ulleo - www.pixabay.com

Kolikat në kuaj, cilat janë manifestimet e dhembjes abdominale?

Kolikat janë shkaku kryesor mjekësor i vdekjes në kuaj, duke prekur afërsisht 10% të popullatës. Kolikat janë kaq të zakonshme saqë shumica e pronarëve të kuajve që e kanë hasur atë në një moment, jetojnë me frikën e asaj që ndihet si e pashmangshme të ndodhë. Një faktor tjetër që e bën kolikën kaq shqetësuese, është tendenca se mund të ndodhë brenda natës, kur askush nuk ndodhet pranë kafshës. Shumë ferma kuajsh zbatojnë kontrolle gjatë natës, por ato zakonisht ndodhin shpesh herë vonë gjatë natës, duke lënë shumë kohë pa mbikëqyrje.  Përkundër këtij rreziku, njohja e shenjave të hershme mund të ndihmojë shumë në mbajtjen e kuajve larg nga salla e operacionit.

Është e rëndësishme të theksohet se roli i çdo pronari ose kujdestari të ndërgjegjshëm të kuajve, është të kuptojë gjendjen normale të një kali, me fjalë të tjera, të njohë zakone të kafshës si psh, a është një ngrënës i ngadaltë apo i shpejtë i ushqimit; a defekon më shumë ndërsa është duke ushtruar sesa në boksin e tij; a është pak dembel nga natyra?

Njohja e mënyrës së sjelljes apo zakoneve të kuajve si për gjendjen fizike ashtu edhe për ato klinike është thelbësore në njohjen e shenjave të kolikave.

Pavarësisht njohurive që mund të kenë pronarët e kuajve, ka ende mungesë informacioni rreth kolikave. Sipas studimeve të kryera rezulton se 90% e pronarëve të kuajve nuk ndihen të sigurtë që kanë kuptuar shenja të hershme të kolikave. Kjo e dhënë konsiderohet shqetësuese, veçanërisht e shoqëruar me gjetjet e tjera se një në dhjetë raste kolike janë kritike dhe 80% e rasteve kritike rezultojnë me vdekje.

Kur pronarët kontaktojnë mjekun veteriner për të vizituar kuajt e tyre, është shumë e dobishme që ata të kenë një informacion në lidhje me shenjat klinike të kafshës së sëmurë, në mënyrë që të mund të bëhet një përcaktim për seriozitetin e gjendjes së kalit dhe për mënyrën sesa shpejt ka nevojë për kujdes mjekësor.

Meqenëse “dhembja e barkut” është kuptimi thelbësor i kolikës, është e rëndësishme të kuptohet konkretisht cilat janë ato shenja. Kjo mund të konsiderohet informacion i dobishëm për t’ia transmetuar mjekut veteriner. Një kalë me kolikë mund të shfaqet i plogët ose mund të shfaqë sjellje të shqetësuar duke goditur tokën me këmbët e para, duke parë nga barku dhe pjesa e pasme e tij, shtrihet dhe ngrihet herë pas here duke u rrotulluar në tokë, mund të kafshojë ijet e tij ose në bark, apo të bëjë lëvizje goditëse drejt tij, mund të mbajë të tendosur qafën me kokën e ulur dhe veshët mbrapa dhe të ketë djersitje të tepruar dhe të pashpjegueshme.

Godet tokën me këmbët e para

Pozicioni duke parë nga barku dhe pjesa e pasme e tij

Mbajtja e tendosur e trupit shoqëruar me dhembje barku tek një kalë (Dr. Thomas Lane)

Shtrihet dhe ngrihet shpeshherë duke u rrotulluar në tokë

Djersitje në pjesën më të madhe të trupit

Manifestim dhembjeje

Dëmtime në pjesën e kokës nga goditjet e fuqishme si pasojë e dhembjeve të barkut

Manifestime të tjera të dhembjes së barkut përfshijnë ankth, mungesë oreksi ose jashtëqitjeje, një puls të ngritur, ndryshime të karakterit dhe ngjyrës së mukozave, zgjatje të kohës së kthimit të lëkurës në pozicion normal dhe rritje e kohës së rimbushjes kapilare.

Një ekzaminim i plotë veterinar ndihmon në përcaktimin e shkakut të këtyre sjelljeve, dhe gjithashtu përjashton kushte të tjera mjekësore si shtangia muskulare (mioglobinuria paralitike), laminiti, pneumonia ose vështirësitë në përtypje.

Ashtu siç u përmend në pjesën e parë, ndërsa ka shumë lloje të kolikave, ekzistojnë në thelb dy kategori: lloji që ka një shkak themelor të njohur (jo-idiopatik) dhe lloji që nuk ka një të tillë (idiopatik). Format idiopatike të kolikave – si spastike nga gazet e grumbulluara dhe obstipacionet – përbëjnë më shumë se 80% të rasteve. Sidoqoftë, ato janë zakonisht më pak të rënda se llojet e tjera të kolikave.

Çfarë kujdesi duhet të tregojnë pronarët nëse kali i tyre shfaq kolikë?

Ndërsa ka një mori gjërash që mund të bëhen në radhë të parë për të ndihmuar në parandalimin e kolikave, nuk ka garanci të sigurta se këto masa parandaluese do të funksionojnë. Qëllimi i një pronari të ndërgjegjshëm është të gjejë mënyra për të parandaluar dhembjet e barkut duke kuptuar gjithashtu se si të menaxhojë në mënyrë të përshtatshme nëse ndodhin kolikat.

Mënyra më e mirë për të ndihmuar një kalë që shfaq kolikë është që pronarët të jenë të përgatitur për më të keqen. Së pari duhet të njohin shenjat klinike të kolikës. Gjithashtu, pronarët duhet të edukojnë veten se çfarë të bëjnë dhe çfarë të mos bëjnë ndërsa janë në pritje të ardhjes së veterinerit. Gjëja e parë dhe më e rëndësishme për të bërë nëse dyshojnë për kolikë, është të kontaktojnë menjëherë mjekun veteriner. Por para ose gjatë momentit që kontaktohet veterineri, pronarët mund të sigurojnë shumë informacion që do ndihmojë të shpejtojë diagnozën dhe trajtimin e mjekut veteriner.

Kur një kalë shfaq dhembje nga kolikat, do të shikojë shpesh në anën e tij dhe do të kafshojë ose godasë ijet ose barkun e tij. Rastet më të rënda e detyrojnë kafshën të shtrihet ose të rrotullohet. Në disa raste, sasia e feçeve do të ulet ose do të mungojë ose do të jetë e thatë apo e mbuluar me mukus. Shpesh kuajt do të kenë një ulje të dëshirës për të marrë të gjithë ushqimin si koncentratet apo barin e thatë.

Pronarët mund të ndërmarrin disa masa ndërsa presin të vijë mjeku veterinerë. Kjo përfshin heqjen e aksesit ndaj ushqimit, kufizimin e pirjes së ujit dhe të realizojnë ecje me kalin nëse ai dëshiron të shtrihet dhe të rrotullohet. Mjeku veteriner do i japë pronarit udhëzime specifike bazuar në informacionin që merr prej tij.

Pronarët mund të mësojnë të masin pulsin dhe të kontrollojnë mukozat e kalit për shenja dehidrimi ose toksiciteti. Nëse rrahjet e zemrës janë mbi 45-50 rrahje në minutë ose nëse ngjyra e gingivës ka ndryshuar, shfaqet një kohë e zgjatur e rimbushjes kapilare dhe kjo do të thotë që ky kalë mund të jetë i dehidruar ose intoksikuar dhe kërkon vëmendje të menjëhershme.

Nëse kanë kaluar disa orë që nga kontrolli i fundit që bëjnë kujdestarët në femat e kuajve sidomos gjatë natës (kohëzgjatja e shfaqjes së shenjave të kolikës nuk dihet) ose nëse kolika është më e rëndë dhe nuk i përgjigjet ecjes, një mjek veteriner duhet të ekzaminojë kalin sa më shpejt të jetë e mundur. Nëse pronarët vërejnë që dhembjet e barkut janë shfaqur së fundmi dhe paraqiten të lehta, mund të provojnë të ecin me kalin dhe të shohin nëse përmirësohet gjendja pa ndihmë veterinare ose ndërsa presin mbërritjen e mjekut veteriner. Sot kjo konsiderohet si një metodë e mbivlerësuar dhe e vjetër pasi një kalë duhet të mbahet në ecje vetëm nëse vazhdon të tentojë të rrotullohet ose të godasë dhe është një rrezik për veten ose njerëzit që e rrethojnë. Nëse kali do të shtrihet qetësisht, atëherë sugjerohet që pronarët apo kujdestarët mund ta lejojnë një veprim të tillë të kafshës. Kur pronari kupton për herë të parë se një kalë ka dhembje barku, konsiderohet e vlefshme që të provohet duke e vendosur kafshën në vrapim në trotë në rrugë të drejtë për rreth 15 minuta për të parë nëse kjo do të lehtësojë dhembjen nga një kolikë spastike.

Në asnjë rrethanë nuk duhet të jepen medikamente anti-inflamatore jo steroidalë nga pronarët, pa e diskutuar më parë rastin me mjekun veteriner. Këto medikamente maskojnë dhembjen e një kolike që mund të kërkojë ndërhyrje kirurgjikale dhe në këtë mënyrë mund të vonohet trajtimi i duhur. Për më tepër, një kale me stazë intestinale dhe lëvizshmëri të dobët mund të mos i absorbojë si duhet medikamentet kur merren nga goja, aq sa të sigurojë një avantazh terapeutik që ndodh të funksionojë më mirë kur administrimi bëhet në mënyrë intravenoze.

Në fund të fundit, marrja e masave për të siguruar një mënyrë jetese të shëndetshme dhe aktive për kuajt janë çelësat për të ndihmuar në parandalimin e kolikave, por veprimi i shpejtë në rast urgjence është përgatitja më e mirë për çdo pronar.

 

Prof. Dr. Rezart Postoli
Departamenti Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: