www.unsplash.com

Zjarri, dëmet dhe ripërtëritja e pyjeve në Shqipëri 2017-2019

Sipërfaqe të konsiderueshme pyjore rezultuan të dëmtuara në shkallë të lartë nga zjarret gjatë vitit 2017, në disa bashki të vendit.  Një konstatim i tillë u bë i mundur pas vlerësimit të sipërfaqeve pyjore të dëmtuara nga zjarret për periudhën 2017-2019 dhe ripërtëritjes së bimësisë në një numër të konsiderueshëm të bashkive në vend. Vlerësimi u krye nga anëtarë të stafit akademik të Fakultetit të Shkencave Pyjore, në Universitetin Bujqësor të Tiranës, gjatë vitit 2020. Saktësohet se një studim i tillë për të vlerësuar sipërfaqet e dëmtuara pyjore është kryer në 33 bashki  të vendit.  Në çdo parcelë pyjore objekt i monitorimit, u krye punë terreni për të vlerësuar shkallën e dëmtimit të pyjeve nga zjarret dhe gjendjen aktuale të bimësisë.

Gjithashtu, nëpërmjet metodave Remote Sensing dhe GIS u mundësua hartografimi i sipërfaqeve pyjore të dëmtuara nga zjarret dhe u sigurua informacion i vlefshëm lidhur me vendndodhjen, madhësinë dhe shkallën e prekjes nga zjarret të sipërfaqeve pyjore në studim.  Megjithëse gjatë vitit 2017 u konstatuan sipërfaqe të konsiderueshme pyjore shumë të dëmtuara nga zjarret në disa bashki të vendit, në vitet pasues situata paraqitet më e mirë. Zonat me sipërfaqet pyjore më të dëmtuara gjatë periudhës së sipërpërmendur ishin, qarku i Lezhës, Vlorës, Beratit, Fierit dhe Korçës.

Ndërkaq, gjendja e ripërtëritjes së bimësisë rezultoi më e mirë në sipërfaqe shkurrore dhe sidomos në vitin e dytë pas rënies së zjarrit. Në 20 % të sipërfaqeve të dëmtuara nga zjarret u planifikuan masa rehabilituese pasi ripërtëritja natyrore e bimësisë ishte e dobët ose inegzistente. Llojet pyjore të prekura nga zjarret përfshinë kryesisht; dushqet, shkurret, pishën mesdhetare, pishën e zezë dhe ahun. Më të dëmtuara u paraqiten parcelat me pishë të zezë në rrethin e Korçës.

Ky vlerësim u krye në kuadër të kontratës së shërbimit e lidhur midis Agjencisë Kombëtare të Mjedisit dhe Universitetit Bujqësor të Tiranës, bazuar në Programin Kombëtar të Monitorimit të Mjedisit.

 

Prof. Asoc. Edmond Pasho
Pedagog në Fakultetin e Shkencave Pyjore, Departamenti i Pyjeve, UBT.

Na Ndiqni në: