www.gisgeography.com

GIS-i dhe benefitet e tij në fushën e pyjeve

Sot në botë po realizohet një progres i mahnitshëm në shkencë dhe  teknikë. Është një progres i mahnitshëm jo vetëm nga pikëpamja e arritjeve por edhe për ritmet e shpejta të zhvillimit të tij. Ky progres synon jo vetëm të mbështesë kërkesat gjithnjë në rritje dhe ritmin e vrullshëm të zhvillimit ekonomik por edhe të paraprijë atë të së ardhmes.

Është e rëndësishme të dimë se progresi që po ndodh rreth nesh duhet ndjekur e përvetësuar në mënyrë të vazhdueshme, me synimin fillestar për të qenë të informuar në fushat përkatëse dhe me synimin për të shfrytëzuar arritjet e tij (progresit) në mbështetjen dhe përshpejtimin e ritmeve të zhvillimit ekonomik të vendit në të gjitha fushat.

Një ndër shembujt më tipik të këtij progresi janë arritjet në zhvillimin e teknologjisë së informacionit dhe implementimin e burimeve të reja digjitale në shfrytëzimin e të dhënave. Informacioni dhe komunikimi apo shpërndarja e tij është një nga çelësat e proceseve të zhvillimit dhe karakteristikë e shoqërive bashkëkohore.

Problemi i shfrytëzimit sa më të mirë të pasurive natyrore dhe i një administrimi sa më racional të territorit ka shkaktuar përgjatë viteve të fundit një rritje të interesit kundrejt zgjerimit të njohurive territoriale, si në lidhje me një rritje të kërkesës ndaj pasurive të ndryshme natyrore ashtu edhe me një disponueshmëri më të madhe të mjeteve teknologjike.

Kjo kërkesë në rritje ndaj informacionit territorial e shoqëruar me evolucionin teknik e metodologjik të përftimit të të dhënave, çoi për rrjedhojë në transformimin e dokumentacionit tradicional hartografik teknik e tematik në instrumente informative shumë më të perfeksionuara dhe më imediate, si për një integrim më të madh të të dhënave të rregjistruara ashtu dhe për një administrim dhe analizë më të thelluar të vetë informacionit territorial.

Evolucioni konceptual, i përmendur më sipër, fillimisht transformoi hartografinë klasike me bazament prej letre në një produkt të ri numerik mbi një bazament magnetik dhe më pas në mënyrë progresive çoi në realizimin e sistemeve informative me karakter territorial, të quajtur pikërisht Sisteme Informative Territoriale, që duke filluar nga viti 1962 ndryshuan emërtim: Sisteme të Informacionit Gjeografik – GIS (GEOGRAPHIC INFORMATION SYSTEM).

Në mënyrën më të përgjithshme, me GIS individualizohet një tërësi e organizuar aparaturash hardware, programesh software e të dhënash gjeografike, e projektuar për të grumbulluar, memorizuar, përditësuar, trajtuar, analizuar dhe paraqitur (vizualizuar) në mënyrë efikase të dhëna të gjeoreferuara.

Teknologjia GIS na ndihmon që të organizojmë të dhënat mbi problemet që ndeshim, të kuptojmë organizimet e lidhjeve të tyre hapësinore si dhe të sigurojmë një metodë apo mjet të fuqishëm për të analizuar dhe sintetizuar informacionin mbi të.” (Aronoff 1989).

Tashmë GIS është pranuar si një mjet fondamental për përdorimin efektiv të informacionit gjeografik.

Pylltaria përfshin menaxhimin e një game të gjerë pasurish (resursesh) natyrore në brendësi të një territori pyjor. Së bashku me lëndën drusore, pyjet ofrojnë resurse të tilla si bimë medicinale, kullota për kafshët, habitate kafshësh të egra, resurse ujore, zona rekreative dhe efekte pozitive kundra ndryshimeve globale klimatike. Në aktivitetin e shfrytëzimit dhe administrimit të  pasurisë pyjore, dokumenti më i rëndësishëm është plani i menaxhimit. Ky plan i jep administruesve të pasurisë pyjore hartën udhëheqëse të planifikimit territorial, që përcakton drejtimet e duhura për arritjen e qëllimeve dhe objektivave të paracaktuara.

Teknologjia kompjuterike i ka dhënë specialistëve të pyjeve një mjet të ri tepër të fuqishëm në ndihmë të hartimit të planit të menaxhimit si një dokument shumë më funksional dhe dinamik, i cili mund të ndryshohet e azhornohet shpejt e me kosto të ulët, me ndryshimin e synimeve dhe objektivave të menaxhimit. Ky mjet apo instrument i ri është Sistemi i Informacionit Gjeografik.

GIS përfaqëson një tip software (programi) kompjuterik, që mund të konsiderohet si një kombinim i një harte dhe një databaze: si në një databazë kompjuterik, informacioni i duhur në të, mund të gjendet mjaft shpejt; si në një program kompjuterik hartografimi, hartat e azhornuara mund të krijohen në çdo moment që ndodhin ndryshime në pyll.

GIS integron elementët (features) e bankës së të dhënave (database) dhe programin kompjuterik të hartografimit dhe i mundëson përdoruesit që të bëjë ndryshime në të dhëna dhe t’i paraqesë këto ndryshime në mënyrë të menjëhershme.

GIS të krijon mundësinë e analizimit, planifikimit dhe ndarjes territoriale mbi bazën e një numri të madh variablash.

Kjo teknologji e re kompjuterike ka filluar të aplikohet prej më shumë se një dekadë edhe në vendin tonë në menaxhimin e resurseve të ndryshme natyrore, duke përfshirë edhe ato pyjore.

“Implementimi i sistemit të informacionit gjeografik është art po aq sa edhe shkencë” (John Antenucci, Computer Simpozium-Data Management Issues In Forestry-1986).

Strategjia për Zhvillimin e Pyjeve dhe Kullotave ka si qëllim sigurimin e menaxhimit dhe zhvillimit të qëndrueshëm e shumëfunksional të burimeve pyjore dhe kullosore në përputhje me politikat qeveritare të aprovuara në këtë sektor.

Konservimi i vazhdueshëm, përdorimi racional dhe vlerësimi i drejtë i të mirave publike të eko-sistemeve pyjore dhe kullosore, në përputhje me interesat e shtresave të ndryshme të popullsisë realizohet nëpërmjet një qeverisje të qëndrueshme e shumëfunksionale.

Problemet dhe vështirësitë që ndeshen aktualisht në sektorin pyjor, veçanërisht në menaxhimin e qëndrueshëm të tij, janë të shumta. Në vijim po evidentojmë disa nga problemet më tipike, të cilat mund të zgjidhen lehtësisht me futjen në përdorim të teknologjisë së GIS-it.

Ka qenë dhe mbetet një problem mjaft shqetësues e frenues disponimi dhe sigurimi i hartave tematike të ekonomive pyjore (të kopjuara me dorë); në të shumtën e rasteve për çdo ekonomi mund të ekzistojë një kopje e vetme e hartës së ndarjes parcelore të saj (origjinale apo e fotokopjuar), e cila ruhet me mjaft fanatizëm dhe për këtë arsye shpesh është e vështirë të sigurohet. Për të shkuar më tej, grumbullimi dhe regjistrimi i të dhënave të ndryshme mbi ngastrat pyjore realizohet në mënyrë klasike manuale, pra në tabela e regjistra të cilat janë mjaft të vështirë për t’u interpretuar duke mos iu përgjigjur në kohë dhe në besueshmëri procesit të vendim-marrjes në menaxhimin e rezervave pyjore.

Një sërë problemesh të ndeshura mund të gjejnë zgjidhje me përdorimin e një mjeti efikas e të fuqishëm siç është GIS.

Akti primar për vlerësimin e prodhimit të lëndës drusore është inventarizimi pyjor. Ai përdoret për hyrë në resurset ekzistuese pyjore dhe për të zhvilluar planet e vjeljes dhe programet e trajtimit, për të planizuar prodhimin e lëndës drusore në të ardhmen dhe për aktivitete planifikuese operacionale të tjera.

Në inventarizimin pyjor klasik (konvencional) për të përditësuar (update) një hartë të mbulesës pyjore, duhet të kalojnë 10 vjet ose më shumë dhe kjo gjë realizohet me anë të përshkrimeve e vizatimeve manuale voluminoze, e për rrjedhojë janë të kushtueshme. Me përdorimin e GIS, hartat pyjore mund të azhornohen në mënyrë konstante duke i ofruar menaxherëve pyjorë më shumë të dhëna të freskëta (aktuale) se sa disponoheshin më parë. Me teknologjinë GIS, mosha mesatare e informacionit në databazën pyjore mund të reduktohet nga 20 vjet në vetëm disa javë. Vetëm ky faktor, pra faktori kohë, krahas shumë të tjerëve, ka çuar në një pranim të gjerë dhe në një kërkesë gjithnjë në rritje të aplikimeve të GIS në pyje.

Qysh në fillimet e tij, GIS ka rezultuar mjaft i rëndësishëm në menaxhimin e resurseve natyrale, në analizat e habitateve të kafshëve të egra, monitorimin e zonave bregdetare dhe vlerësimin e rreziqeve natyrore. Aktualisht GIS është bërë një sistem informacioni kryesor e mbizotërues, i specializuar në menaxhimin e të dhënave që kanë një komponent gjeografik apo hapësinor. GIS është përdorur për analiza të tilla si shfrytëzimi i lëndës drusore, mbrojtja e habitateve dhe planizimi i traseve të rrugëve pyjore.

Nga sa u përmend më lart, është e domosdoshme të dihet se hartat pyjore janë një pjesë e rëndësishme dhe e domosdoshme e planeve të  menaxhimit si dhe të planifikimit të territorit. Deri pak kohë me parë, këto harta janë përpunuar mbi bazamentin topografik kryesisht në shkallët 1:25000 dhe 1: 10000, në mënyrë manuale. Përveç pasaktësive të ndryshme, kohës relativisht të gjatë të përpunimit, numri i kopjeve të disponueshme ka qenë i limituar, gjë që vështirësonte mjaft sigurimin e tyre për qëllime pune e studimi.

Teknologjia GIS përveçse mjaft e saktë, krijon mundësinë e realizimit dhe publikimit në një kohë mjaft të shkurtër dhe në një numër të pakufizuar kopjesh të hartave tematike pyjore.  Tradicionalisht në planet e menaxhimit, përgatiteshin një numër i kufizuar tipe të hartave tematike pyjore e konkretisht, harta e përbërjes llojore dhe harta e planifikimit të punimeve.

Me anë të teknologjisë GIS, krijohet mundësia e realizimit të një shumëllojshmërie hartash tematike, si psh, harta e tipit të tokës, harta gjeologjike, harta e shoqërimeve bimore, harta e përdorimit të tokës (land use), harta e llojeve kryesore, etj.

Metoda klasike e hartimit të planeve të menaxhimit nuk të jep mundësinë e monitorimit dhe pasqyrimit dinamik të ndryshimeve të shumëllojshme që ndodhin në territorin e ekonomisë pyjore. Teknologjia GIS krijon një komoditet të lartë në përcaktimin e menjëhershëm dhe aq më tepër në pasqyrimin e këtyre ndryshimeve, pra në përditësimin periodik të të dhënave të databazës së planit të menaxhimit.

Në planifikimet e ndryshme territoriale dhe menaxhuese të ekonomisë pyjore teknologjia GIS në sajë të lidhjes ndërmjet databazës hartografike dhe asaj përshkruese (të atributeve), krijon mundësinë e marrjes së informacionit të nevojshëm në mënyrë momentale duke klikuar në nënngastrën e kërkuar.

Gjithashtu teknologjia GIS të krijon mundësinë e analizave një apo shumëfaktoriale duke automatizuar procesin e vendim-marrjes, si procesi final i planeve të menaxhimit nëpërmjet krijimit në këtë mënyrë të sistemeve eksperte.

 

Astrit Muça

Na Ndiqni në: