dhe antibiotikët. Gjithësesi përdorimi i antibiotikëve në shumë raste nuk është i nevojshëm pasi ata e kanë shumë të vështirë depërtimin e tyre në thundër dhe procesi i shërimit nuk përshpejtohet nga përdorimi i tyre. Përdorimi i antibiotikëve këshillohet kur absesi është shumë i madh dhe ka prekur dhe struktura të tjera anatomike. Pas trajtimit, procesi i shërimit ecën gradualisht dhe mund të arrihet brenda 2 javëve.

Figura nr 3. Trajtimi i absesit në kuaj

Dr. Ilir Dova
Departamenti Shëndetit Publik Veterinar, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: