Kontrolli biologjik i proçesionares së pishës

Proçesionarja e pishës është dëmtuesi kryesor i pyjeve në vendin tonë. Ky insekt ushqehet me halat e pishave dhe është një “banor” i zakonshëm i pyjeve artificialë me Pishë të zezë në vendin tonë. Shfaqjet masive të tij në vendin tonë i kanë fillimet rreth viteve ’60-të të shekullit të kaluar duke dëmtuar pishat rregullisht çdo vit. Kulmet e dëmeve përsëriten me një periodë 6-7 vjeçare dhe në mes të kesaj periudhe, është evidentuar edhe viti me dëmin minimal. Dëmet e shkaktuara duke ngrënë halat, sjellin si pasojë reduktimin e rritjes vjetore të drurëve, ndërsa në vitet e kulmeve mund të arrihet deri në zhveshje totale të drurëve nga halat dhe tharje të tyre. Ngrënia e halave në majë të drurit dhe dëmtimi i biskut të majës ndodh në grumbujt e pishës me dendësi të lartë të bimëve, aty ku degët anësore të kurorës nuk marrin sasinë e duhur të rreztimit diellor dhe si të tilla, nuk preferohen nga insekti. Ndërsa në grumbujt me kurorëdendësi të ulët dhe sidomos në shpatet me kundrejtim jugor, të rrezatuar mirë në të gjithë kurorën, larvat i ndërtojnë foletë e tyre në të gjitha degët e kurorës duke shkaktuar në disa raste, zhveshjen totale të drurit nga halat. Në këto raste mund të gjenden deri në 8,10,15 apo më shumë qeska për dru, por mund të ndodhë që secila degë e kurorës ka nga një ose më shumë qeska. Shumica e rasteve të tharjeve të drurëve kanë ndodhur pikerisht në kushte të tilla. Tharjet e shkaktuara nga ngrënia e të gjitha halave prej Procesionares, janë paraprirë nga prishja e ekuilibrave të drurëve me mjedisin, gjë që ka ndodhur që në momentet e para pas pyllëzimit. Fidanët janë mbjellë në shpate me kundrejtim jugor, në terrene të degraduara, toka të varfëra e skeletike. Këto kanë qenë arsyet e një shkalle të ulët zënieje të fidanëve duke dhënë si rezultat grumbuj të rrallë që preferohen nga insekti. Edhe pa praninë e Procesionares, bimët që vegjetojnë në keto terrene, vuajnë për shkak të kushteve tokësore e klimatike të disfavorshme dhe si pasojë ato rriten me vështirësi duke patur një rritje vjetore shumë të pakët krahasuar me kapacitetin biologjik të species. Nuk është e rastit që përhapjen më të madhe Procesionarja e pishës e ka në grumbujt me pishë të zezë të mbjëllë jashtë arealit gjeografik të kësaj specieje. Një sasi e konsiderueshme e pyllëzimeve të kryera në vendin tonë gjatë viteve ’60 – ’70 e deri nga mesi i viteve ’80-të të shekullit të kaluar, janë realizuar në zonë fitoklimatike të dushqeve.

Sipas të dhënave të shërbimit pyjor, Proçesionarja e pishës ka një shkallë përhapjeje prej  rreth 80.000 ha,  kryesisht në llojin Pishë e zezë, por tashmë ky dëmtues, gjithnjë e më tepër, po përhapet dhe në pishat mesdhetare.

Përveç ngrënies së halave, larvat e Procesionares përbëjnë rrezik edhe për shëndetin e njerëzve dhe të kafshëve. Ato kanë në trupin e tyre dy lloj qimesh; qime të gjata që dalin në tufa në pjesën krrizore dhe shërbejnë si ndjesorë që kapin ngacmimet e jashtme dhe qime të shkurtra të cilat, në rast ngacmimi, shkëputen nga trupi i larvës dhe bashkë me një lëng që përmban substancën ‘’instaminë’’, shpërndahen në ajër. Tufat e qimeve të gjata lidhen me një gjendërr me sekrecion të jashtëm e cila prodhon instaminën irrituese për lëkuren e njeriut. Nëse ne prekim një larvë me duar nudo, ngacmimi merret nga qimet e gjata dhe ajo reagon duke aktivizuar gjendrrat që sprucojnë lëngun irritues bashkë me qimet e shkurtra. Këto të fundit, të lagura nga lëngu, ngulen në lekurën tonë duke rritur efektin e lëngut irritues. Kjo shkakton irritim dhe kruajtje në lekurë. Në rast se ato bien në kontakt me syrin tonë, mund të shkaktojnë deri në humbje të shikimit. Gjithashtu, qimet e shkurtra dhe instamina të shpërndara në mjedis, mund të thithen nga njerëzit apo kafshët gjatë frymëmarrjes duke shkaktuar probleme në rrugët e frymëmarrjes. Probleme të tilla shëndetësore ka patur në zonat turistike sidomos gjatë kohës kur ndodh zbritje e larvave në procesion.

Metoda të njohura për kontrollin e insektit

Metodat kryesore për luftimin e Procesionares, të përdorura gjerësisht deri tani, janë trajtimet kimike dhe bioteknologjike të aplikuara kryesisht me spërkatje me avionë duke përdorur si tretës vajrat e naftës ose vajra vegjetalë në dozën 5 litra / ha. Lëndët aktive të përdorura kanë qënë si në vijim: diflubenzuroni, si rregullator i rritjes së insekteve i perdorur në dozën 45-56 g / ha; piretroid cipermetrina në dozën 1.7-2.6 g / ha; piretroid deltametrina, 0.65-1.00 g / ha; dhe përqendrime të ndryshme të Bacillus thuringiensis në normën e rekomanduar nga prodhuesi (zakonisht 1%). Këto trajtime janë të efektshme ndaj të gjitha moshave larvare por larvat e moshës së 4-t dhe të 5-të kërkojnë përqëndrime më të larta të lëndës aktive për të ngordhur duke rritur koston e trajtimit dhe masën e ndotjes në mjedis. Përdorimi i Piretroideve gjatë muajve të dimrit kur lavat janë në moshën e 4-t dhe të 5-të, minimizojnë ndikimet negative mbi faunën e dobishme.

Në siperfaqe të kufizuara apo në popullata me densitet të ulët, kontrolli mekanik i insektit mund të jetë një zgjidhje optimale. Kjo metodë presupozon prerjen e degëve me qeska dhe djegien e tyre gjatë dimrit.

Kurthet me Pheromone seksore mund të përdoren si për monitorimin ashtu edhe për kontrollin e insektit duke vënë një sasi prej 6-8 kurthesh për hektarë.

Aplikimet e kontrollit biologjik bazohen tek parazituesit dhe grabitqarët e Procesionares që sipas stadeve të zhvillimit të insektit, janë si në vijim:

Stadi i vezës: parazitohet nga 3 lloje insektesh dy prej të cilëve gjenden në vendin tonë; ndërsa grabitqarë të vezëve njihen 2 lloje insektesh.

Stadi Larvar: parazitohet nga 5 lloje insektesh; njëri prej tyre gjendet në vendin tonë; ndërsa grabitqarët e larvave janë 3 llojesh, nga të cilët dy janë prezent tek ne.

Stadi i krizalidës: parazitues janë 3 lloje insektesh dhe grabitqarë 2 lloje që ushqehen edhe me larvat.

Shkaktarët kryesorë të sëmundjeve që prekin larvat e Procesionares janë: 2 lloje virusesh, 2 lloje bakteriesh dhe 7 lloje kërpudhash që infektojnë kryesisht krizalidat.

Kontrolli biologjik i Procesionares do të bazohet në shtimin artificial ose nxitjen e shtimit natyror të llojeve antagoniste të cituara më sipër.

Nga vëzhgimet e kryera në terren nuk ka rezultuar që C. Sycophanta të jetë prezente në pyjet e pishës. Ajo është gjetur rregullisht në pyjet e dushkut. Sipas studimit të kryer nga FSHP në vitin 2013, Imago është shfaqur në mes të prillit në dushkajat e Grabianit, Lushnje dhe në maj, në Mirditë e Kukës. Rezultatet e këtij studimi tregojnë qartë se cikli biologjik i këtij insekti është përshtatur sipas cikleve të dëmtuesve të dushqeve. Në kohën kur ai del nga dimërimi, shumica e larvave të Procesionares ka zbritur në tokë dhe ka krizaliduar. Kjo është edhe arsyeja pse ai nuk gjendet tek pishat.

Për të qënë efektive në kontrollin e Procesionares së pishës, C. sycophanta duhet të gjendet në pyjet e pishës që nga mesi i shkurtit (në zonën e ulët e bregdetare), apo mesi i Marsit (në zonën malore) e respektivisht deri në mes të prillit e majit. Nisur nga kjo është e domosdoshme që insekti të shtohet në kushte laboratorike. Në kushte të tilla, në temperaturë e lagështi optimale, stadet e zhvillimit të insektit zhvillohen në kohë më të shkurtër. Nëse planifikojmë që larvat e para të C. sycophanta të hidhen në terren në mes të shkurtit, puna në laborator duhet të fillojë të paktën 20 ditë para, pra maksimalisht në fund të janarit. Organizimi i punëve duhet të jetë i tillë që laboratori të fillojë funksionimin e tij në fund të janarit dhe të zgjasë deri në fillim të qershorit.

Në vitet 2013-2016, falë një bashkëpunimi të frytshëm mes Fakultetit të Shkencave Pyjore (FSHP), Ministrisë së Mjedisit Pyjeve dhe Administrimit të Ujërave (MMPAU) dhe Agjensisë Turke për Bashkëpunim e Zhvillim (TIKA), me mbështetjen financiare të TIKA-s, me fondet e Qeverisë shqiptare, per herë të parë në vendin tonë u bë e mundur ngritja e një laboratori për shtimin në masë të insekteve. Në këtë laborator u prodhua një numër i konsiderueshëm individësh të insektit entomofag grabitqar Calosoma sycophanta, të cilët u perdoren me sukses për kontrollin biologjik të insektit dëmtues (zhgjethezues) të dushqeve Lymantria dispar në dushkajat e Mirditës.

Gjithashtu gjatë vitit 2020-të, pavarësisht kufizimeve prej pandemisë Covid 19, u arrit të prodhohej në laborator dhe të shpërndahen në terren 2000 individë të Calosoma sycophanta. Puna vazhdon për prodhimin e amsorëve që do të sigurojnë vezët për shtimin e Kalosomës për sezonin që vjen.

Bazuar në eksperiencën tonë dhe rezultatet e arritura në vendet e tjera, synojmë që në bashkëpunim me institucionet përgjegjëse për pyjet në vendin tonë, të arrijmë që në një periudhë 5-vjeçare të vendosim gjendjen e ekuilibrit biologjik mes popullatave të specieve të ndryshme që jetojnë në pyjet tona me pishë.

 

Dr. Ramiz Metaliaj
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.

Na Ndiqni në: