stevepb - www.pixabay.com

Informacioni kontabël dhe financiar bujqësor – problemet dhe sfidat

Mbajtja e të dhënave kontabile dhe financiare është sa problematike aq edhe sfidë e zhvillimit të qëndrueshëm rural në vendin tonë. Procesi bëhet kompleks nisur nga shumëllojshmëria e aktiviteteve të shfrytëzimit bujqësor, blegtoral, agropërpunues, në agroturizëm dhe kombinimeve të mundshme. Nëse në këndvështrimin e shpejtë të dhënat e evidentuara në pasqyrat financiare nevojiten për të evidentuar përgjegjësitë tatimore, në realitet nevojat lidhen me ballafaqimin e treguesve financiarë si me rezultatet e mëparshme ashtu edhe për të ndërtuar planet e pritshme në horizonte kohore të ndryshme. Huadhënësit janë veçanërisht të interesuar të njohin shëndetin financiar të njësive ekonomike bujqësore për t’ua besuar huanë e kërkuar prej tyre për nevoja financimi të ciklit të prodhimit bujqësor dhe blegtoral apo agropërpunues. Ata ndeshen me mungesa të dokumentacionit dhe të kulturës financiare, prandaj shpesh hezitojnë të ofrojnë shërbimet dhe produktet e tyre financiare sepse duhet të marrin përsipër rrisqe të larta dhe pasiguri. Pa njohjen dhe përpunimin e informacionit kontabël dhe financiar nuk mund të merren vendime, nuk mund të krijohen partneritete të qëndrueshme dhe të besueshme financiarisht mes njësive ekonomike bujqësore dhe institucioneve financiare bankare ose jo, prandaj vlerësimi i saktësisë dhe transparencës kontabile dhe financiare i shërben vetë biznesit dhe lidhjeve biznes – bankë. Informacioni kontabël dhe financiar është instrument bazë për të evidentuar kapacitetet lidhur me plotësimin e kritereve për të përfituar nga skemat financuese. Këto marrëdhënie mbeten të rëndësishme në realitetin e bujqësisë shqiptare.

Veç të tjerave, theksojmë nevojën për të llogaritur vlerën e shtuar në hallkat ku krijohet si dhe sintetizimin më pas të vlerës së shtuar në nivel kombëtar nga veprimtaritë ekonomike në zonat rurale. Realiteti i këtyre të fundit ende lë shumë për të dëshiruar sa i takon zbatimeve të teknikave të regjistrimit të informacionit kontabël bujqësor dhe përpunimit të tij statistikor për qëllime analize, studimi dhe projeksioni strategjik vendimesh në të ardhmen. Praktikat kontabile janë pothuajse jo të pranishme tek fermerët e vegjël, me ligj ata nuk detyrohen të dorëzojnë pasqyra financiare. Ndërkohë që informacioni sot mund të mbahet lehtësisht nga software të specializuar dhe çdo aktor ekonomik i madh apo i vogël mund të shfrytëzojë teknologjinë numerike. Pa patur bazë të kontabilitetit bujqësor nuk mund të bëhet fjalë për drejtim financiar të aktiviteteve të fermerëve, jo vetëm për të parë produktivitetin financiar ose rentabilitetin e tyre, por edhe shkallën e varësisë financiare nga borxhi, ndërtimin e planeve financiare për të ardhmen dhe argumentimin e tyre, por edhe evidentimin e efikasitetit të mbështetjes financiare në formën e subvencioneve.

Në eksperiencën e vendit tonë mund të dallojmë tri periudha historike të mbajtjes së të dhënave kontabël në bujqësi:

a) Para Luftës së Dytë Botërore, nëse i referohemi të dhënave nga kërkimi arkivor, gjenden pasqyra financiare të prodhuesve të veçante, shpesh të shkruara në gjuhën italiane (periudha pas shpalljes së pavarësisë në përgjithësi) ku spikasin tabetat e ndara në « dare » dhe « avere », që në kontekst të specializuar do të përfaqësonin mjetet apo përdorimet dhe burimet korresponduese e që të krijojnë menjëherë ndjesinë e zbatimit të rregullave nga përvoja e huaj kontabile, në rastin konkret italiane.

Po perafrazoj profesorin tim të nderuar të kontabilitetit, Prof. Dr. Leandro Haxhi për periudhën që po citoj:

« Në vendin tonë edhe para fillimit të shekullit të kaluar, jo vetëm në periudhën e ekonomisë së centralizuar por edhe shumë kohë para saj është shkruar dhe është mbajtur kontabilitet. Patrioti dhe Rilindasi Jani Vreto që në vitin 1889 në librin e tij “RADHUESHKRONJË” shtypur në shtypshkronjën “Dituri” në Bukuresht, ka shkruar për nevojën e mbajtjes të hesapeve të mara e të dhëna. Ja si shprehet ai që në fillim: “Radhueshkronja thuhet të shkruarit e të dhënave dhe e të marrave në fletore a ndryshe libra që quhen rradhua. Po veçan Radhueshkronjë quhet mësimi i të shkruarit atyre mjeshtërve që kurdoherë me pak punë në të shkuar të mund të dinë se ku gjenden. Radhueshkronja cdo njeriu që ka të dhëna e të marra i është i vyer, por tregtarëve u është që pa të s’bëhet. Ndaj tregtari që mban radhon të drejtë e të qëruarë, veç të mirës që siç thamë, kurdoherë mund të dijë se ku gjendet dhe të kanonisje punët e tij e të marrë përpara, fiton edhe nderin e të zënit besë, si njeriu që ka punët e tij të drejta dhe të qëruara prej njerëzisë që duhet, lë edhe trashëgonjësit kur të vdesë”.

Në vijim, në këtë libër, autori ka hartuar ditarin për gjendjen, për të marrat dhe të dhënat e mjeteve monetare (grosh). Kontabilitet, madje dhe duke zbatuar parimin e rregjistrimeve të dyfishta, është mbajtur që në kohën e sundimit otoman. Po kështu, sot në arshivat tona gjenden bilancet e periudhës së qeverisë së Ismail Qemalit për shoqëritë vendase dhe të huaja që zhvillonin veprimtari në vendin tonë. Në periudhën e mbretërisë me ligj të posaçëm “Për Administrimin e Pasurisë dhe Kontabilitetin e Përgjithshëm të Shtetit” të datës 31 korrik 1928 dhe të miratuar me dekret të Mbretit Zogu i Parë në datën 28 maj 1929, janë sanksionuar në mënyrë moderne të gjitha problemet që lidhen me kontabilitetin, administrimin dhe sistemin e thesarit në vendin tonë. Më hollësisht, për sanksionimin me ligj të shumë problemeve financiare në këtë periudhë, shkruan edhe inspektori i përgjithshem i oborrit mbretëror Haxhi Shkoza në punimin e tij “Financat e Shqipnis” (1839- 1934)1.

b) Pas Luftës së Dytë Botërore transformimi i shoqërisë shqiptare dhe i sektorit të bujqësisë i nënshtrohet centralizimit të pronës dhe mjeteve të prodhimit si dhe ushtrimit të veprimtarive të ndërmarrjeve bujqësore dhe kooperativave bujqësore. Këto të fundit ndërtonin veprimtarinë e tyre ekonomiko-financiare mbi bazën e parimeve të caktuara mbi pronën e përbashket dhe zbatonin parimet në fuqi të kontabilitetit, specifikisht gjente zbatim edhe një plan i kontabilitetit bujqësor teknikisht shumë i detajuar sipas aktiviteteve dhe specifikave që burojnë nga vetë natyra e sektorit të bujqësis (më në detaje, artikulli i cituar më lart i Prof. Dr. Leandro Haxhi jep detaje të saktësuara dhe mjaft specifike me vlerë historike dhe njohëse, sidomos për brezat e të rinjve pas viteve 90-të që për qëllime të kërkimit shkencor duan të analizojnë specifikat e kontabilitetit dhe financës në modelin e centralizuar të ekonomisë.

c) Pas viteve 90, reformimi i kontabilitetit ndoqi rrugën e transformimeve institucionale rrënjësore të drejtimit të ekonomisë sipas parimeve të ekonomisë së tregut. Artikulli sintezë i Prof. Dr. Leandro Haxhi evidenton më së miri bazat ligjore dhe hallkat e transformimit për të gjithë të interesuarit. Por nëse transformimet janë të rëndësishme, gjejmë më pak vend për problematikën e informacionit kontabël dhe financiar për fermerët dhe aktorët e tjerë në bujqësi. Në fakt, institucionalisht ndërtimi i Standardeve Kombëtare të Kontabilitetit (SKK) ka sjellë risitë e tij duke përshtatur disa nga Standardet Ndërkombëtare të Kontabilitetit (SNK) dhe Standardet Ndërkombëtare të Raportimit financiar (SNRF). Sipas nenit 4 të Ligjit nr. 9228 datë 29.04.2004 « Për kontabilitetin dhe pasqyrat financiare », Ministria e Financave shpalli në vitin 2006, 14 SKK dhe detyrimin e tyre për t’u zbatuar nga 1 janar 2008. Konkretisht edhe SKK nr 13, i dedikuar për herë të parë me emërtimin “aktive biologjike”, bëhet i detyrueshëm. Aktualisht SNK 13 gjendet i përmirësuar dhe i emërtuar « Aktivet biologjike dhe marrëveshjet konçesionare ». SNK 13 buron nga përshtatja në SKK të International Accounting Standards (IAS) 41.

Tabela e mëposhtme evidenton evolucionin që IAS 41 ka pësuar ndër vite.

Tabela nr. 1 – Historia e IAS 41

Burimi: www.iasplus.com/en/standards/ias/ias41

Problemet kontabile dhe financiare të njësive ekonomike bujqësore i gjejmë pak të studiuara, sepse në përgjithësi ato vazhdojnë të karakterizohen nga informalitete, mungesa të pasqyrave financiare dhe të certifikatave të pronësisë. Si rrjedhim mbetet sfidë gjetja e rrugëve institucionale për gjetjen e zgjidhjeve. Në këtë kuadër Universiteti Bujqësor i Tiranës, specifikisht Departamenti i Financë-Kontabilitetit pranë Fakultetit të Ekonomisë dhe Agrobiznesit, duhet të udhëheqë zbatimin  metodologjik të specifikave të normave bashkëkohore kontabile dhe financiare pranë njësive ekonomike bujqësore, formimin dhe rritjen e kapaciteteve të tyre për organizimin e mbajtjes dhe përpunimit të informacionit kontabël dhe financiar, proces i cili duhet të jetë edhe në lidhje me institucionet kryesore si ministria e Bujqësisë dhe e Zhvillimit Rural dhe aktorë të tjerë institucionalë. Këshillimi financiar dhe nxitja e kulturës financiare mbetet instrument për të ndihmuar shumë përfaqësues të bizneseve bujqësore dhe agropërpunuese jo vetëm për të kuptuar problemet e brendshme, mundësitë dhe pengesat për zgjidhjen e tyre për të qënë më rentabël, por edhe për t’i ndihmuar ata që të krijojnë partneritete besimi me institucionet financiare.

Nga sa më sipër, realiteti i informacionit kontabël dhe financiar në njësitë ekonomike bujqësore evidenton emergjencën për një vëmendje dhe masa institucionale më të mëdha përsa i përket perspektivës së integrimit evropian. Eksperienca e vendeve të Bashkimit Europian (BE) na ballafaqon aktualisht me statistika të hollësishme të cilat ne nuk mundet ende t’i evidentojmë në nivel kombëtar, përjashtuar traditës së të dhënave statistikore si vjetari statistikor dhe disa anketa të specializuara në INSTAT. Vlen të theksohet edhe vetë transformimi që INSTAT reflekton në përvojën e tij institucionale duke përsosur informacionin siç është rasti i përafrimit gjithnjë e më shumë me kontestin e përllogaritjeve në BE. Aktualisht INSTAT evidenton “llogaritë rajonale që mbështeten në klasifikimin sipas rajoneve statistikore në nivel 1, 2 dhe 3 bazuar në Nomenklaturën e Njësive Territoriale për Statistikat (NUTS) të BE, formojnë një klasifikim të përbashkët, i cili përdoret për mbledhjen, zhvillimin dhe harmonizimin e statistikave në nivel rajonal, analizat socio-ekonomike të rajoneve dhe për shpërndarjen e fondeve strukturore për zhvillim. Ato sigurojnë një ndarje rajonale për agregatet më të rëndësishëm si vlera e shtuar bruto sipas degëve”. Por në kontekstin e bazave të përpunimit të treguesve financiarë nga sektori i bujqësisë në BE, po i referohem të dhënave të rrjetit të informacionit kontabël bujqësor që në në anglisht referohet Farm Accountancy Data Netëork (FADN).

Të dhënat e FADN mbështeten mbi parimet e kontabilitetit të harmonizuar dhe paraqesin informacione shumë të vlefshme duke mbuluar vetëm të dhënat e njësive ekonomike bujqësore apo shfrytëzimeve bujqësore të vendeve të BE, por që në bazë të madhësisë së tyre konsiderohen njësi profesionale. Ato grumbullohen mbi bazën e anketave dhe përpunohen sipas metodologjive të përcaktuara duke respektuar kriteret: rajon, madhësi ekonomike dhe tipi i shfrytëzimit.

Tabela nr. 2 – Shembull i zgjedhjes së treguesve për qëllime analize

Burimi : https://ec.europa.eu/agriculture

Në fakt FADN/RICA (ndërtuar në Francë nga vitin 1968) ndihmon shtetet e BE:

  1. Të analizojnë shumëllojshërinë e të ardhurave bujqësore duke treguar se nga formohen.
  2. Të kenë detaje për shpenzimet e prodhimit sipas prodhimit bujqësor apo blegtoral duke respektuar kontabilitetin e kostos.
  3. Të diagnostikojnë sektorin bujqësor në kontekstin ekonomik dhe financiar jo vetëm për të parë nivelin e eficiences së sektorit, por edhe për të përcaktuar stimujt agromjedisorë.
  4. Të përcaktojnë tregues domethënës lidhur me respektimin e kritereve agromjedisore.
  5. Të marrin vendimet e investimeve duke respektuar drejtimin e mjedisit (detajimi sipas kontabilitetit  të gjelbërt ndihmon procesin).
  6. Të argumentojnë zgjedhjet strategjike të politikave publike dhe buxhetore.
  7. Të analizojnë politikën e përbashkët bujqësore në vizionin e zhvillimit të qëndrueshëm duke respektuar kriteret ekonomike, sociale dhe mjedisore.

Sa me lart, mendoj se është emergjent përafrimi i vendit tonë me këtë rrjet por kjo kërkon performancë kontabile dhe financiare duke filluar nga njësitë ekonomike bujqësore. Pa statistika ekonomike dhe financiare cilësore, të besueshme dhe të sakta nga njësia bazë nuk mund të nxjerrim mësime nga analizat krahasuese, nuk mund të mbështesim analizat kërkimore – shkencore, nuk mund të ndërtojmë plane të gjykuara dhe të qëndrueshme si dhe nuk mund të pretendojmë sukses në procesin integrues në BE. Për rrjedhim, zbatimi dhe ndjekja e përsosjes së informacionit kontabël dhe financiar për një zhvillim të qëndrueshëm rural mbetet sfidë e konsiderueshme.

 

Prof. Dr. Magdalena Bregasi
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti Financë-Kontabilitet, UBT.

koment

  • Pershendetje !

    Esseja paraqet interes, por mendoj se praktikisht duhet ngritur nje berthame specialistesh te ekonomise dhe financave bujqesore per te ndertuar nje perqasje te praktikave kontable te BE dhe Botes, per t’i zbatuar ato ne kushtet e vendit tone. Duhen pare edhe praktikat e fqinjeve dhe te vendeve te pranuara rishtas ne BE…

  • Pergezime Magdalena per artikullin
    Duke kerkuar dicka per ecurine e FADN-se ne vendin tone, gjeta artikullin tend ne UB Green , te cilit sigurisht iu referova, (per ate pjese qe me duhej).
    Gjithe te mirat
    Tatjana Dishnica
    .

Na Ndiqni në: