Dita e Tokës, 22 prilli, u kremtua edhe në Universitetin Bujqësor të Tiranës me aktivitete të cilat u ideuan dhe u zhvilluan për të risjellë në vëmendje problematikat mjedisore në vendin tonë dhe jo vetëm si edhe për të sensibilizuar e ndërgjegjësuar këdo për veprimet dhe masat që duhet të ndërmerren në mbrojtje të mjedisit dhe planetit Tokë.
Në aktivitetin e organizuar nga Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit dhe mbështetur nga UBT, mori pjesë edhe ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural Milva Ekonomi, stafi drejtues i UBT, FBM dhe të gjitha fakulteteve të tjera të këtij universiteti, pedagogë e profesorë dhe studentë. Ekpsertë të mjedisit dhe panelistë folën për domosdoshmërinë e bashkëpunimit në fusha e sektorë të ndryshëm që kanë të bëjnë me mjedisin, në mënyrë që masat që merren për mbrojtjen e tokës të jenë sa më efikase.
Ministrja e Bujqësisë dhe Zhvillimit Rural në fjalën e saj tha se prej firmosjes së marrëveshjes së Sofies në nëntor të vitit të kaluar, qeveria shqiptare është përpjekur që të hartojë politika mbështetëse, njësoj si vendet e BE-së për mbrojtjen e mjedisit, tokës dhe adresimit të ndryshimeve klimatike. ‘’Sot në parlamentin shqiptar çdo ligj, përpara se të miratohet analizohet në lidhje me adaptimin e objektivave të zhvillimit të milleniumit që ai mbështet”- u shpreh Ekonomi.
Më tej, ministrja e Bujqësisë përmendi disa prej problematikave që lidhen me ujërat, përmbytjet e shkaktuara nga lumenjtë, kryesisht në zonën qendrore, si lumi Erzen dhe Ishëm, si pasojë e mungesës së shtratit.
Ekonomi theksoi nevojën për studime shkencore në këtë drejtim, duke apeluar për bashkëpunim më të ngushtë të Universitetit Bujqësor të Tiranës me MBZHR-në.
Një sërë problematikash në këtë aspekt u vunë në pah edhe nga të dhënat e pregatitura nga Prof. Dr. Seit Shallari të cilat u prezantuan përpara të pranishmëve.
Dëmet që po i shkaktohen tokës në vendin tonë dhe pasojat që ato shkaktojnë u evidentuan edhe ne fjalën e mbajtur nga dekani i FBM, Prof. Dr. Ilir Kristo dhe Rektori i UBT-së, Prof. Dr. Fatbardh Sallaku.
Pjesë e rëndësishme e aktivitetetit ishte edhe mbjellja e pemës së ullirit në kopështin e universitetit, një simbolikë me rastin e Ditës së Tokës por edhe si një përqasje që i shkonte për shtat motos së kësaj dite në mbarë globin.