Çfarë është Mjekësia Veterinare?

Mjekësia Veterinare është degë e mjekësisë që merret me parandalimin, diagnostikimin dhe mjekimin e sëmundjeve dhe mirëqenien e kafshëve. Mjeku veteriner në punën e përditshme përballet me një spektër të gjerë çështjesh të komplikuara, por edhe mundësish për të ndikuar pozitivisht në zhvillimin e shoqërisë. Për përgjigjet në lidhje me shëndetin dhe mirëqenien e kafshëve, si dhe rregulloret e ndërlikuara qeveritare, FAQ-ja jonë digjitale përbën rrugën më të shpejtë dhe më efikase.

Pse duhet të studiojmë Mjekësi Veterinare?

Një diplomë në Mjekësinë Veterinare do t’ju përgatisë për një karrierë sfiduese, por të dobishme. Përveç përmirësimit të shëndetit dhe jetës së kafshëve, ju do të ndikoni në përmirësimin e mirëqenies së pronarëve të kafshëve dhe shoqërisë. Çdo ditë mund të jetë e ndryshme pasi do të hasni me shumë llojshmëri speciesh dhe problematika të ndryshme të tyre të cilat do të kërkojnë ekspertizën tuaj. Ju gjithashtu do të takoni shumë njerëz dhe do të keni mundësi të punoni në një larmi komunitetesh.

Si kontribuojnë mjekët veterinerë në shoqëri?

Mjekët veterinerë janë profesionistë kryesorë të shëndetit të kafshëve dhe njeriut. Ata janë të pajisur me njohuri teorike dhe praktike dhe janë aftësuar për të trajtuar profesionalisht kafshët. Kontributi i tyre në shoqëri është më shumë sesa thjesht trajtimi i kafshëve shtëpiake. Mjekët veterinerë janë profesionistët e vetëm të cilët garantojnë dhe vlerësojnë gjendjen shëndetësore dhe mirëqenien e kafshëve shtëpiake, kafshëve të egra duke përfshirë edhe ato të kopshteve zoologjike. Kafshët kanë rëndësi jo vetëm për sigurimin e ushqimit, por edhe për industrinë e veshjeve, atë farmaceutike, për punë kërkimore, edukim, shoqërim dhe argëtim. Ato kontribuojnë në shëndetin publik, sigurinë ushqimore, kërkim biomjekësor, mbrojtjen e mjedisit dhe edukimin e publikut.

Disa arsye për të studiuar Mjekësi Veterinare dhe përse duhet të zgjidhni këtë fushë edukimi.

  1. Kujdesi për kafshët

Nëse i doni kafshët, atëherë Mjekësia Veterinare do t’ju pajisë me njohuritë e nevojshme për ta bërë jetën e tyre më të mirë. Ju mund të luani një rol të madh në përmirësimin e mirëqenies së kafshëve, si gjatë punës për parandalimin e sëmundjeve ashtu edhe kur ndihmoni në lehtësimin e vuajtjeve të kafshëve.

  1. Profesion interesant dhe i kërkuar

Jeta si veteriner mund të jetë sfiduese, por ka të ngjarë të jetë me ritme të shpejta, e larmishme dhe interesante. Çdo ditë mund të jeni duke punuar me kafshë të ndryshme, duke hulumtuar zona të reja ose duke ndihmuar në projekte në shkallë të gjerë në mjedise unike.

  1. Perspektivë e shkëlqyer për të diplomuarit

Ekspertët në këtë fushë profesionale janë gjithmonë të kërkuar. Kjo do të thotë që ju do të keni një shans shumë të lartë për të siguruar punësim profesional brenda gjashtë muajve nga diplomimi.

  1. Mundësi punësimi

Profesioni i mjekut veteriner është gjithmonë i kërkuar dhe të gjitha kuotat e pranimit në Fakultetit e Mjekësisë Veterinare janë plotësuar gjithmonë. Tregu i punës në këtë sektor ofron shumë mundësi punësimi për mjekët veteriner menjëherë pas diplomimit. Në të njëjtën kohë, gjatë viteve të fundit disa mjekë veterinerë janë punësuar dhe në klinika të ndryshme veterinare në Europë. Të diplomuarit në Fakultetin e Mjeksësisë Veterinare kanë mundësi të shumta punësimi si:

  • Mjek veteriner privat, në terren ose në klinika veterinare private.
  • Në farmaci dhe depo farmaceutike veterinare
  • Në stabilimente të ndryshme blektorale; pulari, komplekse të rritjes së derrava, komplekse të rritjes së gjedhit për mish/qumësht.
  • Në Autoritetin Kombëtar të Ushqimit.
  • Në Drejtoritë Rajonale të Shërbimit Veterinar.
  • Në Institutin e Sigurisë Ushqimore dhe Veterinarisë.
  • Në ministrinë e Bujqësisë dhe Ushqimit.
  • Në Institutin e Shëndetit Publik
  • Në qendrat e transferimit të teknologjive
  • Në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare
  • Në projekte të Bashkimit Europian
  • Në laboratorë të ndryshëm privatë veterinarë
  • Si epidemiologë dhe statisticienë
  • Në projekte kërkimore
  1. Kompetenca të transferueshme profesionale

Nuk duhet të shqetësoheni nëse në të ardhmen, mendoni se preferoni një karrierë që nuk lidhet drejtpërdrejt me Mjekësinë Veterinare. Përveç aftësive specifike që do të mësoni, do të zhvilloni kompetenca të transferueshme profesionale si komunikimi, organizimi dhe menaxhimi i kohës. Këto do të jenë të dobishme për shumë punëdhënës në një larmi pozicionesh pune. 

  1. Praktika klinike

Kurset e Mjekësisë Veterinare priren të jenë shumë praktike, duke ju dhënë përvojën dhe aftësitë e kërkuara për të hyrë drejtpërdrejt në tregun e punës. Ato zakonisht përfshijnë module të praktikës klinike ku ju punoni së bashku me profesionistë. Ju gjithashtu do të punësoheni në industri ku zbatoni njohuritë dhe aftësitë tuaja praktike në situata të jetës reale. Përvoja rrit perspektivat tuaja të punësimit dhe ju ndihmon të filloni ndërtimin e rrjetit tuaj profesional.

Cili është fokusi i studimit në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare?

Fakulteti i Mjekësisë Veterinare ka për qëllim të sigurojë edukimin dhe trajnimin e studentëve të mjekësisë veterinare bazuar në aktivitete didaktike, profesionale dhe kërkimore. Stafi përpiqet të përmbushë standardet e profesionit veteriner në Evropë në fushat e shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve si dhe shëndetit publik, duke përfshirë kujdesin për sigurinë ushqimore me origjinë shtazore dhe parandalimin dhe përhapjen e sëmundjeve ngjitëse për kafshët dhe atyre që kalojnë prej tyre në njerëz.

Ç’njohuri duhet të ketë një student i shkollës së mesme për t'u përgatitur për një karrierë në mjekësinë veterinare?

Mjekësia veterinare përfaqëson një degë shumë konkuruese dhe kërkon rezultate të larta dhe aftësi të shumta. Përveç dashurisë për kafshët dhe përkushtimit për punën, për të konkuruar me sukses në mjekësi veterinare, një student i shkollës së mesme duhet të ketë një formim shumë të mirë në lëndë të tilla si biologji, kimi, fizikë dhe njohuri të mira në shkencat kompjuterike dhe matematikë. Njohuritë në lëndët që i përkasin gjuhësisë, gjuhëve të huaja dhe sidomos shkencave shoqërore, janë gjithashtu të nevojshme pasi aftësitë në komunikimin ndërpersonal dhe profesional janë shumë të rëndësishme në mjekësinë veterinare.

A është e rëndësishme përvoja veterinare?

Po, duhet të filloni që në moshë të re duke punuar edhe vullnetarisht në mbikqyrjen e një mjeku veteriner. Kërkohet përvojë me sa më shumë specie dhe jo vetëm me qentë dhe macet.

Kujt i rekomandojmë të studiojë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare?

Individët që dëshirojnë të studiojnë në Fakultetin e Mjekësisë Veterinare duhet të jenë të apasionuar për shkenca mjekësore, për sigurinë ushqimore, mirëqenien e kafshëve, duhet të jenë këmbëngulës, korrektë, të vetëdijshëm për sfidat dhe mundësitë e profesionit të mjekut veteriner. Gjendja shëndetësore e një kandidati duhet ta lejojë atë të kryejë punë praktike në terren, ai/ajo duhet të ketë dëshirë për të fituar përvojë në terren, të jetë mjaft i/e komunikueshëm, i/e pavarur dhe i/e bindur psikologjikisht në marrëdhëniet me njerëzit. Ai/ajo duhet të ketë qëndrim njerëzor ndaj kafshëve, ndjenjë përgjegjësie dhe aftësi për përpikmëri, rregull dhe disiplinë si dhe aftësinë për të ndërmarrë veprime të shpejta në mënyrë të pavarur në rast emergjence ose ndodhjes në situata të papritura. Programi ofron mundësi karriere kryesisht për kandidatët që dëshirojnë të punojnë me kafshët e fermës dhe ato të shoqërimit, të jenë pjesë e ekipeve të kontrollit të sëmundjeve të kafshëve, të punojnë në industrinë e përpunimit të ushqimeve, industrinë farmaceutike ose institucionet veterinare të përfshira në kërkime dhe autoritet veterinare.

Çfarë studiohet në Mjekësinë Veterinare?

Studimet veterinare mund të ndahen në tre nivele të lidhur ngushtësisht midis tyre:

Niveli i formimit bazë kryhet në vitet e para ku studentët marrin njohuri mbi bazat e shkenca të mjekësisë veterinare. Specifikisht studiohen anatomia dhe fiziologjia  e kafshëve si dhe bazat e mbarështimit të tyre. Për më tepër zhvillohen lëndë të tilla si biologjia, zoologjia, botanika, gjenetika, biologjia qelizore, kimia, biofizika, biometria, informatika, mikrobiologjia dhe parazitologjia. Studimet paraklinike i japin studentit një pasqyrë në proceset që ndodhin në organizmin e kafshës së sëmurë si dhe aftësitë elementare në diagnostikimin e sëmundjes.

Niveli i formimit paraklinik ose niveli i dytë fokusohet në shkencat paraklinike, në marrëdhëniet midis shëndetit të njeriut dhe kafshëve, zoonozat dhe modulet që lidhen me shëndetin publik veterinar.

 Niveli i formimit klinik ose faza e tretë apo studimet klinike, bën të mundur që lektorët t‘u komunikojnë studentëve njohuri të thella mbi sëmundjet më të zakonshme të specieve të ndryshme të kafshëve (përfshirë shpendët, bletët, peshqit dhe akuakulturën) me theks tek diagnoza, trajtimi dhe parandalimi i tyre. Trajnimi praktik zhvillohet në Klinikën e Kafshëve të Vogla dhe në Fermën Didaktike e Eksperimentale të Universitetit. Studentët gjithashtu fitojnë njohuri të gjera të shëndetit publik veterinar, të legjislacionit veterinar dhe sistemit shtetëror të kontrollit veterinar. Për më tepër, ata marrin pjesë në punët praktike në struktura veterinare, në ferma dhe sektorë të industrisë ushqimore (trajnim jashtë fakultetit në klinika dhe aktivitete profesionale të organizuara në terren), me synim fitimin e njohurive dhe aftësive të nevojshme për të ardhmen e tyre profesionale. Gjatë viteve të fundit mjekësia veterinare po shihet gjithnjë e më shumë si pjesë e konceptit “Një Shëndet” i cili bazohet në ndërveprimin midis shëndetit të kafshëve, shëndetit human dhe mjedisit. Kjo filozofi lidhet me profesionin e mjekut veteriner për shkak të rolit të tij në parandalimin e sëmundjeve zoonotike, sigurinë ushqimore, kërkimet në shkencat biomjekësore dhe mjekësi krahasuese.

Si do të vlerësohen studentët?

Programi është përshtatur sipas Direktivës 2005/36/EC në përputhje me strukturën e Bolonjës dhe me kohëzgjatje normale, respektivisht pesë vite akademike e organizuar me 300 kredite. Metodat e mësimdhënies janë sipas kërkesave të Zonës Evropiane të Arsimit të Lartë (EHEA). Titulli akademik që ju akordohet në përfundimin e studimeve, është Mjek Veteriner. Fusha e Studimit është Shkenca Agrikulturore dhe Veterinarisë. Gjatë gjithë viteve të studimit  përdoren një larmi metodash mësimdhënieje dhe vlerësimi. Llojet e vlerësimit mund të përfshijnë teste me shkrim, ekzaminime praktike, vëzhgime klinike dhe detyra a projekte kursi.

Cilat janë kompetencat profesionale që studentët duhet të fitojnë gjatë studimeve të tyre?

Gjatë studimeve të tyre, studentët duhet të fitojnë aftësitë e mëposhtme:

  • Njohuri për anatominë e kafshëve shtëpiake, karakteristikat e tyre gjenetike dhe fiziologjike dhe arsyet për shfaqjen e ndryshimeve patologjike;
  • Njohuri në lidhje me mbarështimin dhe riprodhimin e kafshëve, ushqimin e kafshëve, racat dhe seleksionimin, fiziologjinë e tretjes dhe atë endokrine, karakteristikat e bimëve të dëmshme, racionimin e foragjerëve dhe ushqimit, higjienën e kafshëve dhe mjedisit dhe teknikat e mbarështimit;
  • Njohuri për burimet dhe shkaqet e sëmundjeve të kafshëve, rrethanat e shfaqjes së tyre, veçanërisht ato që çojnë në shfaqjen e sëmundjeve ngjitëse dhe parazitare, në mënyrë që të fitojnë aftësi në diagnostikimin dhe trajtimin e kafshëve;
  • Njohuri për ekonominë veterinare;
  • Njohja e legjislacionit, parimeve të etikës veterinare dhe procedurave administrative në mjekësinë veterinare.

Pas përfundimit të programit të integruar universitar në mjekësinë veterinare, studentët fitojnë aftësi dhe kompetenca profesionale për: trajtimin e kafshëve, zgjidhjen e çështjeve në shëndetin publik veterinar, mbrojtjen e njeriut dhe mjedisit, diagnostikimin në terren, klinik dhe laboratorik, kontrollin e parandalimin e sëmundjeve infektive dhe zoonozave, planifikimin dhe pjesëmarrjen në programet për zhvillimin dhe përmirësimin e kushteve në fermat blektorale dhe prodhimin e ushqimit me origjinë shtazore, zhvillimin e të gjitha formave të mbrojtjes së kafshëve dhe mjedisit, dhe etikën në komunikim dhe marrëdhëniet ndaj kafshëve.

Cilat janë aftësitë më të rëndësishme që duhet të ketë një veteriner?

  • Dhembshuria ndaj kafshëve
  • Aftësi komunikimi
  • Aftësi e të menduarit kritik dhe zgjidhja e problemeve
  • Aftësi në menaxhimin optimal të kohës dhe aftësi organizative
  • Aftësi shkencore

Cilat janë mundësitë pasuniversitare?

Pas studimeve universitare ekzistojnë mundësi të shumta për avancimin e njohurive dhe aftësive veterinare në praktikat klinike, diagnostike, mjekësi parandaluese, siguri ushqimore, industri farmaceutike etj. Të diplomuarit mund të studiojnë në fusha të tilla si shëndeti dhe ruajtja e botës së egër, imunologjia, biologjia e infeksionit, shëndeti global, parazitologjia, një shëndet dhe farmaci. Gjithashtu, mund të specializoheni në profile që kanë lidhje me specie me interes si kafshët e fermës, kafshët ujore apo kafshët e shoqërimit.

Pse është i rëndësishëm shëndeti i kafshëve?

Monitorimi i shëndetit të kafshëve dhe parandalimi i shpërthimeve të sëmundjeve të kafshëve ndihmon në mënyrë të drejtpërdrejtë në sigurinë ushqimore dhe zhvillimin ekonomik të vendit. Parandalimi dhe kontrolli i sëmundjeve zoonotike përbën një nga sfidat kryesore të Mjekësisë Veterinare. Ajo bazohet në faktin që kafshët e shëndetshme garantojnë produkte ushqimore të sigurta që rrisin ekonomitë familjare dhe ulin përdorimin e medikamenteve veterinare. Shumë sëmundje zoonotike karakterizohen nga një përhapje e shpejtë dhe në shkallë të gjerë. Ndryshimet klimatike gjatë viteve të fundit kanë favorizuar shfaqjen e shumë sëmundjeve kontagioze(ngjitëse) dhe zoonotike në vende dhe rajone kur ato nuk kanë egzistuar më parë, psh. sëmundja e lopës së çmendur që shkaktoi humbje të mëdha ekonomike dhe humbje jete në njerëz.

Si ndërlidhet shëndeti i kafshëve me shëndetin e njeriut?

Afërsisht 61% e sëmundjeve në njerëz e kanë origjinën nga kafshët. Për shkak të kontakteve dhe ndërveprimeve me kafshët dhe produktet e tyre, njeriu është i riskuar të ekspozohet ndaj agjentëve potencialisht zoonotikë që ato mbartin. Njohja e situatës së sëmundjeve në kafshë shërben si sinjal për të vlerësuar mundësinë e shpërthimeve të tyre në njerëz.

Çfarë kuptojmë me “shëndet publik veterinar“?

Shëndeti publik është shkenca e mbrojtjes dhe përmirësimit të shëndetit dhe mirëqenies së njeriut. Kjo arrihet duke promovuar mënyra të shëndetshme jetese, identifikimin, parandalimin dhe përgjigjen ndaj sëmundjeve infektive. Siguria ushqimore përbën një nga fushat më të rëndësishme për konsumatorin. Mjeku veteriner luan një rol tepër të rëndësishëm në garantimin e sigurisë ushqimore përgjatë gjithë zinxhirit të prodhimit të ushqimit. Bazuar në rolin që luan mjeku veteriner në konceptin nga “Ferma në Tavolinë”, sot shumë fakultete të Mjekësisë Veterinare kanë zhvilluar kurikula të veçanta që kanë në fokus vetëm Sigurinë Ushqimore. Kontrolli i produkteve me origjinë shtazore ka ndikim të drejtpërdrejtë në shëndetin e popullatës dukë reduktuar patologjitë me origjinë shtazore, uljen e numrit të personave që shtohen në spital dhe uljen e përdorimit të medikamenteve të ndryshme, sidomos antimikrobikëve.

Si kontribuojnë mjekët veterinarë në shëndetin publik?

Mjeku veterinar kontribuon në përmirësimin e shëndetit publik duke përmirësuar programet e parandalimit të sëmundjeve zoonotike, duke përmirësuar sistemet e prodhimit, përpunimit dhe inspektimit të ushqimit, pjesëmarrjes dhe impaktit në kërkimet bio-mjekësore dhe krahasuese, ruajtjen e shëndetit të mjedisit dhe ekosistemit dhe duke ndihmuar në menaxhimin e sfidave të shëndetit publik.

Cili është fokusi kryesor i shëndetit publik?

Në shëndetin publik fokusi është në promovimin e shëndetit dhe parandalimin e sëmundjes/dëmtimit, në kontrast me modelin mjekësor të kujdesit, i cili përqendrohet më shumë në diagnostikimin dhe trajtimin e sëmundjeve dhe kushteve pasi ato të ndodhin. Parandalimi i patologjive dhe ruajtja e shëndetit të popullatës është një fushë dinamike me zhvillim të vazhduar.

Çfarë kuptojmë me konceptin “Një Shëndet”?

Koncepti “Një Shëndet“ është një përpjekje integruese e disiplinave të shumta që punojnë në nivel lokal, kombëtar e global, për të arritur një shëndet optimal për njerëzit, kafshët dhe mjedisin.

Çfarë kuptojmë me mirëqenie të kafshëve?

Koncepti “Mirëqenie e Kafshëve” presupozon në përgjithësi cilësinë e jetës së një kafshe e perceptuar nga ajo vetë. Mirëqenia e kafshëve në kompleksitetin e saj nuk përfshin vetëm shëndetin dhe mirëqenien fizike të kafshëve por edhe mirëqenien psikologjike dhe kapacitetin për të shprehur sjelljen e tyre natyrale.

Mirëqenia e kafshëve është përcaktuar si “shmangie e abuzimit dhe shfrytëzimit të kafshëve nga ana e njerëzve duke ruajtur standardet e duhura të akomodimit, të ushqyerit dhe kujdesit të përgjithshëm, parandalimin dhe trajtimin e sëmundjes dhe sigurimin e lirisë nga ngacmimet dhe parehatitë e panevojshme dhe dhembjet”.

Niveli i mirëqenies së kafshëve në regjimin e mbarështimit është direkt proporcional me gradën e adaptimit në një ambient jo natyral, kapacitetit për t’u përballur me vështirësitë dhe shpejtësinë e aktivizimit dhe përfundimit të proceseve relative psikologjike, fiziologjike dhe biokimike. Për çdo lloj kafshe, arritja që të përballojë një situatë të pafavorshme, do të thotë të ketë një gradë të mirë kontrolli të ekulibrit të saj si dhe një stabilitet fizik dhe mental.

Kafshës i duhet siguruar ujë, ushqim, trajtim i duhur, kujdes shëndetësor dhe një mjedis i përshtatshëm për kujdesin dhe përdorimin e tyre, me konsideratë në mendime për specie – tipike të biologjisë dhe sjelljes. Kafshët duan kujdes në mënyrë që të minimizojnë frikën, dhembjen, stresin dhe vuajtjen. Procedurat në lidhje me strehimin e kafshëve, menaxhimin, kujdesin dhe përdorimin duhet të vlerësohen në vazhdimësi dhe kur prishen, duhet të rregullohen.

Vlerësimi i “5 lirive” nënkupton të drejtat e kafshëve për të ngrënë e pirë ujë, për qetësi e shlodhje, për të mos patur dhembje e dëmtime, për jetesë normale në habitatet e tyre si dhe për të mos patur shqetësime e strese. Sipas Shoqatës Botërore të Veterinarisë, meqenëse kafsha nuk gëzon të drejtën e zgjedhjes së opsioneve, “5 liritë” duhen kuptuar si 5 gjërat më të domosdoshme jetike, krejt esenciale, që pajtohen me konceptin human të ekzistencës së kafshëve.

Këto asnjëherë nuk duhen konsideruar si një luks. Kjo mirëqenie e kafshëve arrihet nëpërmjet standardeve ligjore që lidhen me shkeljet e të drejtave të kafshëve dhe garantimin e lirive të tyre, të cilat vendosen dhe mbrohen me anën e ligjeve. Organizata Ndërkombëtare e Mbrojtjes së Kafshëve e konsideron MQK-ën të lidhur ngushtë me termat e 5 lirive dhe të drejtave universale të kafshëve, të cilat sipas principeve ndërkombëtare janë:

  1. Liria ndaj urisë dhe etjes, e cila arrihet nëpërmjet realizimit të aksesit të kafshëve për ujë të freskët dhe një dietë ushqimore që siguron mbajtjen e shëndetit dhe të forcës së tyre;
  1. Liria ndaj diskonfortit (mungesës së qetësisë dhe shlodhjes), që mundësohet duke u siguruar kafshëve një mjedis të përshtatshëm ku përfshihet strehimi i mbuluar dhe hapësira e nevojshme shlodhëse (për t’u shtrirë);
  1. Liria ndaj vuajtjes prej dhembjes, plagosjes, dëmtimit apo sëmundjes e cila ka të bëjë me vendosjen e shpejtë të diagnozës, me marrjen e masave të profilaksisë dhe kryerjes së mjekimit;
  1. Liria ndaj sjelljes normale brenda habitatit që nënkupton mundësinë e shprehjes apo manifestimit të veprimeve normale dhe pa sforco të kafshëve në habitatet e tyre. Kjo bëhet e mundur nëpërmjet sigurimit të hapësirave të mjaftueshme, fasiliteteve të ndryshme sa më të përshtatshme si dhe bashkëshoqërimit të kafshëve me kafshë të së njëjtës specie;
  1. Liria ndaj frikës, stresit, shqetësimeve dhe sikletit që arrihet duke u garantuar kafshëve kushte dhe trajtime të përshtatshme të cilat mënjanojnë vuajtjet fizike, madje edhe mendore.

MQK-ja është gjendja e individëve në përpjekjet dhe përballjet që ato bëjnë me mjedisin, përballje që përfshijnë ndjeshmërinë dhe shëndetin e tyre. MQK-ja është një term i gjerë dhe i përgjithshëm i cili përveç 5 lirive të sipërpërmendura, përmbledh të gjithë elementët kryesorë të cilësisë së jetës. MQK-ja përfshin edhe 3 “R”-të e vlefshme për kafshët e eksperimentit të përdorura për qëllime eksperimentale, të cilat janë:

  • Reduktimi i numrit të eksperimenteve (Reduction)
  • Rafinimi i metodave eksperimentale (Refinement)
  • Zëvëndësimi i metodave tradicionale të eksperimentimit me metoda alternative (Replacement)

Cili është ndryshimi i mirëqenies së kafshëve ndaj të drejtave të kafshëve?

MIRËQENIA E KAFSHËVE

  • Ne mund të përfitojme nga përdorimi i kafshëve
  • Interesat e njeriut janë parësore dhe janë mbi interesat e kafshëve
  • Kafshët përdoren si produkt ushqimor
  • Duhet të trajtojmë kafshët në mënyrë humane për interesat tona

TË DREJTAT E KAFSHËVE

  • Të përdorësh kafshët është moralisht e gabuar
  • Ne nuk duhet të përfitojmë nga përdorimi i kafshëve
  • Këto interesa janë të njëjta
  • Kafshët nuk përdoren si produkt ushqimor
  • Ne duhet të trajtojmë kafshët në mënyrë humane jo vetëm për interesat tona por edhe për interesat e tyre

Nga një vështrim i përgjithshëm duket se koncepti i të drejtave dhe lirive të kafshëve është i njëjtë me atë të mirëqenies së tyre. Në fakt, kjo nuk është e vërtetë sepse midis tyre ka ndryshime. Kështu, të drejtat dhe liritë e kafshëve, kanë të bëjnë me synimin për të mbrojtur kafshët si qenie në pronësi të njerëzve, si qenie që u përkasin njerëzve dhe përdoren prej tyre. Pra, në këtë rast mbrojtja e kafshëve është një veprim human në shërbim të kafshës apo kafshëve që disponohen nga njeriu. Nga ana e saj, mirëqenia e kafshëve nuk synon vetëm plotësimin e gamës së trajtimeve humane, por edhe shtimin e gamës së specieve të përfshira në këto trajtime. Gjithashtu, mirëqenia presupozon formimin dhe forcimin e një morali të përbashkët rreth sjelljes ndaj kafshës si subjekt dhe objekt i ligjit. Pra, MQK-ja është një term më i gjerë që lidhet me ndryshimin e cilësisë së jetës së kafshës në të gjitha dimensionet.

Kriteret si të mbajme mirëqenien e kafshëve në ekuilibër bazuar në 5 liritë e mirëqenies së kafshëve.

a. I ushqyer i mirë – mungesë urie dhe etje, pra bollëk ushqimi dhe uji;

b. Kushte mbarështrimi të mira – ambient, temperaturë komforte dhe lëvizje të lirë;

c. Shëndet të mirë – mungesë sëmundjeje, shtrëngimi plagësh dhe procedurash jo adekuate;

d. Sjellje në përputhje me llojin e kafshëve – sjellje sociale dhe natyrale, marrëdhënie të mira njeri-kafshë, status pozitiv emocional;

e. Mbrojtje nga stresi dhe frika – mungesë stresi, frikë dhe apati e përgjithshme.

Legjislacioni veterinar shqiptar mbi mirëqenien e kafshëve

  1. Kërkesa të përgjithshme për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve sanksionohet në ligjin mbi shërbimin veterinar ku flitet për lirinë e lëvizjes së kafshëve duke përcaktuar detyrimet e pronarëve për të mos kufizuar lëvizjen, aq sa të shkaktojë vuajtje apo dëmtime të panevojshme. Kur kafshët mbahen të lidhura apo të izoluara vazhdimisht ose rregullisht, varësisht nga lloji, u sigurohet hapësira e mjaftueshme për nevoja fiziologjike. Përcakton kërkesat e mirëqenies, duke theksuar se kafshët mbarështohen e përdoren në përshtatje me qëllimin e mbajtjes, nevojat fiziologjike dhe veçoritë e llojit. Ndërhyrjet kirurgjikale dhe manipulimet që shkaktojnë dhembje kryhen vetëm me anestezi. Neni 66 përcakton detyrimet e pronarëve dhe drejtuesve të fermave për të garantuar kërkesat e mbrojtjes së shëndetit dhe mirëqenies së kafshëve.
  2. Mirëqenia e kafshëve në therje dhe gjatë transportit bën fjalë për mënyrën e kryerjes së therjes dhe rastet kur ajo lejohet. Ministria miraton aktet nënligjore për mbrojtjen dhe mirëqenien e kafshëve gjatë therjes, përcakton mënyrën dhe rastet kur kryhet eliminimi i kafshëve (për çrrënjosjen e sëmundjeve infektive dhe kontrollin e infeksioneve zoonotike në kushtet e vetëmbrojtjes nga kafshët agresive, të tërbuara apo të egra, etj.), rastet kur lejohet kryerja e eutanazisë si dhe procedurat e kryerjes. Përcakton rregullat e transportit dhe kushtet e mjeteve që e kryejnë atë. Të gjitha përcaktimet ligjore synojnë respektimin e standardeve të MQK-së gjatë lëvizjes transportuese, dokumentacionet përkatëse dhe rastet përjashtimore.
  3. Kafshët e shoqërimit dhe qentë për qëllime profesionale, gjuetie e të tjera liston detyrimet e pronarëve të kafshëve (regjistrimi dhe pajisja me pasaportë, vaksinimi i detyrueshëm, sigurimi i lëvizjes, strehës e maskës mbrojtëse, evitimi i ndotjes së mjediseve publike, etj), detyron pronarët, drejtuesit e cirqeve dhe fermave të mbarështimit si dhe organizatorët e veprimtarive ku marin pjesë kafshë, të sigurojnë kushtet dhe rregullat e mbrojtjes dhe MQK-së. Përcakton rregullat e mirëqenies së kafshëve të egra, të cilat jashtë mjediseve të tyre natyrore, mbarështohen vetëm në kopshte zoologjike, akuariume, terrariume, cirqe, ferma e vivariume. Klasifikon një sërë veprimesh që bien ndesh me MQK-në, kryerjen e të cilave e ndalon ligji. Veprime të tilla janë të shumta, por përmendim p.sh. dhunën e torturën, ndërsimin e luftimet e kafshëve, ngarkesat fizike mbi aftësitë fiziologjike, bashkëstrehimi i llojeve të papajtueshme, ndërhyrjet kirurgjikale pa anestezi, etj. Përcakton ushtrimin e kontrolleve nga shërbimi veterinar për respektimin e MQK-së, duke detyruar edhe shoqatat e mbrojtjes së kafshëve të bashkëpunojnë dhe të marrin pjesë në këtë proces.

Na Ndiqni në: