Profesor Xhelil Koleci (UBT): Vaksinimi është metoda më efikase dhe më efektive që njerëzimi ka zhvilluar ndonjëherë për të kontrolluar sëmundjet infektive

Universiteti Bujqësor i Tiranës në bashkëpunim me Ministrinë e Shëndetësisë në vend, i është përgjigjur pozitivisht fushatës së vaksinimit masiv si një ndër masat më të rëndësishme për të parandaluar përhapjen e COVID 19, duke përfshirë stafin akademik dhe atë administrativ por edhe studentet/ët. Ndër të gjithë pedagoget/ët dhe të gjithë të tjerët, pa asnjë mëdyshje iu bashkua fushatës së vaksinimit edhe Xhelil Koleci, Profesor në UBT dhe pjesë e Departamentit të Shëndetit Publik Veteriner në FMV. Në pyetjet drejtuar mjekut veteriner, ai tregon se përse zgjodhi të vaksinohet, çfarë mendon ai për teoritë konspirative në lidhje me vaksinimin, përse duhet të vaksinohemi etj.

 

 

  1. Profesor, ju jeni vaksinuar me dy dozat e vaksinës anticovid (AstraZeneca). Si u ndjetë, a patët probleme (efekte anësore) pas injektimit të dozave përkatëse?

 

Në fakt jam vaksinuar “tre” herë, sepse jam prekur nga Covid -19 në korrik të vitit 2020 (“vaksinimi”natyral) dhe më pas jam vaksinuar me dy dozat e vaksinës. Paradoksalisht, ne infektohemi për t’u mbrojtur. Pra, në terma më të thjeshtë vaksina është një material biologjik i huaj mbi të cilin organizmi vepron për ta neutralizuar atë. Rrjedhimisht, në këtë “lojë’’ organizmi mëson për t’u përshtatur, duke manifestuar disa shenja të lehta si ethe, dhembje muskujsh dhe të vendit të injektimit. Unë kam patur efekte shumë të lehta pas vaksinimit të parë, ndërsa në vaksinimin e dytë ato kanë qenë të përfillshme. Megjithatë, di raste (nga rrethi i afërt familjar) ku efektet anësore pas vaksinimit kanë qenë deri të moderuara, të cilat kanë persistuar për 1-2 ditë, por në asnjë rast të rënda.

 

 

  1. Kishit dilema/dyshime para se të merrnit një vendim të tillë për t’u vaksinuar, në një kohë që në mbarë botën (edhe në vendin tonë) ka patur dhe ka teori konspirative për efikasitetin apo jo të saj?

 

Përgjigjia është e drejtëpërdrejtë dhe e sinqertë: Jo! Disponimin e vaksinës e kam pritur me padurim. Personalisht jam pro vaksinimit, natyrisht respektoj mendimin kundër, duke mirëkuptuar edhe ata që janë kundër vaksinimit. Dua të nënvizoj se ka mjaftueshëm evidenca dhe argumenta që mbështesin përdorimin e vaksinave, si mjeti më efektiv për të parandaluar sëmundjet infektive, përfshirë edhe COVID-19.

Nga ana tjetër nuk ka asnjë vaksinë pa efekte anësore, por avantazhet e vaksinimit janë dhjetra e ndoshta qindra herë më të mëdha, krahasimisht me pasojat e padëshirueshme. Vaksina e përdorur kundër sëmundjes së lijës së njeriut mundësoi çrrënjosjen globale të saj. Megjithatë, nga 14,168,000 të vaksinuar në SHBA, janë regjistruar 566 raste komplikacionesh të rënda dhe 9 persona kanë vdekur.

Studimet tregojnë se nëse prekemi nga COVID-19 më parë dhe nuk jeni vaksinuar, rreziku për t’u ri-infektuar është mbi dy herë më i lartë, krahasuar me ata që janë infektuar dhe janë vaksinuar.

 

  1. Përse vendosët të vaksinoheshit?

 

Mendoj se ka tre arsye pse duhet të vaksinohemi: për të mbrojtur veten nga infektimi/ri-infektimi, për të mbrojtur të afërmit, kolegët, studentët e gjithë komunitetin si dhe për të kontribuar në reduktimin e ndikimeve shëndetësore, sociale dhe ekonomike të pandemisë COVID-19. Ka një lidhje korrelative pozitive midis normës së vaksinimit dhe mundësisë së shpërthimeve epidemike, duke zvogëluar nevojën për masa shtërnguese, si izolimi dhe kufizimet e udhëtimit.

Edhe unë, ashtu si edhe kolegët e mi brenda dhe jashtë vendit, besojmë dhe e konsiderojmë COVID-19 një sëmundje të rrezikshme dhe mjaft të vështirë për ta kontrolluar. Si për çdo sëmundje zoonotike emergjente, ka shumë të panjohura dhe mjetet në dispozicion për mjekim, kontroll apo parandalim janë të pakta. Kam bindje të plotë që vaksina përbën mjetin e duhur, por jo të vetëm për të mbrojtur individin dhe popullatën nga sëmundja klinike dhe sidomos format e rënda e fatale të saj. Për më tepër, prekja nga sëmundja ishte një eksperiencë e padëshirueshme, të cilën nuk dua ta kaloj më vetë dhe nuk ja dëshiroj askujt tjetër, por theksoj se është shumë e vështirë mbrojtja ndaj ekspozimit.

Personat që e kalojnë sëmundjen kanë njëfarë niveli imuniteti, por nuk dihet se për sa kohë zgjat mbrojtja. Ndërkohë, pranohet dhe është evidentuar se niveli i imunitetit të nxitur nga vaksinat pas kalimit të COVID-19, është dukshëm më i lartë se niveli i imunitetit të atyre që kishin COVID-in dhe nuk janë vaksinuar pas kalimit të sëmundjes.

 

  1. Ju jeni një ndër profesorët e njohur të FMV dhe kërkues shkencor njëkohësisht, ndaj le të themi se si pjesë e shkencave mjekësore dini shumëçka ose mjaftueshëm për vaksinat, ndoshta edhe për ato të kohëve të fundit për/rreth covid. Sa i besoni vaksinave?

 

Personalisht, si mjaft kolegë të tjerë, kam eksperiencë në kryerjen e vaksinimeve në kafshë e shpendë. Gjatë 35 specializime apo edhe mw shumw të kryera në fakultetet më të mira të Mjekësisë Veterinare Perwndimore kam pasur fatin të njoh dhe tw bashkëpunoj me figura eminente botërore në fushën e kontrollit të sëmundjeve infektive. Për më tepër në vizitat studimore në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare Dublin, Irlandë dhe gjatë studimeve të postdoktoraturës në Kolegjin Veterinar të Universitetit Kornell, Nju Jork, Amerikë, kam patur mundësinë të përfshihem në dizenjimin e epitopeve antigjenike, si përbërës potencialë vaksinash për agjentë të tillë, si Clostridium difficile, Mycobacterium paratuberculosis dhe Leptosipra spp. Aktualisht, në kuadër të projektit HORIZON 2020, bëj pjesë në një grup kërkimor të udhëhequr nga Instituti Pirbright të Anglisë, që synon prodhimin e një vaksine për dermatozën nodulare të gjedhit. Gjithashtu, kam qenë pjesë e programit të trajnimit të mjekëve veterinarë të fushatës së vaksinimit kundër brucelozës në Shqipëri. Kam kryer studime mbi nivelin e përgjigjes imunitare, monitorimin postvaksinal si edhe vlerësimin e strategjive të kontrollit të sëmundjeve infektive, mbështetur në vaksinimin masiv të popullateve të kafshëve.

Njohuritë teorike, puna kërkimore dhe eksperienca në terren, më jep konfidencë për të gjykuar mbi vaksinat dhe programet e vaksinimit.

Vaksinat aktuale kundër COVID-19 janë të tipeve të ndryshme: vaksina të inaktivuara, virus vektor vaksina (AstraZeneca, J&J) dhe vaksina me ARN mesazhere.

Vektor vaksinat bazohen në përdorimin e adenovirusëve apatogjenë (Adenovirus i shimpanzesë (AZ) që nuk prek njeriun apo Adenovurusin apatogjen human (J&J)), për të bartur informacionin për sintezën e proteinave sipërfaqësore të njohur si spike-protein e koronavirusit. Vaksinat Pfizer, BioNTech dhe Moderna, bazohen në mARN që mbart informacionin gjenetik për sintezën e proteinës sipërfaqësore koronavirale. Këto struktura antigjenike (proteina) shërbejnë si sinjale për qelizat e sistemit imunitar (qeliza dendridike, makrofagë, limfocitet T dhe B, CD8+, CD4+), duke nxitur të dyja armët e imunitetit: imunitetin qelizor dhe atë humoral. Pra, roli i vaksinave është të “mësojë, stërvisë, trainojë“ sistemin imunitar, për të reaguar specifikisht, shpejt, me efikasitet dhe në nivel të lartë në rast ekspozimi ndaj koronavirusit.  

Në dijeninë time, nuk ka mjet më të mirë se vaksina për parambrojtjen dhe kontrollin e sëmundjeve infektive. Megjithatë, nuk është prodhuar dhe nuk mendoj që do të prodhohet ndonjë vaksinë ideale.

Vaksinimi është metoda më efikase dhe më efektive që njerëzimi ka zhvilluar ndonjëherë për të kontrolluar sëmundjet infektive. Përmirësimet e mëdha në shëndetin e njeriut dhe kafshëve sidomos gjatë shekullit të XX kanë qenë, në një pjesë të madhe, rezultat i zhvillimit të vaksinave efektive. Çrrënjosja (zhdukja/erradikimi) në shkallë globale e lisë tek njerëzit dhe e murtajës së gjedhit, janë shembulli më domethënës dhe rezultati i drejtpërdrejtë i fushatave efektive të vaksinimit.

  1. A mendoni se ky virus (Corona) që ka shkaktuar këtë pandemi botërore me pasoja fatale për mijëra njerëz, mund ta ‘’frenojë’’ disi ose ta parandalojë përhapjen e tij, apo edhe të minimizojë pasojat katastrofale për të infektuarit me Covid 19, nwse vaksinohemi tw gjithw?

Po, vaksinat dhe vaksinimi masiv përbën kushtin bazë për shuarjen e epidemisë, sepse rrit përqindjen e individëve me imunitetit mbrojtës në popullatë. Historia e vaksinimit fillon para afro 2.5 shekujsh. Megjithatë, të dhënat e imunitetit mbrojtës janë shumë më të hershme dhe datojnë që nga viti 430 para Krishtit, kur historiani grek Thucydides duke përshkruar murtajën e Athinës (me shkakësi të panjohur) vuri re “…  që askush nuk u kap nga sëmundja dy herë, ose nëse ndodhi, rasti i dytë nuk ishte kurrë fatal.” Diku para shekullit të pesëmbëdhjetë, kinezët gjithashtu vërejtën se individët e shëruar nga lija nuk u prekën kurrë për herë të dytë.

Vaksina mbron individin që vaksinohet por jo vetëm. Në shkencën e epidemiologjisë njihet një term që shënohet R0 (R zero), i cili nënkupton numrin mesatar që një individ i infektuar mund të transmetojë infeksionin në individë të tjerë. Natyra e SARS -CoV-2 ende ka të panjohura, megjithatë dihet fakti që ai nuk ka aftësi të qëndrojë gjatë në mjedis. E vetmja mënyrë për të mbijetuar koronavirusi është “përpjekja e tij“ për të siguruar kalimin e shpejtë nga njëri individ në një tjetër. P.sh. përshtatshmëria e virusit për t’u shumëzuar në rrugët e sipërme respiratore, rrjedhimisht rrit shumë kontagiozitetin (tipikisht variantet delta, Omicron etj.), duke prekur edhe grupmoshat e reja që fillimisht treguan një farë rezistence apo tolerance ndaj tij. Kjo sjellje epidemiologjike bashkë me variancën e kontakteve të individëve në popullatë ka shkaktuar rritjen e R0. Sa më e madhe R0 aq më përhapës agjenti patogjen, aq më kontagioze sëmundja aq më e lartë duhet shkalla e mbulimit të popullatës me vaksinë. Nëse pjesa e popullatës të imunizuar është mbi 80% ndërpitet epidemia (Ro e barabartë me 5). Përllogaritjet për shtamet që qarkulluan në fillim të pandemisë tregonin se R0 ishte 2.5-4, fakt që kërkonte një mbulim vaksinal nga 60 -75%, ndërsa shtami delta ka një R0 mesatare 8, ndaj për ndërprerjen e epidemisë kërkohet një popullatë immune rreth 88%. Vaksinimi i plotë përbën kushtin primar më të shpejtë dhe më efikas për ndërprejen e epidemisë. Sa më shpejt të arrihet mbulimi vaksinal aq më shumë zvoglohen shanset për krijimin e varianteve të rinj.

 

  1. Keni patur të njohur në rrethin tuaj familjar apo shoqëror që kanë vuajtur pasojat e rënda të Covid dhe nuk ishin vaksinuar? Nëse po, mendoni se mund ta kishin përjetuar më lehtë sëmundjen po të ishin vaksinuar?

 

Fatkeqësisht edhe unë si shumë të tjerë kam përjetuar raste të rënda e madje humbje jetësh nga sëmundja COVID-19, që nga të afërm, kolegë mjekë veterinerë, ish mësues e profesorë dhe me këtë rast, dua të shpreh ngushëllimet më të ndjera të gjithë familjarëve e të afërmve të tyre. Të gjitha këto raste i përkasin kohës kur vaksinat nuk disponoheshin. Periodikisht, njoh pacientë të infektuar pas vaksinimit, por vetëm njëri prej tyre që kishte marrë vetëm një dozë vaksine, ka manifestuar formë të rëndë të sëmundjes. Të gjithë rastet e tjera, madje edhe në mosha të avancuara e me sëmundje shoqëruese kanë kaluar forma të lehta deri mesatare pas infektimit.  

 

  1. Keni ndonjë koment për ata që e refuzojnë kategorikisht injektimin e vaksinës në trupin e tyre?

Të dhënat tregojnë se ekzistojnë dy kategori personash që nuk vaksinohen, një pjesë që hezitojnë dhe ata që refuzojnë të vaksinohen. Respektoj mendimet e secilit, përfshirë edhe të atyre kundër vaksinimit. Megjithatë, dua të theksoj disa fakte që i besoj dhe mendoj të merren si aksioma:

  • Nëse mjekësia dhe sistemi shëndetësor është një nga arritjet e pamohueshme e njerëzimit, vaksinat dhe vaksinimi përbëjnë një nga mrekullitë më të mëdha në fushën e kontrollit të sëmundjeve infektive. Nuk ka asnjë vaksinë apo medikament që të mos ketë asnjë efekt anësor, apo zero risk. Vaksina është material biologjik i huaj për organizmin dhe si i tillë, ky kundërvepron duke aktivizuar sistemin imunitar. Në individë të ndryshëm, reagimi imunitar mund të jetë përtej normës dhe gjithmonë ekziston një risk për efekte anësore.
  • Përfitimet nga vaksinimi janë absolutisht shumë shumë herë më të larta se efektet anësorë të padëshirueshme.
  • Risku i formave të rënda në grup-moshat e reja është më i lartë se risku i efekteve anësore të vaksinave të aprovuara nga FDA dhe EMA. Teoria se grup mosha të ndryshme kanë risk më të vogël për të vuajtur episode të rënda të sëmundjes, ka ardhur duke u kufizuar në terma të përgjithshëm. Risku për forma të rënda ekziston në secilën moshë, natyrisht me diferenca.
  • Arritja e imunizimit të popullatës përtej nivelit kritik, mundëson edhe ndërprerjen e epidemisë (jo eliminimin e rasteve të sëmundjes). Rritja e shkallës së mbulimit vaksinal të popullatës, jo vetëm mbron pjesën e vaksinuar por edhe ato që nuk janë vaksinuar.
  • Imuniteti i grupit ose kolektiv (që njihet edhe si imuniteti i tufës) e drejton epideminë drejt një gjendje endemike e deri me shfaqje sporadike, ku incidenca bie në nivele të menaxhueshme nga sistemi shëndetësor.
  • Bazuar në njohuritë më të arrira shkencore, strategjia e vaksinimit ka përbërë dhe do të përbëjë elementin më të rëndësishëm për kontrollin e epidemive dhe madje për eliminimin e çrrënjosjen e tyre.

 

  1. Jeni pro apo kundër fushatës së vaksinimit të detyrueshëm?

 

Para së gjithash dua të tjeksoj se ekspertiza ime është teknike, ndaj dhe të gjitha mendimet e mia mbështeten në të dhëna shkencore dhe bindje profesionale, por në asnjë rrethanë nuk mund të gjykoj për aspekte ligjore apo të së drejtës.

Profesionalisht sygjeroj që vaksinimi t’ju mundësohet të gjithë individëve në risk. Teknikisht, disa individë në popullatë nuk mund të vaksinohen për arsye shëndetësore, ndërsa një pjesë tjetër, për shkaqe të njohura e të panjohura nuk përgjigjen ndaj vaksinimit. Fatkeqësisht këtyre individëve iu shtohen edhe grupi që refuzon vaksinimin, duke e rritur pjesën e popullatës të pambuluar me mbrojtje imunitare. Masa më efikase për të ndërprerë transmetimin në terma epidemikë  është vaksinimi, por që ai të jetë efikas, duhet që mbulimi vaksinal të jetë sa më i lartë, idealisht 100%. Asnjë epidemi nuk është kontrolluar apo mund të kontrollohet bazuar vetëm në një strategji të vetme, sado e mirë të jetë ajo, qoftë edhe vaksinimi. Prandaj duhen edhe masa të tjera si izolimi i individëve të sëmurë, mbajtja e maskës, zbatimi i masave higjienike, etj.

Për më tepër, edhe sistemi shëndetësor sado i zhvilluar të jetë, nuk mund ta frenojë aq më pak ta çrrënjosë një infeksion. Prandaj duhen inkurajuar të gjithë aktorët e shoqërisë për të vepruar bashkarisht për kontrollin e kësaj pandemie të rrezikshme. Mund të veçoja, përfshirjen e sociologëve në studimin e sjelljes së grupeve shoqërore dhe dhënien e mesazheve teknike e profesionale në një mënyrë sa më të qartë e të zbatueshme prej individëve të shoqërisë.  

Vaksinat janë të papërsosura dhe kurrë nuk janë 100% efektive  edhe nëse administrohen siç duhet, ato nuk do të nxisin imunitet në të gjithë individët që vaksinohet. Kjo thjesht reflekton variacionet biologjike brenda popullatës së vaksinuar. Arsyet pse vaksina mund të dështojë për të mbrojtur mund t’i atribuohen faktorëve të ndryshëm që lidhen me vaksinën, vaksinuesin ose me organizmin që vaksinohet.

Nëse do t’a përmbledhim, përgjigja do të ishte: vaksinim, mbajtja e maskës, zbulimi i individëve të infektuar dhe izolim i tyre, zbatim masash higjienike, ndërgjegjësim e masa të tjera parambrojtëse.   

 

  1. Do ta bëni dozën e tretë të vaksinimit nëse do jetë e nevojshme për ju?

 

Po, patjetër menjëherë sapo të jetë e disponueshme, sepse thyerja e imunitetit është një fenomen i njohur. Vaksinat stimulojnë një nivel mbrojtjeje të caktuar, por nëse biem në kontakt me doza të larta agjentësh bakterialë e viralë, ose me shtame të tyre shumë virulente, duhet një imunitet i përforcuar, të cilin e siguron një dozë e tretë.

Natyrisht preferoj vaksina të gjalla (Pfizer BioNTech, Astra Zeneca, etj), pasi ato nxisin si imunitetin e ndërmjetësuar nga antitrupat edhe atë nga qelizat imunitare.

Si virus me ARN, SARS-CoV-2 pëson mutacione të shpeshta të cilat nuk parashikohen, por mund të njihen e studiohen. Këto mutacione mund të jenë në nivele të driftit antigjenik (imuniteti nga vaksinat është efikas) apo në nivel të shiftit antigjenik (mbrojtja vaksinale reduktohet, madje mund të mos jetë aspak efektive). Prodhuesit e vaksinave monitorojnë këto ndryshime dhe përpiqen të reflektojnë e përshtasin strukturat antigjenike të vaksinave me shtamet që qarkullojnë në terren.

Eksperienca dhe njohuritë e mia shkencore, mbështeten indenë se përgjigja imunologjike ndaj dozës së dytë e në vazhdim është më e shpejtë, më e fuqishme dhe më efikase. Kujtesa imunologjike është reale, ndaj shumica e njerëzve ose kafshëve preken nga shumë sëmundje infektive vetëm një herë, ndoshta kur ndodh në mosha të reja, mbrojtja e tyre e mëvonshme mund të vazhdojë për pjesën tjetër të jetës. Kjo i atribuohet qelizave të kujtesës afatgjatë. Një individ mund të zhvillojë me të vërtetë kujtesën imunologjike, e cila mund të forcohen nga ekspozimi I vazhdueshëm I tij ndaj atij agjenti. P.sh. fruthi tek njeriu, mendohej se një infeksion i vetëm nxit imunitet të përjetshëm. Kur fruthi ishte një infeksion i zakonshëm dhe qarkullonte shpesh në popullatë, individët ekspozoheshin me virusin në mënyrë të përsëritur dhe imuniteti i tyre përforcohej pa e kuptuar se ishin ri-infektuar. Meqenëse në ditët e sotme fruthi është një sëmundje e rrallë, kështu që kujtesa imunologjike nuk është e përjetshme. Prandaj, për të ruajur imunitetin dhe kujtesën imunitare  rekomandohet rivaksinimi.

 

  1. Po familjarët tuaj janë vaksinuar?

 

Po, të gjithë pa asnjë përjashtim. Ka qenë një çlirim real për mua, kur prindërve iu mundësua vaksinimi. E kam patur shqetësim, sidomos kur u preka nga sëmundja, mos do isha unë shkaku i transmetimit, por fatmirësisht nuk ndodhi. Në dijeninë time unë nuk kam shërbyer si burim përhapjeje për asnjë person tjetër, zbatova shumë rigorizisht vetizolimin para fillimit të shenjave klinike. Fëmijët, vëllezërit dhe rrethi tjetër familjar e shoqëror janë vaksinuar, duke na mundësuar edhe organizimin e ceromonive të ndryshme familjare. Pa dyshim, secili që më ka pyetur, i kam rekomanduar të vaksionohen dhe si shembull i kam sjellë veten, familjen, prindërit etj.

 

  1. Shkencërisht (për skeptikët e vaksinimit), cfarë i shkakton ose jo një vaksinë trupit të njeriut?

Vaksinat kanë në përbërje struktura antigjenike të ngjajshme me ato të virusit, që nxisin sistemin imunitar për të prodhuar antitrupa neutralizuese ndaj virusint, si dhe qeliza me aftësi specifike që vrasin virusin dhe qelizat e infektuara. Krahas kësaj, vaksinat nxisin qelizat imunitare të memories të cilat “memorizojnë” strukturat antigjenike të virusit, duke përgatitur sistemin imunitar për një përgjigje imunitare specifike më të shpejtë, më të fortë dhe më efikase në rast ekspozimi. Çdo ekspozim sekondar natyral apo artificial (rivaksinim), siguron një përgjigje më të mirë e më të balancuar, duke mundësuar një formë më të lehtë të sëmundjes në rast infektimi apo një përgjigje imunitare më të fortë, të balancuar, efikase dhe më të zgjatur.

Vaksinat mund të shkaktojnë tek subjekti i vaksinuar disa efekte anësore. Efekti anësor më i zakonshëm është dhimbja në vendin e injektimit, ndërsa efektet e tjera përfshijnë lodhje, dhimbje koke, dhimbje muskujsh, të dridhura, dhimbje kyçesh dhe tek disa edhe nause. Komplikacione të rënda si miokardite dhe fenomene të nxitjes së koagulopative janë shumë të rralla dhe njohuritë shkencore mundësojnë edhe trajtimin e tyre duke minimizuar dukshëm raste fatale.

 

 

  1. Po për të rinjtë (kryesisht studente/ë që tashmë i janë rikthyer auditoreve) c‘mesazh keni për t’i bindur ata se vaksinimi është në dobi të tyre, të atyre që i rrethojnë dhe mbarë shoqërisë në tërësi?

 

Personalisht besoj në shkencën mjekësore, në mikrobiologji, imunologji e vaksinologji. Studentëve do i këshilloja të mos i besojnë lajmeve të rreme dhe informacioneve pa baza shkencore. Pyetjet janë të drejta e të rëndësishme dhe marrja e përgjigjeve të duhura nga burime të besueshme, mund t’jua shtojë besimin tek vaksinimi. Duhet të flisni me mjekun e familjes, me njerëzit që njihni dhe që janë vaksinuar, duke mësuar gjithçka që mundeni për vaksinën kundër COVID-19, për të marrë vendimin më të informuar rreth vaksinimit.

Vaksinat e aprovuara kundër COVID-19 nxisin mbrojtje imunitare, por mbartin edhe riskun e disa efekteve të lehta anësore kalimtare. Ato nuk lidhen në ADN e të vaksinuarit dhe nuk ka asnjë evidencë për efekte në sferën riprodhuese dhe as efekte afatgjata. Komuniteti mjekësor i Universitetit Johns Hopkins pajtohet dhe mbështet fuqimisht rekomandimet e Qendrës për Kontrollin e Sëmundjeve (CDC) dhe organizatave të tjera. Ato rekomandojnë që të gjithë individët shtatzënë ose me fëmijë në gji, së bashku me ata që duan të mbeten shtatzënë, të vaksinohen kundër COVID-19.

Njerëzit hezitojnë të vaksinohen kundër COVID-19 për shumë arsye; nga pikëpamjet personale dhe frika, deri te problemet logjistike për të shkuar në vendet e vaksinimit. Pritja shumë e gjatë për t’u vaksinuar, lejon vazhdimin e përhapjes së koronavirusit në komunitet, me variante të reja që shfaqen. Covid-19 mund të jetë shumë i rrezikshëm, prandaj sa më shpejt të vaksinoheni, aq më shpejt do të mbroheni. Prindërit, gjyshërit dhe ata me sëmundje kronike (si sëmundjet kardiake e diabet) kanë më shumë gjasa të përjetojnë raste të rënda, madje edhe fatale të COVID-19. Sa më shumë njerëz që vaksinohen, aq më shpejt njerëzit në risk do të ndihen të sigurtë mes jush. Gjithashtu, duke qenë se çdo infeksion COVID-19 i jep koronavirusit një shans për mutacion, vaksinimi ndihmon në parandalimin e varianteve. Më shumë vaksinime kundër COVID-19 do të thotë një shans më shumë për t’u rikthyer në normalitet.

 

Na Ndiqni në: