Industria e turizmit është një nga sektorët më të rëndësishëm në ekonominë shqiptare dhe në të njëjtën kohë, turizmi rural po bëhet një pjesë e rëndësishme e kësaj industrie. Dhjetë vitet e fundit ky aktivitet ekonomik në shumë destinacione në Shqipëri, tashmë konsiderohet si burim i rëndësishëm i të ardhurave për zonat rurale. Dy vitet e fundit ky sektor është një nga më të prekurit nga masat administrative pandemike COVID-19 të qeverisë sonë dhe jo vetëm. Situata e krijuar nga pandemia është shumë dinamike dhe ka nevojë për studime përkatëse në lidhje me ndikimin e koronavirusit në sektorin e mësipërm. Përmes studimit tonë ne kemi analizuar të dhëna të cilat pasqyrojnë ndikimin që COVID-19 ka në turizëm dhe turizëm rural. Për këtë ne kemi marrë parasysh të dhënat dytësore si dhe të dhënat parësore të krijuara nga intervistat me konsumatorët. Të qenurit një aktivitet ku ndërveprimi midis njerëzve është i pashmangshëm e ka bërë të vështirë veprimin e duhur. Ne kemi vënë re se ka pasur një rënie të të ardhurave të krijuara nga ky sektor për shkak të kufizimeve të vendosura për të parandaluar përhapjen e koronavirusit siç është karantina. Ndikimet e pandemisë kanë modifikuar gjithashtu mënyrën se si konsumatorët marrin vendime për blerjen e turizmit. Një arsye tjetër e rëndësishme ka qenë rënia e turistëve si pasojë e krizës që ka kapluar të gjithë globin.
Prej pothuajse dy vitesh Covid-19 është ngjarja më e rëndësishme dhe më dinamike që tërheq vëmendjen e të gjithë agjentëve ekonomikë. Me rreth 233 milionë të prekur dhe 4.8 milionë vdekje (WHO 2021) shikohet si eventi më me ndikim në të gjitha aspektet jetësore pas Luftës së Dytë Botërore (Nicola et al. 2020). Një ndikim shumë të madh duket të ketë pasur edhe në ekonomi ku shikohet të jetë shoqëruar me humbje të mëdha financiare për shkak të krizës ekonomike që mbertheu të gjithë globin (Anderson et al. 2020). Ndërsa të gjithë sektorët e ekonomisë kanë qenë për një periudhë të konsiderueshme të paralizuar turizmi ka qenë ndër më të dëmtuarit nga kjo krizë (UNWTO 2021). Njëkohësisht turizmi luan një rol shumë të rëndësishme në ekonominë globale. Përpara pandemisë turizmi zinte rreth 10% të GDP-së globale duke punësuar rreth 320 milionë persona (IMF 2021). Edhe për ekonominë vendase turizmi është një nga sektorët që ndikon më shumë në mirëfunksionimin e ekonomisë (Caca 2013 ) ku në vitin 2019 turizmi zinte rreth 10.8 % të GDP-së së Shqipërisë (Instat 2021). Covid-19 e ka goditur sektorin e turizmit në të dy krahët, të ofertës dhe të kërkesës. Nga njëra anë janë turistët të cilët kanë ulur kërkesën për produkte turistike për shkak të kushteve ekonomike, sociale dhe psikologjike që janë krijuar nga pandemia (BC 2020) . Nga ana tjetër janë aktorët që operojnë në këtë sektor që kanë qenë të detyruar të ndalojnë aktivitetin prej masave kundër përhapjes së Covid-19 (Nicola 2021). Megjithatë studime të tjera tregojnë se Covid 19 mund të ketë ndikim pozitiv në turizmin rural, që është edhe një burim i rëndësishëm i mirëqenies së zonave rurale. Gjetjet ePolukhina et al. (2021) tregojnë që kjo situatë ka diktuar një rritje të turizmit të brendshëm dhe të turizmit rural në veçanti. Gjithashtu nga intervistimi i kryer me konsumatorët vihet re se turizmi rural perceptohet si më i sigurtë në prezencën e Covid -19. Për shkak të dinamizmit të lartë dhe të qenurit një ngjarje e re, studimet në lidhje me impaktin e Covid-19 në turizëm në vendin tonë janë relativisht të pakta. Duke ditur që Covid -19 është një fenomen që duket se do të na shoqërojë për një kohë të gjatë dhe duke patur parasysh rëndësinë e industrisë së turizmit, studimet në lidhje me këtë fenomen janë të nevojshme. Rëndësia e këtij punimi qëndron në faktin e pasqyrimit të ndikimit të Covid-19 në këtë sektor substancial të ekonomisë sonë si dhe në shtimin e literaturës në këtë fushë kërkimore. Objektivi kryesor i këtij studimi është që përmes analizimit të të dhënave parësore dhe dytësore të nxirret në pah se si ka ndikuar pandemia në turizëm dhe në turizmin rural, si dhe në sjelljen e konsumatorëve kundrejt produkteve turistike.
Studimi i kryer është bazuar në analizën përshkruese statistikore. Për realizimin e këtij studimi kemi përdorur të dhëna parësore dhe dytësore. Të dhënat parësore janë siguruar nga intervistimi i 303 konsumatorëve ku 59.9 % janë femra dhe 40.1 % janë meshkuj. Vrojtimi është zhvilluar gjatë periudhës shtator 2021 dhe zgjedhja është bërë në mënyrë rastësore. Pyetësori është i ndarë në dy pjesë. Në pjesën e parë përfshihen të dhëna demografike dhe në pjesën e dytë përfshihen pyetje që kanë të bëjnë me ndikimin që ka patur pandemia e Covid -19 në të ardhurat e konsumatorëve, në vendimin për të bërë pushime dhe në zgjedhjen e destinacionit të tyre. Nëpërmjet të dhënave janë hartuar raporte që na ndihmojnë me nxjerrjen e rezultateve. Përsa iu përket të dhënave dytësore ato janë siguruar nga raporte të ndryshme nga institucione zyrtare vendase dhe të huaja si INSTAT, FMN apo Ministria e Turizmit dhe Mjedisit. Studimi ka kufizime të tilla si numri jo shumë i madh i të intervistuarve si dhe fakti që mbetet në kuadër të një analize deskriptive .
Ndërkohë që Covid-19 duket të këtë rritur preferencën për turizmin rural ku 46.4 % e të anketuarve shprehen t’i kenë vizituar destinacionet rurale gjatë kësaj periudhe. Gjithashtu 50.3% e tyre shprehen se duke patur parasysh karakteristikat e virusit, turizmi rural duket më i sigurtë.
ALBA TEMA
Studente, FEA
INVA BALLIU
Studente, FEA
Prof. As. Edmond Kadiu
Departamenti i Menaxhimit të Turizmit Rural, Fakulteti i Ekonomisë dhe Agrobiznesit, UBT.
Covidi ndikon kudo jo vetëm në turizëm,po meqë ju mbështeteni në faktin se vetëm në këtë sektor ka më shumë ndikime 👏🏻
Paskeni marrë pak nga pak nga të gjithë artikujt për të finalizuar produktin përfundimtar..,nga gazetat apo website-t e televizioneve?! 😏🤭
Përshëndetje Edisa. Unë jam një nga bashkeautoret e punimit dhe po ju shkruaj dhe në emër të bashkëautoreve të tjerë . Si fillim ju falenderoj që keni qenë e interesuar dhe keni lexuar punimin. Gjithashtu ju falenderoj edhe për komentin që keni bërë.
Së pari është i pamohueshëm fakti që pandemia ka prekur të gjithë sektorët e ekonomisë, por artikulli fokusohet tek turizmi në veçanti si një nga më të prekurit .
Së dyti punimi është bazuar në rishikim literature ( ku nuk mungon as një citim) si dhe në të dhëna të mbledhura nga anketimi konsumatorëve në lidhje me ndikimin që ka patur COVID-19 në vendimet e tyre individuale. Në çdo kohë jeni e ftuar të takohemi dhe të të vëmë në dispozicion bazën e të dhënave dhe çdo informacion që ju duket i nevojshëm(më kontaktoni [email protected]).
Gjithesesi ju falenderoj përsëri për interesin tuaj.
😊
Nje studim i bere ne menyren me te mire te mundshme 😊
Nje ceshtje tipike studimi,jo e trajtuar sic duhet(duket se cdo pjese e studimit ka dicka pezull qe te le per te deshiruar),megjithese ka elemente qe i pershtaten temes se marre ne konsiderat.
Si artikull i pare qe publikohet nga studentet,nuk duket keq.
Pergezime
Te falenderoj shume per studimin! Eshte vertet i punuar mire dhe ka te dhena reale, sikurse nevojitet per nje pasqyre mbi realitetin.