www.unsplash.com

Erozioni në pellgun ujëmbledhës të Vjosës

Sipas një vlerësimi të kryer gjatë vitit 2020 nga anëtarë të stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Pyjore (FSHP). vlera mesatare e erozionit në pellgun ujëmbledhës të lumit Vjosa rezulton të jetë rreth 1 m3/ha/vit. Vlerë kjo, e cila luhatej në mënyrë të konsiderueshme ndërmjet tipeve të mbulimit të tokës dhe duke nxjerrë në pah ndikimin e bimësisë në mbrojtjen e tokës nga erozioni ujor sipërfaqësor.

Për të kryer vlerësimin, profesorët e FSHP, bënë vlerësimin e erozionit të tokës në sipërfaqet pyjore me mbulesë të ndryshme bimësie përgjatë luginës së pellgut ujëmbledhës të lumit Vjosa.

Për këtë qëllim u vendosën miningastra erozioni për të përcaktuar sasinë e rrjedhjes ujore sipërfaqësore dhe të materialit tokësor të transportuar nga kjo rrjedhje, të cilat u grumbulluan në një enë pritëse. Gjithashtu u përcaktuan treguesit kimiko-fizikë të tokave, sasia e elementëve ushqyes të larguar si pasojë e erozionit ujor sipërfaqësor dhe kostoja ekonomike e shkaktuar nga humbja e elementëve ushqyes.

Analizat kimiko-fizike të tokave u kryen në laboratorin e departamentit të Agromjedisit dhe Ekologjisë, Fakulteti i Bujqësisë dhe Mjedisit, pranë Universitetit Bujqësor të Tiranës. Ky vlerësim u krye në kuadër të kontratës së shërbimit lidhur midis Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës në bazë të Programit Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit.

 

Dr. Arben Alla
Departamenti i Fizikës dhe Shkencave të Aplikuara, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT

Na Ndiqni në: