Çfarë duhet të kuptoj kur lexoj Teknologjia e Përpunimit të Ushqimeve?

Teknologjia e përpunimit të ushqimit është një koncept që ka të bëjë me aplikimin e shkencës së ushqimit në përzgjedhjen, konservimin, përpunimin, paketimin, shpërndarjen dhe përdorimin e një ushqimi të sigurtë. Shkenca e ushqimit studion përbërjen fizike, biologjike dhe kimike të ushqimit, studion shkaqet e prishjes së ushqimit si dhe koncepte të përpunimit të ushqimit. Teknologët ushqimorë dhe studiuesit e ushqimit aplikojnë disiplina të tilla si; kimi, inxhinieri, mikrobiologji apo edhe aspektin ushqyes për të përmirësuar sigurinë ushqimore, vlerat ushqyese si dhe disponueshmërinë e ushqimit në çdo kohë.

A është ushqimi që unë konsumoj i ushqyeshëm?

Ushqimi është thelbësor në jetën e gjithësecilit. Ai siguron lëndë ushqyese jetësore për mbijetesë dhe ndihmon trupin të funksionojë dhe të mbetet i shëndetshëm. Ushqimi përbëhet nga makroelementë siç jane proteinat, karbohidratet dhe yndyrnat të cilat jo vetëm ofrojnë kalori për të furnizuar trupin dhe për t’i dhënë energji, por luajnë role specifike në ruajtjen e shëndetit. Ushqimi gjithashtu furnizon organizmin dhe me mikroelementë (vitamina dhe minerale) dhe fitokimikate që nuk japin kalori por shërbejnë për një sërë funksionesh kritike për të siguruar që trupi të funksionojë në mënyrë optimale. Ushqyerja është procesi me anë të të cilit trupi përdor ushqimin për rritjen dhe mbajtjen e tij të shëndetshëm. Objektivi i ushqyerjes është të nxisë rritjen dhe zhvillimin fizik mendor të qenies njerëzore, të ndërtojë dhe riparojë indet dhe qelizat e dëmtuara nga infeksionet, të sigurojë energji për kryerjen e punëve, të mbrojë organizmin e njeriut nga infektime apo çrregullime të ndryshme.

A janë cilësia dhe siguria ushqimore i njëjti koncept?

Shpeshherë konceptet “cilësi dhe siguri ushqimore” ngatërrohen me njëri-tjetrin. Edhe pse siguria dhe cilësia janë shumë të lidhura, ndërmjet tyre ka një ndryshim të madh. Siguria ushqimore mban të sigurtë shëndetin e konsumatorit ndërkohë që cilësia ushqimore mban konsumatorin të kënaqur. Siguria ushqimore i referohet aplikimit të praktikave dhe kushteve të mira gjatë pregatitjes, përpunimit apo ruajtjes së ushqimit, në mënyrë që të pengohet kontaminimi si dhe sëmundjet me burim ushqimin. Ushqimi i përpunuar sipas praktikave të sigurta, siguron që ushqimi nuk do të jetë një rrisk për shëndetin e konsumatorit. Cilësia e ushqimit i referohet veçorive dhe karakteristikave të një produkti ushqimor të cilat duhet të jenë:
• Të pranueshme nga konsumatorët dhe të përmbushin pritshmëritë e tyre
• Raporti çmim/cilësi brenda normave
• Përputhshmëri me specifikimet e kërkuara nga konsumatori
• Fitimprurëse për kompaninë

Cfarë është gjurmueshmëria e ushqimeve?

Gjurmueshmëria nënkupton aftësinë për të gjurmuar çdo ushqim apo çfarëdolloj substance e cila do të përdoret për konsum njerëzor përgjatë zinxhirit të tij prodhues edhe shpërndarës, për të identifikuar dhe adresuar rrisqet e mundshme për shëndetin publik. Gjurmueshmëria është një mjet i menaxhimit të rriskut i cili lejon operatoret e bizneseve ushqimore të tërheqin nga tregu produkte të cilat janë identifikuar si jo të sigurta për shëndetin e konsumatorit. Gjurmueshmëria mund të realizohet nëpërmjet plotësimit të disa kërkesave të përgjithshme nga ana e operatorëeve të biznesit të ushqimit. Këto kërkesa konsistojnë në dokumentimin e emrit dhe adresen e çdo furnizuesi apo klienti të fundit, datën e shpërndarjes si dhe natyrën e produktit. Gjithashtu është i domosdoshëm rregjistrimi mbi sasinë apo volumin e produktit, numrin e LOT-it apo çdo specifikim të mundshëm. Përveç këtyre kërkesave të përgjithshme, për produkte të caktuara ka edhe kërkesa specifike të rregulluara nga legjislacioni përkatës, siç janë psh., origjina dhe autenticiteti i produktit.

Na Ndiqni në: