chris robert - www.unsplash.com

Shqipëria dhe eksporti i mollëve

Prodhimi i mollëve pësoi rritje gjatë dekadave të fundit në vendin tonë, e përkatësisht nga 9,000 tonë në 1970, në 105,933 ton në 2019 duke u rritur me një normë mesatare vjetore prej 6.47%. Ndërkaq prodhimi total i mollës arrin në 105.9 mijë ton dhe është Korça ajo që kryeson eksportet. Prodhimi i frutave jep një kontribut të rëndësishëm në sektorin e bujqësisë në Shqipëri, duke siguruar rreth 20% të prodhimit të përgjithshëm bujqësor dhe molla është një nga frutat kryesore që prodhohet dhe konsumohet në Shqipëri. Sipas të dhënave zyrtare, në Shqipëri janë mbjellë rreth 2,566,832 rrënjë molle të cilat japin një prodhim prej 105,933 tonësh. Eksporti i frutave, megjithëse është ende modest, tregon një avantazh krahasues të sektorit. Karakteristikat e kultivarëve të mollëve të tokave shqiptare drejtohen nga cilësia dhe qëndrueshmëria ndaj insekteve dhe sëmundjeve por edhe nga përbërja e tokave.

Edhe gjatë viteve të fundit prodhimi i mollëve është rritur ndjeshëm: Nga 12 000 ton në vitin 2000, në 54 000 ton në 2010 dhe ai ka kaluar pragun prej 105,9 mijë tonësh në 2019. Në përgjithësi, prodhimi i mollës vazhdon të tregojë rritje të dukshme. Ritmi i rritjes ishte më i shpejtë në 2018 kur vëllimi i prodhimit u rrit me 12.25% krahasuar me një vit më parë. Në atë vit, prodhimi i mollës arriti nivelin e tij kulminant prej 108.375 tonësh. Sipas ekspertëve kjo rritje është nxitur nga rritja e zonës së kultivuar si dhe duke rritur produktivitetin, faktorë që pasqyrojnë përmirësimin e teknologjive dhe njohurive teknike. Kushtet e tregut të brendshëm dhe furnizimi (toka dhe klima, kapitali njerëzor dhe tradita) gjithashtu kanë qenë nxitësit kryesorë të zhvillimit të sektorit të mollës. Gjatë njëmbëdhjetë viteve të fundit vlera e prodhimit tij u rrit me një normë mesatare vjetore prej + 6.47%. Varietetet më të prodhuara në Shqipëri janë dy derivatet e Red Delicious, Red Chief dhe Starking. Të dy këto varietete janë referuar lokalisht si “Starking”, duke zënë 52% të pemëve frutore për të vijuar më pas me mollët e varietetit Golden Delicious që zënë 42%. Ndërsa varietetet e tjera të mollëve që rriten tradicionalisht në rajon, janë molla Gala, Mutsu dhe Granny Smith.

Por ajo që është më e rëndësishmja në këtë aspekt, ka të bëjë me faktin se për shkak të klimës së zonave ku rriten mollët shqiptare në Kosovë dhe Shqipëri, spërkatja me pesticide është 10 herë më e ulët se ajo tek mollët e rritura në vendet e tjera në Ballkan dhe 15 herë më e ulët se në vendet e Evropës Qendrore. Pra, Mollët Shqiptare janë më natyralet dhe më të pastrat e Evropës. Dy zonat që njihen më së miri për prodhimin më të lartë të mollës në Shqipëri janë Korça dhe Dibra. Mollët e Korçës kanë pushtuar tregjet evropiane prej disa vitesh. Prodhimi total i këtij fruti arrin në 105 000 tonë dhe Korça kryeson eksportet falë rritjes së standardeve të prodhimit dhe trajtimit të tyre. Për këtë arsye, sot fermerët e Korçës janë bërë furnizuesit kryesorë të mollëve për prodhim industrial dhe konsum në tregjet jashtë vendit. Në vitet e fundit Korça shënoi një pikë kthese historike në eksportet shqiptare të mollëve. Eksporti i mollëve nga pjesa juglindore e vendit, e njohur si zona që kultivon masivisht këtë lloj frutash, filloi në vitin 2011. Fillimisht fermerët filluan të eksportonin në vendet fqinje si Kosovë, në Mal të Zi dhe në Maqedoninë e Veriut. Nga viti 2011 në 2013, Shqipëria eksportoi mesatarisht 500 deri 600 tonë mollë në vit. Ndërsa sot eksporti i mollëve shqiptare po tërheq vëmendjen e tregjeve të tjerë kryesorë të vendeve të Bashkimit Evropian, të tilla si Bullgaria, Greqia, Austria, Gjermania, etj.

Edhe harta e eksportit të mollëve “Made in Albania” ka shënuar një dimension të ri të suksesit. Veç Arabisë Saudite, vendi më i madh në rajonin e Azisë Jugperëndimore dhe Egjiptit të lashtë, i vendosur në Afrikën e Veriut, gjeografisë së eksporteve të mollëve i është shtuar edhe Pakistani, veç atyre ku ato shiten rregullisht si Greqia, Bullgaria, Maqedonia, Mali i Zi, etj.

Importet e mollës

Në terma të vlerës, importet e mollëve arritën në 7.755 tonë në vitin 2019. Në përgjithësi importet e mollëve vazhdojnë të tregojnë një ulje të vazhdueshme dhe që nga viti 2005, importi i mollëve është ulur gati 4 herë, kështu që importi i mollëve u ul ndjeshëm; në 7,755 ton në 2019 krahasuar me 29,600 ton importe në 2010. Kjo arritje është për shkak të rritjes së konsiderueshme të prodhimit vendas dhe përmirësimit të kapacitetit të magazinimit.

Mbështetja e Qeverisë

Një studim i AASF për sektorin e mollëve në Shqipëri, thekson se institucionet financiare dhe aktorët e tjerë janë të interesuar në mbështetjen e sektorit mbi mundësinë e investimeve në sektor. Studimi thekson kultivimin e pemëtoreve të reja të mollës, rritjen e kapaciteteve të ruajtjes në kushte frigoriferike dhe ndërtimin e qendrave të ambalazhimit që përbëjnë një mundësi të rëndësishme investimi dhe financimi.

Sektori i mollës konsiderohet një sektor me përparësi për qeverinë shqiptare dhe është i përfshirë në të gjitha skemat e mbështetjes financiare publike. Politika aktuale e pjesshme e grantit ka implikime të rëndësishme për institucionet financiare. Ato kanë aftësinë për të financuar investime deri në 100% të shumës, nga të cilat 50% mund të jenë hua afatshkurtra (pjesa që do të shlyhet nga granti pasi investimi të ketë përfunduar ) dhe 50% kredi afatgjatë për pjesën që do të shlyhet nga përfituesit.
Kërkesa për kultivimin e mollëve dhe mbështetja me skema subvencionuese ka rritur ndjeshëm prodhimin vendas, çka ka ndikuar edhe në përmirësimin e bilancit të eksport/importit të mollëve.

EKSPORTUESIT SHQIPTARË TË FRUTAVE PËRFSHIRË EDHE MOLLËT, MUND TË EKSPORTOJNË PRODUKTE BUJQËSORE PA TAKSË DOGANORE NË BE DERI NË VITIN 2025.

Bashkimi Evropian ka shtyrë skemën pa taksa për importin e frutave dhe perimeve nga vendet e Ballkanit Perëndimor deri në fund të vitit 2025. Sipas ndryshimit të mëparshëm të rregullores, regjimi pa taksa për importet e frutave dhe perimeve nga Ballkani Perëndimor do të skadonte në fund të vitit 2020. Në këtë kuadër eksportuesit shqiptarë mund të eksportojnë një listë të gjatë me produkte pa paguar taksë doganore në BE, siç janë mollët, kumbullat dhe misri i ëmbël, etj. Tarifat preferenciale janë lehtësirat doganore (tarifa pa taksa ose tarifa të reduktuara 0).

 

Pëllumb Qosej
Ekspert i Zhvillimit të NVM-ve dhe Nxitjes së Eksportit

koment

  • pershendetje Z Pellumb sot tregetimi i molleve ne zonen e korces po kethehet ne problemin kryesor te fermerit i cili pos fatkeqesive qe i dhuron natyra ( nepermjet bresherit , dhe stuhive ne kohen e vjeljes ) shoqerohet edhe me shum pengesa te tregetimit te saj ;
    Politikat e Ministris te Bujqesise duhet te jene pro prodhuesit dhe te saktesuar mire qofte ne sunvensionimin e prodhimit qofte ne lehtesimin e mareveshjeve tregetare brenda vendit por pse jo edhe jashte vendit . ajo qe penalizon me shum sot eshte lejimi i importit te molles ne nje kohe kur miolla e vendit eshte e gjitha neper magazinat dhe oboret e fermereve te korces .
    shpresoj se zeri juaj eshte me i fuqishem se i joni .

Na Ndiqni në: