Hipotermia, rreziku i madh për ngordhjen e qengjave apo kecave që mbahen në mjedise të ftohta dhe me lagështi

Temperaturat e ulëta që kanë mbërthyer vendin tonë gjatë ditëve fundit, na sjellin në kujtesë dhe kujdesin që duhet të tregohet për të vegjlit e sapolindur (për bagëtitë e imta). Në situata të tilla është e domosdoshme të respektohen disa masa shtesë, të cilat pavarësisht shpenzimeve, shoqërohen me shpërblim pasi shpëtohen jetë të kafshëve të sapolindura. Në vijim mund të lexoni dhe të njiheni me disa nga momentet më të rëndësishme sa i takon masave shtesë në ditë të tilla me temperatura të ulëta, për të rritur sa më mirë qengjat e kecat e ardhur në jetë dhe për të ulur sa më shumë ngordhshmërinë e tyre. Ngordhshmëria e qengjave apo kecave është pjesa më e trishtueshme për fermerët që mbarështojnë bagëti të imta. Pas planifikimit, shpresës dhe punës njëvjeçare për të fituar sa më shumë, është e kuptueshme që çdo qengj apo kec që ngordh shpejt pas mbërritjes në jetë, është një humbje dhe një vrasës i fitimit. Shumëkush mund të ketë përjetuar apo vërejtur dëshpërimin në sytë e fermerëve kur shikojnë qengja apo keca të ngordhur dhe më keq akoma, duke i numëruar ato. Askush nuk ndihmon në momente të tilla për dëmin dhe fermerëve do t‘u duhet të presin një vit tjetër për të kompesuar humbjen.

Çfarë duhet të dimë rreth ngordhshmërisë së qengjave apo kecave?

Mesatarisht 20–25 % e të gjithë qengjave apo kecave të lindur nuk arrijnë dot kurrë të kapin vetë gjirin. Në këtë shifër nuk ka ndryshim të madh (në mesatare) në zona dhe tufa të ndryshme. Qengjat dhe kecat e sapolindur kanë nevojë për energji në orët e para të paslindjes për të mbijetuar dhe kjo mund të merret vetëm nga kulloshtra dhe qumështi i nënave të tyre. Qengjat apo kecat e sapolindur kanë rezerva të ulëta të energjisë. Ato llogariten deri afro 3% të peshës trupore në krahasim me kafshët e rritura që kanë rezerva energjitike nga 10 deri në 15% të peshës së trupit. Qengjat apo kecat e sapolindur kanë sipërfaqe më të madhe në kontakt me mjedisin për njësinë e peshës trupore, gjithmonë krahasuar me kafshët e rritura. Mbulesa me qime e lëkurës në qengjat apo kecat e sapolindur e ka izolimin e dobët në shumë raca. Në rastet kur lëkura mbetet e lagësht dhe nuk thahet mirë dhe shpejt paslindjes, rritet shumë humbja e nxehtësisë për shkak të avullimit.

Në qengjat e kecat e sapolindur, shumica e ngordhjeve që janë përshkruar si “ngordhje perinatale”, ndodhin në tre ditët e para. Pas kësaj periudhe ngordhjet janë të ulëta, afro 3–4%. Temperatura e trupit në qengjat apo kecat e sapolindur është 1°C më e ulët në të lindurit binjakë dhe kushtet e këqia të strehimit e ulin humbjen e nxehtësisë termike deri në 35 përqind. Pesha më e mirë në lindje (për të mbijetuar) për kafshët e sapolindura (tek dhe/ose binjakë) është 3.6-5.6 kg. Deri në 80% të të gjitha ngordhjeve në qengja apo keca (sidomos në lindjet binjake) ndodhin për shkak të kombinimit të urisë me uljen e temperaturës së trupit nga ekspozimi në mjedis të ftohtë. Uria dhe hipotermia janë padyshim të lidhura fort dhe në qengjat apo kecat e ngordhur për këto shkaqe nuk gjendet ushqim gjatë nekropsisë (janë me stomakun bosh). Ekspozimi në temperatura të ulëta i ngordh më shpejt qengjat apo kecat e dobët. Por edhe kafshët e shëndetshme mund të ngordhin nga të ftohtit në kushte stuhie me temperaturë nën 0°C, ose gjatë qëndrimit me temperatura të ulëta dhe në tokë të lagur.

Kafshët e sapolindura mundet të ngordhin dhe nga hemorragjia kur kafshët nëna kafshojnë dhe përtypin kërthizën ose bishtin e tyre. Të vegjlit që lindin me lëkurë të mbuluar mirë me qime kanë një shans më të mirë për të mbijetuar se ata që lindin me lëkurë me qime të rralla (p.sh, qengjat e racës Merinos). Delet apo dhitë e dobëta prodhojnë qengja apo keca të vegjël dhe që janë shumë të prirur për t’u sëmurur dhe ngordhur.

Temperatura e trupit në ditët e para pas lindjes si tregues për të paralajmëruar “ngordhjen” në qengja apo keca.

39-40 gradë oC – Qengjat apo kecat janë normalë dhe të shëndetshëm. 37-39 gradë oC – Qengjat apo kecat janë në rrezik dhe kanë nevojë për ushqim. Më poshtë se 37oC – Qengjat apo kecat janë në rrezik të madh dhe kanë nevojë për trajtim urgjent me ushqime energjitike dhe ngrohje. Injeksion me glukozë për të parandaluar ngordhjen nga uria. Për të sapolindurit që nuk janë ushqyer mirë me kulloshtër, për të shmangur ngordhjen nga të ftohtit, është e rëndësishme që atyre t’u jepet ushqim i pasur me energji përpara se të ngrohen, pasi ngrohja do të rrisë menjëherë kërkesën për lëndë ushqyese. Nëse ata nuk marrin energji lehtësisht të përvetësueshme mund të ngordhin më shpejt. Një injeksion me solucion glukoze si ushqim energjitik është me vlerë ta provoni. Pas trajtimit me solucione energjitike është mirë që të vegjlit të ngrohen duke i mbështjellë p.sh, me batanije dhe të vazhdohet të ushqyerit e tyre me kulloshtër.

 

Prof.Dr. Vangjel Ceroni
Pedagog në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare, Departamenti i Lëndëve Klinike, UBT.

Na Ndiqni në: