Autoriteti i mbikqyrjes financiare është enti që licenson dhe mbikqyr përvec të tjerave tregun e kapitaleve, pjesë e së cilës është edhe Bursa ku tregëtohen tituj si aksione, obligacione, letra me vlerë, bono thesari etj. Për të përcaktuar rolin dhe domosdoshmërinë e bursës në realizimin e këtij materiali janë përdorur raportet e Autoritetit të Mbikqyrjes Financiare përkatësisht të viteve 2017, 2018 dhe 2019. Shoqëria “Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE” është licencuar nga Bordi i AMF-së me Vendimin nr. 88, datë 03.07.2017, si shoqëri e parë me kapital privat për ushtrimin e veprimtarisë si bursë e titujve, si domosdoshmëri për zhvillimin e tregut sekondar të titujve në Shqipëri. Vendimi i Bordit erdhi pas një periudhe të gjatë të diskutimeve dhe plotësimit të kërkesave ligjore dhe rregullative, infrastrukturës dhe sistemeve teknologjike të nevojshme për realizimin e aktivitetit të saj. Krijimi i “Bursës Shqiptare” erdhi si domosdoshmëri për të plotësuar nevojat e biznesit për financim si dhe kërkesën e investitorëve për alternativa të reja investimi përtej atij bankar. Domosdoshmëria e licencimit të Bursës lidhet edhe me funksionin e rëndësishëm të tregut sekondar për të krijuar likuiditet dhe një vlerësim të drejtë të çmimit të titujve.
Aksionerët pjesëmarrës në kapitalin e Bursës janë: Credins Bank sh a.(42.5%), ABI Bank sh.a. (42.5%) dhe AK-Invest sh.a. (15%). Mbështetur në zhvillimet aktuale si dhe në nevojën për rritjen e kulturës financiare të investitorëve dhe emetuesve, Autoriteti Financiar vendosi që në vitin e parë të funksionimit të saj (vit i cili fillon nga momenti i vënies në funksionim të infrastrukturës teknike), Bursa e Titujve do të ushtronte veprimtarinë vetëm në titujt e Qeverisë së Republikës së Shqipërisë. Tregtimi i titujve në Bursë realizohet nëpërmjet një platforme elektronike tregtimi e quajtur “Quick Trade”, sistem i cili përdoret nga disa bursa të rajonit. Në gjysmën e dytë të vitit 2017, pranë Bursës u kryen të gjitha testimet e nevojshme mbi funksionimin e sistemit të tregtimit. Në dhjetor të vitit 2017, Bursa Shqiptare e Titujve organizoi trajnimin mbi sistemin e tregtimit me disa brokera, kryesisht banka të licencuara për aktivitetin e brokerimit në tregun e letrave me vlerë dhe që do të ishin anëtarë potencialë të Bursës. Sistemi i tregtimit u instalua edhe në AMF, me qëllim mbikëqyrjen online, minutë pas minute të tregtimit në Bursë për të monitoruar çdo veprim të Bursës për të ofruar garanci dhe transparencë maksimale për investitorët.
Funksionimi i Bursës në transaksionet e titujve të Qeverisë është i lidhur domosdoshmërisht me sistemin e Shlyerjes dhe Regjistrimit të Titujve, AFISaR, pranë Bankës së Shqipërisë. Nga pikëpamja ligjore dhe teknike pothuajse është realizuar procesi i ndërveprimit të Bursës me sistemin AFISaR. Ndërkohë Autoriteti po i kushton vëmendje kuadrit rregullator të vetë Bursës, në mënyrë që të sigurohet dhe të ofrohet një treg i barabartë për të gjithë operatorët, një treg i drejtë dhe transparent. Tregu me pakicë i letrave me vlerë të Qeverisë është i organizuar në formën e tregut mbi banak, i cili është i rregulluar dhe mbikëqyrur nga AMF dhe përfshin vetëm tregtimet ndërmjet shoqërive komisionere të licencuara për të kryer transaksione në tregun me pakicë të letrave me vlerë (kryesisht Banka) dhe investitorëve individualë apo investitorëve – persona juridikë. Veprimtaria në tregun e titujve përqendrohet kryesisht në transaksionet në tregun me pakicë të titujve të qeverisë. Tregu me pakicë dominohet nga blerjet e bankave në tregun primar të titujve të qeverisë për llogari të klientit, nëpërmjet blerjes direkt në ankandet e organizuara nga Ministria e Financave përmes Bankës së Shqipërisë. Ndërkaq veprimtaria në tregun sekondar mbetet ende e ulët. Në mungesë të alternativave të investimit, pjesëmarrësit në tregun primar të titujve të qeverisë kanë prirjen për t’i mbajtur titujt deri në maturimin e tyre. Edhe në vitin 2017, në zbatim të Rregullores nr.22, datë 26.03.2009 “Për Tregun me Pakicë të Letrave me Vlerë të Qeverisë së RSH-së”, shoqëritë komisionere të licencuara për të kryer transaksione në tregun me pakicë të letrave me vlerë kanë raportuar periodikisht në Autoritet si dhe kanë pasqyruar në kohë reale në platformën GSRM transaksionet e kryera në këtë treg. Kjo platformë vazhdoi të funksionojë dhe të përmbushë rolin e saj në funksion të rritjes së transparencës në kuotime dhe dhënies së informacionit të plotë për publikun dhe investitorët institucionalë mbi transaksionet në tregun me pakicë të letrave me vlerë të qeverisë. Gjatë vitit 2017 në platformën GSRM janë kryer 16,048 klikime duke zënë 4% të vizitave në faqen zyrtare të AMF-së. Më 22 shkurt 2018 Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE filloi zyrtarisht veprimtarinë e tregtimit dhe filloi mbikëqyrja e Bursës së Parë Shqiptare të Titujve, ALSE.
Në tetor 2018 u nënshkrua marrëveshja e bashkëpunimit midis Autoritetit dhe Bankës së Shqipërisë për Licencimin dhe Mbikëqyrjen e Sistemeve të Shlyerjes së Titujve dhe Shtëpive të Klerimit të Titujve. Gjatë vitit të parë të aktivitetit të saj, në periudhën shkurt-dhjetor 2018, vlera totale e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve ALSE arriti në nivelin rreth 1.4 miliardë lekë, ku kanë dominuar transaksionet me bono thesari të kryera midis bankave për llogari të tyre. Në mbështetje të kushtit kufizues të përcaktuar në licencë për vitin e parë të aktivitetit gjatë vitit 2018, aktiviteti i Bursës u përqëndrua në tregtimin e letrave me vlerë të qeverisë së R.Sh. Për shkak të volumeve modeste të tregtimit, sesionet e tregtimit në Bursën ALSE u zhvilluan 2 herë në javë. Volumet modeste të tregtimit u shoqëruan me një numër të kufizuar anëtarësh. Bursa Shqiptare e Titujve, ALSE e mbylli vitin 2018 me katër anëtarë: Banka Credins, Banka Amerikane e Investimeve, Banka Tirana dhe Banka Ndërkombëtare Tregtare. Objektivi afatshkurtër i Bursës është rritja e mëtejshme e numrit të anëtarëve, si një element kryesor dhe i domosdoshëm për mirëfunksionimin e veprimtarisë së saj dhe zbatimin e parimit të ekzekutimit më të mirë të urdhërave të klientit apo reflektimin sa më real të çmimit të tregut. AMF, si vëzhguese e sistemit të tregtimit, ndjek në kohë reale transaksionet e Bursës në çdo seancë.
Në një analizë të përgjithshme të karakteristikave të zhvillimit të tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve, për periudhën shkurt–hjetor 2018, kanë dominuar: § Transaksionet mes bankave; § Transaksionet në oraret zyrtare; § Transaksionet në bono thesari; § Transaksionet në valutën lekë. Vlera e tregëtuar e bonove të thesarit është 57.54% përkundrejt vlerës 42.46% të obligacioneve qeveritare. Parë në këndvështrimin e maturimit, nga Bonot e Thesarit titujt më aktivë janë ato me maturim 12-mujor, të ndjekura nga bono thesari 6-mujore. Ndërsa nga obligacionet e thesarit, titujt më aktivë në tregtim janë ato me maturim 5-vjeçar dhe 10-vjeçar, të ndjekura nga obligacionet 2-vjeçare. Pjesa më e madhe e transaksioneve janë të ekzekutuara në monedhën lekë, krahasuar me shumë pak transaksione në tituj të nominuar në euro. Sistemi i tregtimit të Bursës është në funksion të mbrojtjes së interesave të investitorëve dhe sigurimit të një tregu të drejtë dhe transparent. Gjatë vitit të parë të aktivitetit të Bursës, Autoriteti ka miratuar edhe disa rregullore të depozituara nga Bursa Shqiptare e Titujve.
Hartimi i kuadrit të nevojshëm rregullator për funksionimin e tregut të kapitaleve ka qenë në fokus të organeve drejtuese të Bursës Shqiptare të Titujve dhe Autoritetit. Gjatë vitit 2018, Autoriteti miratoi disa akte të përgatitura nga Bursa, si më poshtë vijon: 1. Rregulloren për Mbikëqyrjen dhe Monitorimin në Bursën Shqiptare të Titujve me Vendimin nr. 165, datë 31.08.2018, e cila konsiston në vendosjen e rregullave të monitorimit dhe mbikëqyrjes për parandalimin, identifikimin, përcaktimin dhe marrjen e masave kundër praktikave të paligjshme të tregtimit nga anëtarët, brokerat e anëtarëve dhe klientët e tyre. Vendosja e rregullave për mbikëqyrje dhe monitorim të transaksioneve në Bursë i shërben objektivit për një treg të drejtë dhe eficient, si dhe mbrojtjes së interesave të investitorëve nëpërmjet parandalimit të praktikave abuzive. Kjo rregullore përcakton parimet kryesore të mbikëqyrjes dhe përcaktimin e niveleve (strukturave) të mbikëqyrjes. 2. Udhëzim mbi Mënyrën e Tregtimit, Klerimit dhe Shlyerjes së Transakioneve në Bursën ALSE, miratuar me Vendimin nr. 91, datë 13.06.2018. Ky udhëzim përcakton disa detaje teknike në lidhje me tregtimin e titujve në sistemin e tregtimit të Bursës. 3. Listën e ndryshuar të tarifave dhe komisioneve të Bursës, miratuar me Vendimin nr. 91, datë 13.06.2018. Gjatë vitit të parë të aktivitetit, Bursa vendosi të përjashtojë anëtarët e saj nga detyrimi për të paguar tarifat dhe komisionet. Zgjerimi i tregut sekondar të letrave me vlerë të qeverisë është një domosdoshmëri për zhvillimin e mëtejshëm të tregut të kapitaleve, pasi ky treg përbën edhe bazën e vlerësimit të instrumenteve të tjera financiare joqeveritare që mund të tregtohen në tregun e kapitaleve. Letrat me vlerë të qeverisë shqiptare ishin të vetmit tituj të tregtuar gjatë vitit 2019 në Bursën shqiptare të Titujve – ALSE.
Që prej muajit shkurt 2019 nuk ka asnjë kufizim për tregtimin në Bursë të instrumenteve të tjera financiare nga ana e kompanive shqiptare. Vlera totale e tregtimit në Bursën shqiptare të Titujve – ALSE, për periudhën janar-dhjetor 2019 arriti në rreth 1.47 miliardë lekë, ku kanë dominuar transaksionet e kryera midis bankave për llogari të tyre dhe për llogari të investitorëve institucionalë. Vëllimet modeste të tregtimit janë shoqëruar me një numër të kufizuar prej 4 anëtarësh. Sfidë është rritja e mëtejshme e numrit të anëtarëve, si një element kryesor dhe i domosdoshëm për mirëfunksionimin e veprimtarisë së Bursës dhe zbatimin e parimit të ekzekutimit më të mirë të urdhërave të klientit apo reflektimin sa më real të çmimit të tregut. AMF ndjek në kohë reale transaksionet e Bursës në çdo seancë tregtimi. Baza e ulët e investitorëve si dhe ndërgjegjësimi i ulët për përparësitë e listimit apo niveli i ulët i edukimit financiar të investitorit shqiptar janë faktorë që pengojnë tregtimin e titujve nëpërmjet Bursës. Organizimi nga Autoriteti gjatë vitit 2019 i aktiviteteve dhe leksioneve të hapura në kuadër të javës globale të investitorit synoi informimin dhe edukimin financiar të publikut për tregjet e fondeve dhe tregjet e kapitalit me qëllim zhvillimin e tyre.
Obligacionet e emetuara nga shoqëritë aksionare deri tani kanë qenë me ofertë private dhe i ofrohen investitorëve institucionalë, aksionerëve të vetë emetuesve apo deri 100 individëve. Edhe gjatë vitit 2017, Autoriteti vijoi me miratimin e prospekteve për emetimin e obligacioneve të dy institucioneve financiare nga të cilat 1 bankë (2 emetime) që emetoi obligacione të konvertueshme në aksione dhe 1 institucion mikrokredie (1 emetim). Karakteristikat e këtyre obligacioneve janë; interesi fiks, kuponi gjashtëmujor dhe afati i gjatë i maturimit apo tipari i konvertimit në aksione. Gjatë vitit 2017 vlera gjithësej e emetimeve të miratuara arriti në 1,525 milion lekë. Gjatë vitit 2017, Autoriteti licencoi subjekte të reja si dhe miratoi licenca shtesë për subjektet ekzistuese. Kështu në vitin 2017, numri i kujdestarëve të obligacioneve të shoqërive aksionare u rrit me 3. Kjo rritje e numrit të kujdestarëve është rezultat i rritjes së interesit të shoqërive aksionare për të emetuar obligacione. Numri i shoqërive komisionere u rrit me 3, duke arritur në 17. Gjatë vitit 2017 janë licencuar 3 shoqëri brokerimi me fokus të aktivitetit si agjentë i brokerit të huaj nën administrim të të cilëve janë platformat online përkatëse: 1. Shoqëria “EUROTRADE Securities” për llogari të shoqërisë së brokerimit “Lead Capital Markets” Ltd. 2. Shoqëria “Prodata Securities” për llogari të shoqërisë së brokerimit “Depaho” Ltd. 3. Shoqëria “Smartcom” sh.a. për llogari të “Rodeler” Ltd, shoqëri brokerimi në tituj.Licencimi i këtyre shoqërive u krye pas inspektimit të kryer për infrastrukturën e instaluar në këto shoqëri.
Deri në fund të vitit 2017 në tregun e titujve rezultojnë 17 shoqëri komisionere, 26 broker individë, 2 shoqëri këshillimi për investime, 3 këshilltarë individë, 4 agjentë të lidhur, 9 kujdestarë të letrave me vlerë dhe 1 regjistrar që përfaqësohet nga Qendra e Regjistrimit të Aksioneve. Autoriteti licencoi shoqërinë aksionare “Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG” sh.a., si Regjistrar për ushtrimin e veprimtarisë së organizimit dhe administrimit të të dhënave për titujt e transferueshëm të borxhit me ofertë private dhe ofertë publike dhe titujt e transferueshëm të kapitalit që listohen/tregtohen në “Bursën Shqiptare të Titujve ALSE” sh.a. Në dhjetor 2019 Autoriteti miratoi ushtrimin e veprimtarisë së klerimit dhe shlyerjes së titujve në “Bursën Shqiptare të Titujve ALSE” sh.a. dhe përfshirjen e veprimtarisë së klerimit dhe shlyerjes së titujve në licencën e shoqërisë “Regjistri Shqiptar i Titujve ALREG” sh.a. Në këtë mënyrë kjo shoqëri ka marrë kompetencat e një depozitari qendror, krijimi i të cilit është shumë i rëndësishëm në promovimin e interesit publik, stabilitetit financiar, zhvillimit të tregut si dhe mbrojtjen e investitorit. Gjatë vitit 2019 u përmbyll edhe procesi i hartimit të projektligjit “Për Tregjet e Kapitalit” i cili pas konsultimit me palët e interesit iu dërgua ministrisë së Ekonomisë dhe Financave. Projektligji i miratuar në vitin 2020 nga Kuvendi ka për qëllim përshtatjen e kuadrit ligjor me direktivat e BE-së në fushën e tregut të kapitaleve MIFID dhe synon nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të tregut të kapitaleve, rritjen e transparencës dhe sigurimin e integritetit të këtij tregu. Edhe gjatë vitit 2019 tregu i kapitaleve në vend konsistoi në dy segmente kryesore: atë të titujve të qeverisë shqiptare dhe tregun e Obligacioneve të Emetuara me Ofertë Private.
Tregu i titujve të tjerë si ai i obligacioneve të shoqërive aksionare apo tregu i aksioneve vazhduan të mbeten joekzistent dhe pse listimi dhe tregtimi i këtyre titujve tashmë mund të realizohet nëpërmjet Bursës Shqiptare të Titujve. Edhe gjatë vitit 2019 Bursa Shqiptare e Titujve – ALSE vijoi me tregtimin e titujve të qeverisë shqiptare edhe pse që prej muajit shkurt 2019 nuk ka asnjë kufizim për tregtimin e titujve të tjerë nga ana e shoqërive shqiptare. Vlera totale e tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve, ALSE për periudhën janar-dhjetor 2019 arriti në rreth 1.47 miliardë lekë, ku kanë dominuar transaksionet e kryera midis bankave për llogari të tyre dhe për llogari të investitorëve institucionalë. Vëllimet modeste të tregtimit janë shoqëruar me një numër të kufizuar prej 4 anëtarësh. Në këtë drejtim sfidë është rritja e mëtejshme e numrit të anëtarëve, si një element kryesor dhe i domosdoshëm për mirëfunksionimin e veprimtarisë së Bursës dhe zbatimin e parimit të ekzekutimit më të mirë të urdhërave të klientit apo reflektimin sa më real të çmimit të tregut. AMF, në statusin e vëzhguesit të sistemit të tregtimit, ka ndjekur në kohë reale transaksionet e Bursës në çdo seancë tregtimi.
Në një analizë të përgjithshme të karakteristikave të zhvillimit të tregtimit në Bursën Shqiptare të Titujve (on-exchange) për periudhën janar–dhjetor 2019, kanë dominuar: § Transaksionet midis bankave për llogari të investitorëve institucionalë; § Transaksionet në obligacione thesari; § Transaksionet në valutën lekë. Vlera e tregtuar e obligacioneve të thesarit është 78.51% përkundrejt vlerës 21.49% të bonove të thesarit. Në gjendjen e tanishme me një numër të kufizuar anëtarësh dhe vëllim të ulët tregtimi, Bursa Shqiptare e Titujve ende nuk luan rolin e saj thelbësor në financimin e shoqërive shqiptare, ku këto shoqëri janë ende të varura kryesisht nga financimi nëpërmjet fitimeve të mbajtura apo nëpërmjet huave bankare. Baza e ulët e investitorëve si dhe ndërgjegjësimi i ulët për përfitimet e listimit apo niveli i ulët i edukimit financiar të investitorit shqiptar janë ndër faktorët kryesorë që pengojnë zhvillimin e tregtimit nëpërmjet Bursës.
Klerimi dhe Shlyerja e Titujve të Qeverisë Shqiptare realizohet nëpërmjet sistemit të shlyerjes dhe regjistrimit të titujve – AFISAR, që administrohet nga Banka e Shqipërisë. Ndërkohë Autoriteti i Mbikëqyrjes Financiare licencoi në janar 2019 shoqërinë “Regjistri Shqiptar i Titujve – ALREG” për të vepruar si regjistrar i obligacioneve dhe aksioneve që do të tregtohen në bursë. Në Nëntor 2019 ALREG njoftoi Autoritetin për regjistrimin e parë me sukses të emetimit të Obligacioneve me ofertë private të një shoqërie për monedhat ALL, EUR dhe USD. Njëkohësisht, shoqëria ALREG do të kryejë edhe funksionet e klerimit dhe shlyerjes (transferimi i titullit kundrejt pagesës) për tituj joshtetërorë që do të tregtohen në Bursë. Në nëntor 2019 ALREG u licencua nga Banka e Shqipërisë për të kryer funksionin e klerimit dhe shlyerjes dhe në dhjetor 2019 mori edhe aprovimin nga AMF lidhur me këtë funksion, duke marrë kështu kompetencat e një depozitari qendror. Krijimi i një Depozitari Qendror për Titujt është shumë i rëndësishëm në promovimin e interesit publik, stabilitetit financiar, zhvillimit të tregut si dhe për mbrojtjen e investitorit.
Prof. Asoc. Dr. Ina Pagria
Pedagoge në Fakultetin e Ekonomisë dhe Agrobiznesit, Departamenti Matematikë dhe Informatikë, UBT