jaminriverside - www.pixabay.com

Ovariohisterektomia në kafshët e shoqërimit

Çfarë është ovariohisterektomia?

Ovariohysterektomia është heqja kirurgjikale e organeve riprodhuese (vezoret, brirët e mitrës dhe trupi i mitrës) tek kafshët femra. Ndërsa ovarioektomi konsiston në heqjen kirurgjike vetëm të vezoreve. Ndërhyrje të tilla kirurgjikale përfshijnë një larmi teknikash të dizenjuara për të ndryshuar aftësinë e kafshës për tu riprodhuar. Indikacioni kryesor për operacionin e traktit riprodhues tek kafshët femra është kufizimi i riprodhimit (për të parandaluar shtatzëninë). Ajo eleminon sjelljen e padëshiruar estusale dhe hemoragjinë gjatë ciklit, parandalimin ose trajtimin e tumoreve të ndikuar nga hormonet riprodhuese (p.sh., tumoret e gjirit), kontrollin e sëmundjeve të caktuara të traktit riprodhues (p.sh, piometra, metriti). Gjithashtu variohisterektomia ndihmon dhe në stabilizimin e sëmundjes sistemike (p.sh., diabetin dhe epilepsinë).

Cilat janë ekzaminimet ose testet para ndërhyrjes kirurgjikale?

Testet para operacionit varen pjesërisht nga mosha dhe shëndeti i përgjithshëm kafshës. Tek qentë e vegjël nevojiten teste minimale bazuar në ekzaminimin fizik. Shpesh teste të thjeshta të gjakut mund të bëhen para anestezisë. Në qentë apo mace të mëdha në moshë, është e nevojshme të kryhen analiza të përgjithshme hematologjike dhe biokimike para anestezisë. Këto rekomandime ndryshojnë rast pas rasti dhe varen nga shëndeti i përgjithshëm i kafshës. Shumica e kafshëve të sjella për këtë ndërhyrje janë të shëndetshme. Kafshët me infeksione të traktit gjenital mund të jenë të sëmurë rëndë dhe kanë ethe, toksemi, apo gjendje debulese etj, për të cilat kërkohet një kujdes i veçantë.

Ekzaminimi fizik duhet të përfshijë inspektimin në rajonin e ndërhyrjes, inspektimin e vulvës dhe gjendrave të qumështit. Prekja e abdomenit (barkut) mund të zbulojë një mitër të zmadhuar, masë, zhvendosje të organeve të brendshme ose dhembje. Mund të vërehen palosje jonormale të lëkurës vulvare, formacione të ndryshme, ngushtim ose zgjerim. Gjatë estrusit dhe proestrusit, vulva është e fryrë dy ose tre herë më shumë se madhësia e saj normale dhe ka rrjedhje hemorragjike në ngjyrë kashte. Gjendrat e qumështit duhet të kontrollohen për simetri, strukturë, madhësi, lëvizshmëri, rrjedhje dhe prani të masave.

Ndëraq protokolle të shumta anestetike mund të përdoren për kirurgji në kafshë të shëndetshme. Kjo ndërhyrje kirurgjikale rekomandohet në moshën 6 deri në 9 muajshe apo pas kalimit të estrusit të parë. Por ndërhyrja e ovarioektomisë kryhet edhe në moshat e rritura qoftë edhe kur kafshët janë shtatzanë. Para operacionit, ushqimi duhet të ndërpritet për 12 deri në 18 orë.

Induksioni i anestezisë kryhet në mënyrë intravenoze: Propofol (3-10 mg / kg), ketaminë (3-5 mg / kg) + diazepam ose midazolam (0.25 mg / kg), ose alfaksalon (3-5 mg / kg). Nëse një agonist alfa2 adrenoreceptor përdoret para operacionit, këto doza mund të jenë më të ulëta.

Gjithashtu induksioni i anestezisë mund të kryhet edhe intramuskular: Një agonistalfa2-adrenoreceptorë (clonidinë/medetomidinë-dexmedetomidinë /xylazin/tizanidinë+ ketaminë (5-10 mg / kg) ose tualetaminë / zolazepam (3-4 mg / kg). Analgjezia postoperatore: NSAID (ibuprofen, naproxen, diclofenac) Duhet të shmanget administrimi i acepromazinës dhe preparateve anti-inflamatore josteroide (NSAID) në kafshë më të vogla se 16 javë. Ketamina mund të përdoret, por dozat në rangun më të ulët janë më të përshtatshme për shkak të rritjes së vëllimit të shpërndarjes. Propofoli intravenoz apo sevoflurani dhe izoflurani (anestetik inhalator) janë anestetikë të shkëlqyeshëm për moshat e vogla.

Pas anestezisë qeni vendoset në një tavolinë kirurgjikale i shtrirë në shpinë. Zona ku do të bëhet ndërhyrja kirugjikale pastrohet, dezinfektohet për të pasur nje rajon sa më steril.

Fig 1 Prerja në Linea Alba
Fig 1 Prerja në Linea Alba

Një çarçaf kirugjikal steril vendoset në fushën operatore të ndërhyrjes. Me anë të bisturisë bëhet prerja e lëkurës në mes të barkut poshtë kërthizes në linea alba. Madhësia e plagës operatore varet dhe nga madhësia e kafshës (2-5 cm në gjatësinë e vijës prerëse). Pas incizionit në linea alba, futemi në kavitetin abdominal. Identifikohen organet e traktit riprodhues femëror, ku në rastet e maceve mund të përdoret një gyp hemostatik (në formë grepi) i cili rëshqitet në murin anësor të barkut për të “peshkuar” bririn e mitrës i cili fiksohet nga ligamenti suspensor.

Fig 2 Identifikimi i vezoreve

Pasi është identifikuar briri i mitrës, afrohet lart në plagën operatore ku bëhet ligatura e enëve kryesore të gjakut që furnizojnë vezoret dhe mitrën (arteria dhe vena ovarike). Më pas vendosen 2 pinceta hemostatike poshtë vezores për fiksimin dhe krijimin e hemostazës për enët gjakore. Midis këtyre 2 pincetave bëhet ligatura me pe kirurgjikal të absorbueshëm.

Fig 3 Ligatura e enëve të gjakut

Mbi pjesën e ligaturës nga ana e trupit të mitrës bëhet prerja me bisturi ose gërshërë kirurgjikale për ta shkëputur vezoren së bashku me bririn e mitrës nga ligamenti suspensor dhe enët gjakore. Po e njëjta procedurë ndiqet dhe me vezoren e anës tjetër. Pasi kemi larguar të dyja vezoret së bashku me brirët e mitrës, bëhet ligatura në qafën e mitrës pranë bifurkacionit të saj. Në këtë rajon realizohet fiksimi dhe hemostaza me 2 pinceta hemostatike dhe ndiqet e njëjta procedurë e ligaturës si në largimin e vezores.

Fig 4 Prerja e vezoreve

Pasi jemi siguruar që nuk ka hemoragji në këto ligatura(lidhje) atëherë bëhet mbyllja e plagës operatore. Fillohet mbyllja me qepjen e shtresave muskulare abdominale se bashku me peritoneumin. Kjo qepje është e vazhduar dhe realizohet me pe kirurgjikal të absorbueshëm (të tretshëm). Pasi bëhet mbyllja e shtreses muskulare kalohet në qepjen e nënlëkurës(me pe kirurgjikal të absorbueshëm) dhe më pas me qepjen e fundit të lëkurës e cila realizohet me pe kirurgjikal të paabsorbueshëm. Qepjet e lëkurës duhet të hiqen për rreth 10 deri në 14 ditë pas operacionit.

Fig 5 Qepja e plagës

Procedura zgjat nga 45 minuta deri në një orë për t’u kryer në shumicën e rasteve, përfshirë kohën e nevojshme për përgatitje dhe anestezi. Tek qentë më të moshuar ose të racave të mëdha, procedura mund të zgjasë edhe më shumë.

Rreziku i përgjithshëm i këtij operacioni në një qen të ri të shëndetshëm është shumë i ulët. Rreziqet kryesore janë ato të anestezisë së përgjithshme, gjakderdhjes (hemorragjisë), infeksionit pas operacionit dhe dëmtimi i plagës operatore. Shkalla e përgjithshme e ndërlikimeve është e ulët por ndërlikimet mund të rezultojnë në rastet më të rënda me vdekjen e kafshës.

Pas ndërhyrjes është i domosdoshëm kujdesi postoperator. Nevojitet lënia në gjendje qetësie në shtëpi, minimizimi i lëvizjeve apo vrapimit për dy javë pas operacionit. Gjithashtu mund të jepen medikamente për qetësimin nga dhimbja për disa ditë pas operacionit. Një kollaro elisabet mund të jetë e nevojshme për të parandaluar lëpirjen e plagës kirurgjikale. Plaga operatore duhet të kontrollohet çdo ditë për shenja të skuqjes, dëmtimit, ënjtjes ose dhembjes. Janë të nevojshme gjithashtu trajtime të mëtejshme në rastet e ovariohisterektomisë së piometrës ose sëmundjeve të tjera.

Antibiotikët perioperativë nuk janë të nevojshëm për ovariohisterektomin. Zgjedhja e antibiotikëve duhet të bazohet në kulturën dhe ndjeshmërinë në pacientët me piometër apo metrit . Derisa të gjenden rezultatet e kulturës, antibiotikët e përdorur për të trajtuar pyometrën duhet të jenë efikasë kundër Escherichia coli sepse ky është patogjeni më i zakonshëm. Aminoglikozidet janë nefro-toksike dhe duhet të shmangen kur është e mundur për shkak të mosfunksionimit renal normal në rastin e piometrës. Zgjedhja e antibiotikëve profilaktikë për operacionin që përfshin tumore ose trauma varet nga gjendja e pacientit. Ovariohisterektomia mund të çojë në komplikime të lehta të tilla si: Mavijosje në plagën e ndërhyrjes, Enjtje të plagës operatore apo infeksion të plagës. Komplikimet më serioze që mund të ndodhin janë hemorragjia dhe obstruksioni urinar të cilat janë të ralla, por mund të jenë kërcënuese për jetën. Ovariohisterektomia mund të jetë e vështirë në kafshët e mëdha në moshë ose kur janë të dhjamosura dhe mund të shoqërohet me më shumë ndërlikime. Prognoza është e shkëlqyeshme për ovariohisterektominë rutinë pa probleme patologjike. Prognoza është më e dyshimtë në rastet e ovariohisterektomisë në një qen apo mace me piometër .

 

Bledar Goxha
Departamenti i Moduleve Klinike, Fakulteti i Mjekësisë Veterinare, UBT.

Na Ndiqni në: