Shkurret në vendin tonë luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve në zonat rurale. Nëse ky rol do të rritet dhe zgjerohet, funksioni dhe rëndësia e shkurreve në peizazhin rural do të jetë shumë herë më e madhe se aktualisht. Shkurret sigurojnë një sërë përfitimesh si për shembull; veprojnë si një stabilizues i tokës dhe parandalojnë gërryerjen e ujit dhe tokës; janë burim i rëndësishëm i ushqimit për bagëtinë dhe jetën e egër, sigurojnë dru zjarri dhe produkte të tjera jodrusore, sekuestrojnë dioksid karboni, ndikojnë në cilësinë e ujrave etj. Sipas të dhënave të Inventarit Kombëtar të Pyjeve (IKP; 2018-2020), rezulton se sipërfaqja pyjore që zënë shkurret në vendin tonë arrin në 256,328 ha, ndërsa volumi në këmbë shkon afërsisht 5.3 milionë metër kub me një volum mesatar prej 20.7 m3/ha. Në pjesën më të madhe, si në raport me sipërfaqen dhe volumin, vlerat më të larta të këtyre dy treguesve janë në klasat e moshës 11-15 vjeç dhe 16-20 vjeç. Cikli i prodhimit të shkurreve në vendin tonë është 15 vjet dhe referuar të dhënave të fundit të IKP, 71% e sipërfaqes totale të shkurreve dhe 73% e volumit total, kanë kaluar moshën e shfrytëzueshmërisë dhe në këto sipërfaqe duhet të ndërhyhet me prerje përfundimtare. Në këtë mënyrë sipërfaqet me shkurre që kanë arritur fazën e pjekurisë dhe atë të moçme, mund të trajtohen me prerje përfundimtare duke patur si objektiv kryesor konvertimin e tyre në cungishte. Kjo jo vetëm do të zgjaste ciklin e prodhimit por do të rriste edhe përfitimet ekologjike dhe ato ekonomike. Studimi ka patur si qëllim: të përcaktojë treguesit dendro-auksometrikë të shkurreve; të paraqesë rrugën për trajtimin dhe konvertimin e shkurreve në cungishte; shtrirjen e modelit edhe në zona të tjera; përfshirjen e konvertimit të shkurreve në cungishte në procesin e planifikimit dhe hartimit të planeve të mbarështrimit. Objektet e studimit (studim i grupit të punës drejtuar nga prof. E.Toromani e lehtësuar nga ILC) janë grumbujt pyjorë me shkurre të cilët ndodhen përkatësisht si më poshtë vijon:
Grumbulli 1- në fshatin Aranitas, bashkia Mallakastër
Grumbulli 2- në fshatin Zgjupë, bashkia Gramsh
Grumbulli 3-në fshatin Farkë, bashkia Tiranë
Në grumbullin që ndodhet në fshatin Aranitas, në bashkinë e Mallakastrës, janë aplikuar rrallime duke hequr të gjithë drurët me diametër > 3 cm, kurse në grumbullin 2, në fshatin Zgjupë, bashkia Gramsh, janë kryer punime rrallimi me qëllim konvertimin në cungishte duke hequr të gjithë individët që bëjnë pjesë në regjimin e shkurres dhe duke lënë individët e dushqeve (Q. cerris), shkozës së bardhë (C. orientalis), dëllinjës së kuqe (J. oxycedrus) dhe frashërit të bardhë (F. ornus). Në grumbullin 3 në fshatin Farkë, bashkia Tiranë janë kryer për një periudhë 30-vjeçare rrallime të individëve të regjimit shkurre dhe favorizim i dushqeve duke siguruar konvertimin e sipërfaqes me bimësi shkurrore në cungishte. Rasti studimor në Farkën e Madhe tregon më së miri rrugën e ndjekur nga fermeri Xhemali Luca i cili për një periudhë mbi 30-vjeçare ka arritur të konvertojë një sipërfaqe me shkurre mesdhetare me lloje si: Marja (A. unedo), Shqopa (E. arborea), Dëllinja e kuqe (J. oxycedrus), Shkoza e bardhë (C. orientalis) dhe nënpylli i përbërë nga grathateli apo trëndafili i egër (R. canina) në cungishte Qarri (Q. cerris) me pjesëmarrje të shkozës (C. orientalis) dhe frashërit të bardhë (F. ornus). Rastet e konvertimit të shkurreve në cungishte janë shumë të rralla jo vetëm në Shqipëri por edhe në Evropë. Në studim jepet qartësisht rruga që duhet të ndiqet për konvertimin e sipërfaqeve me shkurre në cungishte dhe rekomandohet që modeli të shtrihet në bashki të tjera dhe të përfshihet në procesin e planifikimit apo hartimit të planeve të mbarështrimit. Studimi nxjerr në pah se gama e përfitimeve dhe vlera e tyre ekonomike që sigurohet nga konvertimi i shkurreve në cungishte është rreth 1.9 herë më e madhe dhe po të merret në konsideratë edhe zgjatja e ciklit të prodhimit nga 15 vjet në shkurre në 40 vjet ne cungishte, atëherë këto përfitime do të jenë të konsiderueshme.
Sipas Ligjit 57/2020 “Për pyjet”, shkurret janë bimë drusore shumëvjeçare, me lartësi mbi 0.5 metra dhe më pak se 5 metra, zakonisht pa një trung kryesor dhe kurorë të përcaktuar. Shkurret përfaqësojnë një nga format e menaxhimit të sipërfaqeve pyjore në vendin tonë. Nëse do t’i referohemi të dhënave të Inventarit Kombëtar të Pyjeve 2018-2020, rezulton se sipërfaqja pyjore që zënë shkurret në vendin tonë shkon në 256,328 ha, kurse volumi në këmbë shkon afërsisht 5.3 milionë metër kub me një volum mesatar prej 20.7 m3/ha. Shkurret në vendin tonë kanë një rritje mesatare vjetore prej 360515 metër kub dhe kjo tregon se nëpërmjet këtyre pyjeve mund të plotësohet rreth 18% e nevojave për dru zjarri. Shkurret në vendin tonë janë të vendosura si në zonat bregdetare ashtu edhe në zona të tjera në brendësi të vendit dhe në disa raste krijojnë një kombinim me tokat bujqësore apo edhe kullotat. Ato kanë në përbërje specie tipike të makieve mesdhetare ku vegjetacioni dominues janë drurët me gjelbërim të përhershëm dhe ku llojet më të përhapura janë: mareja (Arbutus unedo L.), shqopa (Erica arborea L.), xina (Pistacia lentiscus L.), mreta (Phillyrea latifolia L.) etj
Rëndësia e shkurreve
Drurët dhe shkurret luajnë një rol jetik në ruajtjen e ekuilibrit ekologjik dhe përmirësimin e jetesës së njerëzve në zonat rurale. Nëse ky rol do të rritet dhe zgjerohet, funksioni dhe vendi i shkurreve në peizazhin rural duhet të analizohet dhe kuptohet më mirë. Shkurret në zonat pyjore kryejnë disa funksione, disa prej të cilave përshkruhen më poshtë.
– Shkurret mund të veprojnë si një stabilizues i tokës dhe parandalojnë gërryerjen e ujit dhe tokës. Bimësia shkurrore mbron tokën më mirë dhe aftësia mbrojtëse zgjat më shumë se bimët njëvjeçare. Rrënjët e shkurreve fiksojnë dhe përmirësojnë tokën dhe hija që krijojnë lehtëson metabolizmin e ekosistemit. Këto funksione janë thelbësore për të siguruar stabilitetin e tokës dhe vazhdimësinë e aktiviteteve të ndryshme.
– Shkurret janë një burim i rëndësishëm i ushqimit për bagëtinë dhe jetën e egër në një kohë kur foragjeret barishtore nuk i plotësojnë nevojat e tyre.
– Shkurret janë një burim i druve të zjarrit dhe lëndës së hollë të punimit. Drutë e zjarrit janë i vetmi burim ngrohjeje për popullsinë, jo vetëm në zonat rurale por edhe në disa zona urbane.
– Shkurret janë një burim ushqimi për popullatën. Kështu, frutat pyjore të disa specieve shkurrore, gjethet, sythat e rinj dhe rrënjët janë burime të vlefshme të ardhurash apo edhe ushqimi dhe duhet të vlerësohen për këtë gjë.
– Shkurret janë një burim i rëndësishëm i disa produkteve jodrusore. Shumë shkurre japin produkte të cilat janë të rëndësishme për përdorim të përditshëm nga banorët, për industrinë dhe herë pas here edhe për eksport. Për shembull, një larmi e specieve të drurëve dhe shkurreve karakterizohen nga një përmbajtje e lartë e taninës (e përdorur nga industria e lëkurës) në lëvoren ose frutat e tyre. Shkurret japin fibra, ngjyrues dhe produkte farmaceutike. Poleni i disa specieve të shkurreve përdoret për prodhimin e mjaltit (bletarisë).
Vitet e fundit po vërehet një trend që disa sipërfaqe shkurrore janë shpyllëzuar dhe janë mbjellë me drurë frutorë si psh ullinj apo edhe lloje të tjerë. Kjo ndodh jo vetëm për shkak të sipërfaqes së vogël të tokës bujqësore në disa zona por edhe për shkak se banorët nuk i njohin të gjitha vlerat dhe shërbimet që sipërfaqet pyjore me shkurre sigurojnë për komunitetin.
Gjendja e studimeve për shkurret në Shqipëri
Nga hulumtimi i literaturës në lidhje me studimet për shkurret në Shqipëri, vërejmë se studimet e kryera apo edhe botimet janë shumë të pakta. Kjo lidhet me faktin se shkurret në vendin tonë nuk janë vlerësuar shumë për rolin dhe të mirat që ato sigurojnë për shoqërinë. Në publikimin me titull “Praktikat më të mira. Mbarështrimi i pyjeve dhe shkurreve”, autori ka dhënë disa statistika mbi shkurret në Shqipëri referuar të dhënave të Inventarit Kombëtar të Pyjeve 2002-2004, si dhe teknikat kryesore të mbarështrimit të shkurreve bazuar në objektivat e mbarështrimit dhe kalendarin e punimeve të mundshme, duke u fokusuar më pas në një analizë financiare të shkurreve që mund të përdoren për kullotje, prodhim lëndë drusore dhe sekuestrim karboni. Në rastin e pyjeve për prodhim lënde drusore, rekomandohet cungimi dhe rrallimi si dhe mbrojtia nga kullotja e sipërfaqes për një periudhë 3-5 vjet. Në këtë studim jepen edhe disa të dhëna orientuese për kostot e punimeve si në vijim; cungimi (prerja I) 400 $/ha, rrallimi I (pas 5 vjetësh) 350 $/ha, rrallimi II (pas 12 vjetësh) 350 $/ha.
Nga këto ndërhyrje të kryera sipas studimit mendohet të sigurohet një sasi dru zjarri e cila ndryshon në sasi në varësi të ndërhyrjes. Në analizën financiare, çmimi i shitjes së druve të zjarrit është marrë 20$/m3, ndërsa sasia e materialit drusor që mund të sigurohet është llogaritur si më poshtë:
Cungimi (prerja I) 10 m3, rrallimi I (pas 5 vjetësh) 5 m3, rrallimi II (pas 12 vjetësh) 12 m3, prerja përfundimtare 50 m3.
Një opsion i tretë në këtë studim është ai i mbarështrimit të shkurreve me qëllim sekuestrimin e dioksidit të karbonit.
Në rastin e mbarështrimit të shkurreve për kullotje, rastet e studimit të përmendura në material janë:
Rasti 1: Shpatet e ulta të Karaburunit në rrethin e Vlorës
Rasti 2: Lagja e Hamitajve, fshati Dukat, rrethi Vlorë
Rasti 3: Kodrat e Plazhit të Gjeneralit, rrethi Kavajë
Në rastin e mbarështrimit të shkurreve me qëllim prodhimin e druve të zjarrit, rastet e studimit janë:
Rasti 1: Krrabë, rruga Tiranë-Elbasan, kilometri i 20-të
Rasti 2: Pjesa e sipërme e kodrave në fshatin Krrabë, rrethi Tiranë
Rasti 3: Plazhi Gjeneralit, rrethi Kavajë
Në rastin e mbarështrimit të shkurreve me qëllim sekuestrimin e dioksidit të karbonit, rastet e studimit janë:
Rasti 1: Krrabë, rruga Tiranë-Elbasan, kilometric i 20-të
Rasti 2: Plazhi Gjeneralit, rrethi Kavajë
Siç shikohet edhe nga informacioni i dhënë më sipër, rezulton se trajtimi i shkurreve me fokus konvertimin e tyre në dushkaja, nuk ka qënë pjesë e asnjë studimi më herët në vendin tonë dhe për këtë qëllim, kryerja e një studimi të tillë do të ishte me shumë interes.
Qëllimi i studimit
Nisur nga të dhënat e papublikuara të Inventarit Kombëtar të Pyjeve në vitet 2018-2020, rezulton se sipërfaqet me shkurre që kanë arritur fazën e pjekurisë (27,065 ha) dhe atë të moçme (3,184 ha), janë sipërfaqe potenciale për trajtimin e tyre me prerje përfundimtare dhe për fillimin e punës për konvertimin e tyre në cungishte. Qëllimet e studimit janë:
(i) të evidentojë rrugën për trajtimin dhe konvertimin në cungishte
(ii) të përcaktohen disa nga treguesit dendro-auksometrikë më kryesorë të shkurreve
(iii) përfshirja e punimeve silvikulturore dhe të konvertimit të shkurreve në cungishte në procesin e planifikimit dhe hartimit të planeve të mbarështrimit.
Trajtimi i shkurreve
Ndërhyrjet silvikulturore të aplikuara në shkurre
Kushtet e drurëve dhe grumbujve pyjorë ndryshojnë me kohën, pasi drurët rriten në madhësi dhe ndërveprojnë me bimët e tjera, kafshët dhe proceset ekologjike. Trajtimet silvikulturale aplikohen për të ndryshuar ose ruajtur kushtet e drurëve apo grumbujve pyjorë. Masat për trajtimin e shkurreve ndahen në 2 grupe: masa për trajtimin ose përmirësimin e gjendjes së shkurreve dhe masa për shfrytëzimin e shkurreve. Në grupin e parë përfshihen këto ndërhyrje; prerje nga poshtë, pastrime dhe rrallime, kurse në grupin e masave për shfrytëzim përfshihen prerjet përfundimtare të cilat zbatohen në ato ngastra ku shkurret e kanë arritur moshën e shfrytëzueshmërisë (> 15 vjeç). Nëpërmjet pastrimeve apo rrallimeve synohet që drurët që do të mbesin, do të zhvillojnë diametrin e tyre dhe do të realizojnë rritje në diametër dhe lartësi më të mëdha sesa kur grumbulli ishte i parralluar. Duke bërë kombinimin e disa trajtimeve në një sistem silvikultural, impakti mbi rritjen dhe prodhimtarinë në të ardhmen do të jetë më i madh. Rrallimi zvogëlon vdekshmërinë (ose e shpëton atë para se të ndodhë) duke zvogëluar numrin e drurëve për hektarë. Drurët e mbetur kanë më shumë hapësirë dhe substanca ushqyese në dispozicion dhe zakonisht rriten më shpejt e janë më të shëndetshëm. Duke rralluar në intervale të rregullta kohore, mund të sigurohet të shmanget stresi për shkak të mbipopullimit. Drurët e rralluar mund të zhvillojnë sisteme më të forta rrënjore dhe janë më pak të prirura për t’u rrëzuar nga era. Përbërja e specieve të një grumbulli pyjor mund të ndikohet gjithashtu nga rrallimi, psh, në varësi të llojeve të drurëve që priten dhe për ato të cilat do të ruhen. Nëse qëllimi është që të sigurohet lëndë punimi apo dërrasë, rrallimet duhet të fokusohen në zhvillimin e drurëve me trungje me dimensione të mëdha. Në këtë mënyrë rrallimi përmirëson kushtet e rritjes së drurëve ne grumbull, rregullon përbërjen e specieve, përmirëson cilësinë e drurëve dhe vlerën ekonomike të grumbullit pyjor. Zgjedhjet jo të sakta të individëve që do rrallohen, mund të çojnë në uljen e cilësisë dhe të vlerës ekonomike të grumbujve pyjorë (psh, largimi i drurëve më të mirë dhe lënia e drurëve me cilësi më të dobët). Për këtë arsye planifikimi i saktë i rrallimeve do të çojë jo vetëm në rritjen e vlerës së materialit drusor, por edhe të fitimeve në terma monetare. Ndërsa prerjet përfundimtare klasifikohen në prerje rrah, prerje në breza dhe prerje me çeltira dhe kanë si qëllim vjeljen e materialit drusor nga grumbulli pyjor.
Trajtimi silvikulturor për konvertimin e shkurreve në cungishte
Qëllimi i dytë i studimit është konvertimi i grumbullit pyjor i regjimit shkurre në cungishte për një periudhë kohore afatmesme deri afatgjatë. Për të realizuar qëllimin e këtij studimi, bazuar në eksperiencën e deritanishme (rasti në Farkë) rruga që do të ndiqet për konvertimin e sipërfaqes me shkurre në cungishte është përshkruar më poshtë.
Zgjedhja e specieve që do të rrallohen
Zgjedhja e specieve është një hap shumë i rëndësishëm për fillimin e proçesit të konvertimit të shkurreve në cungishte. Speciet pyjore mund të kenë kërkesa shumë të ndryshme përsa i përket lëndëve ushqyese të tokës dhe burimeve të lagështisë apo dritës dhe në këtë rast, qasja që mbetet është krahasimi i kërkesave të specieve me kushtet e reja të krijuara në grumbull pyjor pas rrallimit të disa specieve. Në rastin e studimit qëllimi është favorizimi i specieve si shparthi e dëllinja e kuqe, si bimë me rëndësi ekonomike për frutat e saj, frashëri i bardhë dhe shkoza të cilat do të përbëjnë gjeneratën e re të grumbullit cungishte. Lënia e këtyre specieve është bërë me qëllimin e krijimit të një grumbulli të përzier i cili ka mjaft avantazhe krahasuar me grumbujt e thjeshtë po të marrin në konsideratë edhe ndryshimet klimatike.
Rrallimi i grumbullit në këmbë
Pas përcaktimit të specieve të interesit në grumbullin e studiuar u prenë rrah të gjithë ekzemplarët që i përkisnin llojeve si: mareja (A. unedo), krifsha (Ph. latifolia) dhe shqopa (E. arborea). Materiali drusor që u nxorr nga prerja u vendos jashtë parcele dhe më pas u stivos në stivë ku edhe u mat volumi i materialit drusor të përftuar nga prerja rrah. Nga matja e volumit në stivë rezultoi se ky volum është 0.374 m3/500 m2 ose 7.5 m3/ha. Kjo e dhënë do shërbejë për të treguar sasinë e materialit drusor ose prodhimtarinë e sipërfaqeve me shkurre në bashkinë Gramsh. Për të mbrojtur sipërfaqen e tokës nga zbulimi i menjëhershëm, disa mbeturina shfrytëzimi u shpërndanë në brendësi të ngastrës pyjore me qëllim mbrojtien e sipërfaqes së tokës së zbuluar nga forca goditëse e pikave të shiut dhe uljen e mundësisë së zhvillimit të fenomenit të erozionit sipërfaqësor.
Një pjesë e materialit drusor me dimensione të vogla (nën 2 cm) do të përdoret për të krijuar disa gardhe çifte në sipërfaqen e kullotës, e cila ndodhet pranë objektit të rralluar me qëllim që të frenojmë erozionin në thellësi, zhvilluar në këtë kategori të territorit.
Grumbulli 1 ndodhet në objektin me emrin lokal Bregu i Aranitasit, parcela 33a dhe bën pjesë në ekonominë pyjore Lumar. Ngastra ka një sipërfaqe prej 45.78 ha dhe në të nuk janë kryer trajtime silvikulturore ose prerje përfundimtare. Objekti i studimit përfaqëson një grumbull pyjor me shkurre mesdhetare ku llojet më kryesorë janë: Mareja (Arbutus unedo L.) e cila zë rreth 59% e ndjekur nga shqopa (Erica arborea L.) dhe frashëri i bardhë (Fraxinus ornus L.), kurse llojet me pjesëmarrjen më të vogël janë mreta (Phillyrea latifolia L.) dhe dëllinja e kuqe (Juniperus oxycedrus L.). Ngastra 33a ka një kundrejtim verilindor, një pjerrësi që shkon deri në 60% dhe një altitudë prej 298 m mbi nivelin e detit.
Elvin TOROMANI
Departamenti i Pyjeve, Fakulteti i Shkencave Pyjore, UBT.
Rexhep Ndreu
Federata Kombëtare e Pyjeve