Informacion i përgjithshëm
Gjendra tiroide është një gjendër endokrine. Ajo është e përbërë nga stroma dhe parenkima. Parenkima e gjendrës tiroide është e mbështjellë nga ana e jashtme nga një kapsulë e dendur e indit lidhor të çrregullt që nga ana e brendshme degëzohet në septa shumë të ngushta të cilat e ndajnë parenkimën në folikula tiroide. Parenkima e tiroides përbëhet nga dy tipe qelizash: Qeliza folikulare e cila vesh secilën folikul dhe qeliza parafolikulare, e cila vendoset midis folikulave të afërta.
Hipotiroidizmi është një sëmundje e pamjaftueshmërisë së jodit që prek si njerëzit ashtu dhe kafshët. Si klinikë të saj tipike ka fryrjen e gushës ndërsa nga ana subklinike është më e vështirë të diagnostikohet. Hipotiroidizmi mund të diagnostikohet me matjen hormonale në gjak (serum), por si indikator i mirë mund të jetë dhe matja e jodit të eleminuar përmes qumështit apo urinës.
Etiologjia
Ndër mekanizmat kryesorë patogjenikë përgjegjës për zhvillimin e hipotiroidizmit, hiperplazisë së tiroides përfshihet pamjaftueshmëria e jodit në ushqim. Përgjithësisht hipotiroidizimi shkaktohet nga pamjaftueshmëria e jodit në tokë, ushqimi i kafshëve, në ujë, bimë etj. Tokat ranore kanë përmbajtje të ulët të jodit. Përmbajtja e jodit në bimë ndryshon në varësi të species/eve, kushteve klimatike dhe sezonaliteti. Kështu psh., çerealet janë të varfëra me jod ndërsa kashta dhe ushqimi i gjelbër përmbajnë sasi të mjaftueshme të jodit që përputhet me nevojat e kafshëve. Stadi i maturimit dhe i prerjes ndikojnë në nivelin e jodit në ushqim. Edhe përdorimi i tepruar i kimikateve në bujqësi si për shembull DAP-i, zvogëlojnë marrjen e jodit nga toka. Gjithësesi këto përbëjnë shkaqet parësore të hipotiroidizmit.
Në shkaqet dytësore futen shkaktarë gushëshkaktues që ndërhyjnë në tiroksinogjenezë, tepritë e jodit në ushqim dhe të metat enzimatike gjenetike në biosintezën e hormoneve tiroide. Edhe shkaktarët gushëshkaktues ndahen në dy nënndarje. Nënndarja e parë ka të bëjë me faktin që me shtesën e kripërave të jodit në racionin ushqimor të kafshëve, hipotiroidizmi mund të rikuperohet. Këtu futën bimë si lakra, soja etj.
Nënndarja e dytë përfshin bimë të tjera po brenda familjes “Brasiccae spp’’ si lakra jeshile etj., por në ndryshim nga nëndarja e parë hipotiroidizmi nuk mund të rikuperohet edhe me shtesën e kripërave të jodit në racionin ushqimor për arsye se mekanizmi i veprimit konsiston në frenimin e sintezës së hormonit tiroid.
Të gjithë këta faktorë që u përmendën më lart çojnë në pengim apo sintezë të pamjaftueshme të tiroksinës dhe në nivele të pakësuara në gjak të tiroksinës e trijodotironinës. Kjo gjë kapet nga hipotalami dhe hipofiza që çon në shtim të sekretimit të TSH-së, që nga ana e vet çon në hiperplazi të qelizave folikulare. Shkaku i ngordhjes së shpejtë vjen nga dispnea, e shkaktuar kjo nga presioni i gjendrës tiroide hiperplastike dhe hipertrofike mbi trake’.
Klinika
Nga klinika e kecave të porsalindur u vu re që periudha e barrsmërisë mund të zgjatet në mënyrë të konsiderueshme. Gushat e mëdha te fetusat mund të shkaktojnë distoci dhe ka prirje për mbajtje të shtratit. Kecat e prekur paraqesin dobësi të tejskajshme dhe pjesa më e madhe ngordhin brenda pak orësh nga lindja. Tiroidet mund të jenë edhe vetëm lehtësisht të zmadhuara. Si pasojë e distocisë, edhe kecat paraqesin shenjën e gushës së fryrë.
Mjekimi
Kecat e porsalindur të mbijetuar janë trajtuar me proteomiks të shtuar në racionin ushqimor ashtu dhe injeksione si vitamina B12, 2cc, s/c si dhe Seleni apo vitamina E 2cc, s/c. Kështu është rasti i një keci të porsalindur me gushën hiperplazike, i cili është trajtuar vitin e shkuar dhe që këtë vit ka pjellë dy keca me po të njëjtën klinikë dhe po ashtu dhe vetë ka shfaqur po të njëjtën klinikë.
Konkluzione dhe rekomandime
Marrë në konsideratë, përsa u përmend më lart mund të thuhet se shkakësia është multifaktoriale gjer në momentin ku nuk mund të bëjmë analiza të mëtejshme hormonale apo dhe studime epidemiologjike duke synuar përjashtimin e faktorëve. Kjo vjen dhe nga fakti i përmendur më lart ku shkaku mund të jetë nga pamjaftueshmëria e jodit në tokë, pamjaftueshmëria në ushqime apo edhe prezenca e bimëve apo ushqimeve goitrogene.
Dr. Kastriot Belegu
Departamenti i Moduleve Morfofunksionale, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.