Cili është fokusi i studimit të Fakultetit të Shkencave Pyjore

Fakulteti i Shkencave Pyjore është një qendër bashkëkohore moderne e edukimit universitar dhe pasuniversitar, kërkimit shkencor dhe trajnimit në fushën e pyjeve e të drurit si dhe një pikë referimi për zhvillimin e qëndrueshëm të burimeve pyjore me kontribut të drejtpërdrejtë në zhvillimin e vendit.
Fokusi i tij është të realizojë edukimin profesional e shkencor të studentëve të tij në nivelin më të lartë cilësor, që u mundëson atyre të përballojnë me sukses nevojat e tregut të punës dhe sfidat e zhvillimit të sektorit të pyjeve e drurit, përmes programeve të avancuara të arsimimit, kërkimit dhe trajnimit.

Cilat janë mundësitë e punësimit në sektorin e pyjeve dhe të drurit

Të diplomuarit në Programet e Studimit të Departamentit të Pyjeve mund të punësohen në sektorë të tillë si: Administratat e pyjeve dhe kullotave në bashki; Agjencia Kombëtare e Pyjeve dhe strukturat e saj në 4 Rajonet Kombëtare; Agjencia Kombëtare e Zonave të Mbrojtura dhe AdZM në rrethe; Struktura përgjegjëse për pyjet në nivelin e Ministrive; Shërbimi këshillimor në pyje në të gjitha nivelet; Agjensi dhe qendra të zhvillimit rural (AZHBR); Organizata joqeveritare dhe shoqata të ndryshme të cilat kanë në fokusin e tyre probleme të pyjeve, mjedisit etj.; në sektorë të ndryshëm të arsimit profesional në nivele tëndryshme apo mund të ushtrojnë profesion të lirë në fushën e punimeve dhe projektimeve në pyje.

Të diplomuarit në Programet e Studimit në Departamentit të Industrisë së Drurit kanë mundësinë e punësimit në: Subjekte të industrisë së përpunimit të drurit; Studio projektimi të mobiljeve dhe të interierit; Subjektet e marketingut të produkteve me bazë druri; Qendrat tregtare të shpërndarjes së produkteve prej druri; në fusha të arsimit profesional në nivele të ndryshme si dhe mund ta aplikojnë si profesion të lirë në fushën e përpunimit të drurit dhe të dizajnit të mobiljeve.

Zhvillimet në tregun e punës për të gjithë të diplomuarit në programet e studimit të FSHP-së janë tepër pozitive. Kërkesa për punësimin e specialistëve të pyjeve dhe të industrisë së drurit vazhdon të jetë e lartë, mbështetur nga investimet në teknologji të subjekteve të industrisë së drurit dhe nga reformat decentralizuese në sektorin e pyjeve e kullotave që kanë rritur kërkesën për punësimin e inxhinierëve të pyjeve në administratat e bashkive të vendit.

Silvikultura

Silvikultura është arti dhe shkenca e kontrollit të ngritjes, përbërjes, strukturës dhe rritjes së grumbujve pyjorë për të arritur objektivat e pronarëve të pyjeve mbi baza të qëndrueshme. Njohuritë rreth silvikulturës u mundësojnë pylltarëve të njohin rrjedhën e suksesionit natyror në një territor të caktuar si dhe mënyrën e shpejtësinë e zëvendësimit dhe të ndryshimit të bimësisë ekzistuese. Këto njohuri i ndihmojnë pylltarët që të përcaktojnë se ku dhe si ta kontrollojnë suksesionin.

Objektivat kryesore të silvikulturës janë:

  • Kontrolli i përbërjes llojore dhe prodhimi i specieve me shumë vlerë ekonomike
  • Kontrolli i densitetit të grumbullit për prodhimin e vëllimit maksimal
  • Pyllëzimi i sipërfaqeve boshe dhe të degraduara
  • Prodhimi i lëndës drusore cilësore
  • Kontrolli i ciklit të prodhimit
  • Lehtësimi i menaxhimit dhe përdorimit të pyjeve
  • Krijimi i pyjeve artificiale dhe futja e llojeve ekzotike
  • Mbrojtja e tokës dhe përfitimet jo-materiale

Objektivi kryesor i silvikulturës është që pylli të sigurojë mbrojtje maksimale të stacionit, në mënyrë që të sigurohen përfitime jo-materiale nga pyjet. Kthimet e rëndësishme jomateriale përfshijnë; moderimin e klimës, rritjen e reshjeve, zvogëlimin e erozionit të tokës dhe përmbytjet që ruajnë tokën dhe ujin, duke rritur rezervat e ujit, duke siguruar strehim për një numër të madh të kafshëve të egra, etj. Silvikultura ndihmon për të kuptuar efektet e pyjeve në mjedis.

Inventarizimi pyjor

Inventarizimi pyjor është aktiviteti grumbullit sistematik të të dhënave mbi burimet pyjore për një zonë të caktuar. Qëllimi i inventarizimit është sigurimi i një informacioni sa më të saktë mbi burimet pyjore ne një kohë sa më të shkurtër dhe me një kosto sa më të ulët. Nëpërmjet inventarizimit të pyjeve synohet të vlerësohet gjendja aktuale e burimeve pyjore dhe informacioni përdoret në planifikimin e menaxhimit të burimeve pyjore. Inventarizimi pyjor organizohet në disa shkallë/nivele; (i) shkallë kombëtare; (ii) shkallë rajonale; (iii) shkallë qarku dhe (iv) nivel grumbulli pyjor.
Inventarizimi pyjor realizohet sipas këtyre hapave; përcaktimi i objektivave të inventarizimit dhe informacionit të nevojshëm, përcaktimi i skemës së kampionimit dhe metodat përkatëse, grumbullimi i të dhënave nëpërmjet matjeve në terren, teknikave të ‘’remote sensing’’ ose burimeve të tjera, analizimi i të dhënave dhe publikimi i rezultateve.
Në varësi të madhësisë së zonës që inventariziohet dhe për shkak të kufizimeve kohore apo financiare, inventarizimet kryhen duke përdorur teknikat e kampionimit. Zgjedhja e teknikës së kampionimit bëhet duke marrë për bazë disa faktorë. Në ditët e sotme inventarizimi pyjor po konsiderohet si një inventarizim shumëqëllimësh duke dhënë kontribut në mjaft fusha nëpërmjet informacionit që ai siguron. Me qëllim rritjen e saktësisë dhe uljen e kostos së matjeve në kuadër të inventarizimit pyjor po përdoren gjithnjë e më shumë teknikat e remote-sensing si; fotot ajrore, imazhet satelitore, LiDAR, dronët, teknikat radar dhe lazer etj. Variablat më të rëndësishëm që vlerësohen nga matjet në kuadër të inventarizimit pyjor janë; diametri, lartësia e drurëve, gjendja shëndetsore, volumi në këmbë, rritjet në volum, biomasa, sasia e karbonit të stokuar etj.

Mbarshtrimi i qëndrueshëm e shumëfunksionale i pyjeve

Në vitin 1987 në raportin e Komisionit Botëror mbi Ambjentin dhe Zhvillimin (WCED) u definua zhvillimi i qëndrueshëm “si zhvillim që respekton nevojat e gjeneratave aktuale pa kompromentuar aftësimin e gjeneratave të ardhshme për të plotësuar nevojat e tyre”. Ndërkaq, në Helsinki në vitin 1993 u përcaktuan direktivat e përgjithshme në lidhje me Mbarështrimin e Qëndrueshëm të Pyjeve në Europë. Sipas tij, për mbarështrimin e qëndrueshëm të trashëgimisë sonë pyjore duhet të merren në konsideratë kriteret e mëposhtme:

  1. Mirëmbajtja dhe shtimi i përshtatshëm i burimeve pyjore si dhe i kontributit të tyre në ciklin global të karbonit në natyrë;
  2. Mirëmbajtja e ekosistemeve pyjore të shëndetshme dhe vitale;
  3. Mirëmbajtja dhe inkurajimi i funksioneve prodhuese të pyllit (produktet drusore dhe jodrusore);
  4. Mirëmbajtja, konservimi dhe shtimi i përshtatshëm i diversitetit biologjik në ekosistemet pyjore;
  5. Mirëmbajtja dhe shtimi i përshtatshëm i funksioneve mbrojtëse në mbarështrimin e pyjeve;
  6. Mirëmbajtja e funksioneve të tjera dhe e kushteve social-ekonomike.

Cili tip mbarështrimi duhet të përdorim në mbarështrimin e pyjeve

Një qëndrim i përshtatshëm me numrin e madh të Konventave Ndërkombëtare, objektivave të zhvillimit rural, objektivave të Planit Pyjor Rajonal dhe dobishmëritë e ndryshme që shoqëria shpreson nga pyjet, duhen bazuar në njohuritë për:

  1. Marrëveshjet ndërkombëtare të nënshkruara nga Bashkimi Europian, të cilat mund të atakojnë direkt ose indirekt pyjet;
  2. Objektivat pyjorë specifikë të përfshira në planin e zhvillimit rural, Planin Pyjor Rajonal dhe/ose çdo plan tjetër ekonomik zhvillimi të implementuar në shkallë lokale;
  3. Karakteristikat bioekologjike të veçanta të çdo pylli;
  4. Infrastruktura të përshtatshme dhe makineri;

Konteksti social-ekonomik në të cilin është drejtuar planifikimi.

Cfarë është shkenca e drurit?

Tërësia e njohurive me karakter aplikativ për drurin si material biologjik, duke përfshirë origjinën e tij, ndërtimin anatomik strukturor, karakteristikat dhe vetitë e tij fizike, mekanike, termike, elektrike, akustike etj. Tërësia e këtyre njohurive ndihmon shkencat aplikative të përpunimit të drurit në hartimin dhe zbatimin e teknologjive të perpunimit, dizajnit dhe marketingut të produkteve drusore.

Cfarë është teknologjia e përpunimit primar të drurit ?

Teknologjia e përpunimit primar të drurit është tërësia e njohurive inxhinierike ku përfshihen proçeset e transformimit fizik dhe kimik të lëndës së parë drusore me origjinë nga pylli, në materiale si druri i sharruar, rimeso, kompensata, pllakat e zdrukthit dhe të fibrës, pasta e celulozës etj. Këto materiale shërbejnë si lëndë e parë për konstruksionet e drurit, mobiljet, ambalazhet, letra dhe produkte të tjera me bazë druri.

Cfarë është teknologjia e trajtimit termik të drurit/tharja e drurit?

Është një nga operacionet më të rëndësishme në proceset teknologjike të përpunimit të drurit nëpërmjet trajtimit me temperatura të larta dhe që në shumë aspekte përcakton cilësinë dhe konkurrencën e produkteve të gatshme. Qëllimi i tharjes së drurit me anë të tharjes natyrale dhe/ose artificiale në dhoma tharje moderne, është shndërrimi i drurit në një material industrial me veti fiziko-mekanike, teknologjike e konsumative të përmiresuara rrënjesisht, në përshtatshmëri me kushtet termohigrometrike të ambientit ku do të përdoret produkti i gatshëm.

Cfarë është teknologjia e përpunimit mekanik të drurit?

Teknologjia e përpunimit mekanik të drurit nënkupton tërësinë e njohurive inxhinierike ku përfshihen proçeset e transformimit fizik të materialeve me bazë druri në produkte përfundimtare mobilerie dhe jo vetëm. Në këto njohuri integrohen teknikat mekanike të prerjes së drurit dhe materialeve me bazë druri, me ato kimike të ngjitjes dhe të llustrimit, duke mundësuar prodhimin e mobiljeve në harmoni me hapësirat multifunksionale.

Cilat janë konceptet bazë për projektimin e prodhimeve të gatëshme prej druri?

  • Objekti duhet ndërtuar në atë mënyrë që shformimet që lindin në nyje të veçanta si rezultat i ndryshimit të përmasave të kryhen lirshëm pa prishjen e formës dhe rezistencën e vet objektit.
  • Pjesët e veçanta të objekteve prej druri duhen ndërtuar në atë mënyrë që ndryshimet e paevitueshme të përmasave dhe formës të jenë minimale.
  • Objekti duhet ndërtuar në atë mënyrë që drejtimi i fibrave në pjesë të ndryshme të përputhet me drejtimin e veprimit të forcave ose ngarkesave të jashtme të shtypjes ose tërheqjes dhe të jetë pingule me drejtimin e veprimit të forcave të përkuljes.
  • Në përgjithësi mobiljet dhe objektet e tjera prej druri duhet të korrespondojnë me përmasat e trupit të njeriut, me përmasat e ambientit, me përmasat e banesës, me garniturat e objekteve të ruajtura dhe me përmasat e tyre etj.
  • Mobiljet dhe objektet zdrukthtare duhet të plotësojnë edhe kushtet estetike të ambientit dhe stilit arkitektonik.

Ç'kuptojmë me projektim të linjave teknologjike të përpunimit të drurit?

Me projektim të linjave teknologjike të përpunimit të drurit kuptojmë proçesin e zbatimit të njohurive inxhinierike mbi organizimin teknologjik të makinave dhe agregateve të përpunim-drurit, bazuar mbi dinamikën e performancës së tyre, në fokusin e marrëdhënieve midis parametrave teknologjikë dhe kapaciteteve të prodhimit.

Dizajni i Mobiljeve dhe Interierit

“Dizajni i Mobiljeve dhe Interierit” mundëson marrjen e njohurive mbi materialet drusore dhe materiale të tjera të përdorura në dizajn dhe njohjen e një sërë software-ëve të cilët përdoren në këtë sektor. Qëllimi i programit është të përgatisë specialistë të aftë për të dizenjuar objekte me bazë druri dhe për të organizuar interierin jo vetëm në lidhje me hapësirat e banimit por dhe në hapësira të tjera multifunksionale si; hotele, shkolla, kopshte, spitale, qendra biznesi, etj. Këta specialistë njohin më në thellësi gamën e materialeve të ndryshme me bazë druri por dhe materiale të tjera dhe detaje në ndihmë të dizajnit. Pjesë e këtyre njohurive do të jetë dhe projektimi i objekteve të vecanta, si dhe përdorimi software-ëve për dizenjim dhe llogaritje inxhinierike.

Cilat janë karakteristikat e programit ‘’Aspire’’?

Programi ‘’Aspire’’ është një program intuitive për krijimin dhe realizimin e elementëve të ndryshëm funksional ose dekorativ në makinat me komandim numerik. Ky program ka disa mundësi dhe opsione për dizenjimin e vizatimeve dydimensionale, gjenerimin e rrugës së instrumentit për prodhimin e këtyre vizatimeve në praktikë, punime të tilla si; profilimi, zbrazja, shpimi, frezimi në formë V, frezime prizmatike, frezime decorative dhe tekstura të ndryshme. Me funksionet e modelimit ne mund të krijojmë forma dhe relieve nga më të ndryshmet, duke patur edhe mundësinë e prodhimit të tyre në praktikë. Kjo realizohet me anë të mjeteve të përpunimit tredimensional të modelit si edhe të teknikave për prodhimin e objekteve tredimensionale.

Çfarë është AutoCAD?

AutoCAD është një program kompjuterik që bën pjesë në grupin e programeve që ndihmojnë në paraqitjet grafike, me anë të të cilit arkitektët, inxhinierët dhe profesionistët e tjerë I përdorin për të bërë vizatime, skica dhe skena të sakta dydimensionale ose tredimensionale me saktësi shumë të lartë. Disa nga mundësitë dhe lehtësitë që ofron ky program janë:

  • Vizatimi i modeleve dy dhe tredimensionale
  • Automatizim i detyrave dhe grupim të elementëve
  • Funksione të personalizuara

Çfarë është Maestro CNC?

Maestro CNC është programi me anë të të cilit bëhet ndërtimi i programeve të punës për makineritë me kontroll numerik të kompanisë “SCM Group”. Qëllimi i këtij programi është që të asistojë përdoruesin, operatorin që nga fillimi i projektimit deri në përfundim të realizimit të tij. Me mundësitë e përdorimit të tij si në zyrë e në terren (pranë makinave, në ambientet e prodhimit) synon që të mundësojë realizimin e operacioneve të përpunimit të paneleve sipas kërkesës. Ai është i aftë të gjenerojë programe për shpime, frezime, frezime tredimensionale dhe frezime me 5 akse.

Printeri 3d në funksion të dizajnit

Modeli Ender-3 V2 është një model shumë i suksesshëm i përdorur gjerësisht nga dizajnerë të ndryshëm për të realizuar objekte prototip dhe për qëllime testimi. Avatazh i këtij printer është volumi relativisht i lartë i punimit; punimi i qetë e pa zhurmë, saktësia e punimit etj.
Ndërtimi i tij me structure modulare, të pastër dhe solide e projektuar për të na mbrojtur nga kontakti me rrymën elektrike, mund të themi se është një paraqitje force shumë e mirë e tij.
Me anë të printerit 3d studentët mund të dizenjojnë vetë një produkt të caktuar dhe ta realizojnë atë në përmasën reale ose në shkallë. Kjo do të mundësonte një qartësim të ideve dhe evidentim të pikave të forta  ose të dobëta të produktit. Për dizenjimin e produkteve mund të përdoren programe të ndryshme të cilët mundësojnë ruajtjen e fleve si formate .stl (stereolithography).

Çfarë është dizajni?

Dizajni është një plan ose vizatim i prodhuar për të treguar pamjen dhe funksionin ose funksionimin e një objekti/strukture para se të ndërtohet. Dizajni është bashkësia e një sërë elementesh të cilët duke u kombinuar, sjellin një larmi të pafundme kombinimesh dy dhe tredimensionale.

Çfarë janë mobiljet?

Mobiljet janë objekte të arteve të aplikuara të krijuara me qëllimin e arredimit të ambienteve të brendshme në mënyrë permanente ose jo. Ndër të tjera mobiljet shërbejnë për depozitime, për punë, ngrënie, fjetje, për t’u ulur apo për relaks. Mobilja mund të përdoret si një objekt i veçantë ose si një grup që plotëson njëra-tjetrën.

Dizajni i mobiljeve

Qëllimi kryesor i kombinimit të termave mobilje dhe dizajn së bashku është të artikulojmë një disiplinë në zhvillim e cila është e krahasueshme me fushat e tjera të dizajnit.  Eshtë një fushë studimi që shtrihet përtej përmbledhjes së mobiljeve dhe dizajnit. Ai kombinon artet dhe shkencat, strategjitë e biznesit dhe marketingut dhe proceset e modelimit dhe fabrikimit. Ai përfshin mobiljet si objekte të prekshme, materialet dhe formën e ndërtuar, si dhe pjesë e një historie më të madhe të dizajnit; të informuar nga hulumtimi, idetë, të zhvilluara nga proceset e dizajnit, teoria, dobia, komoditeti, përdorimi dhe estetika. Projektimi i mobiljeve mbështetet në intuitën, gjykimin dhe aftësitë e dizajnit, parimet inxhinierike dhe njohuritë në një gamë të gjerë të disiplinave të dobishme për zgjidhjen e problemeve. Dizajnimi i mobiljeve kërkon frymëzim, një koncept ose ide dhe angazhim për t’u dhënë kënaqësi atyre që e përdorin atë.

Konsideratat që ndikojnë në atë që mendojmë dhe ndiejmë në lidhje me dizajnin e mobiljeve përfshijnë:

  • Estetikën (kuptimi i formës)
  • Precedentët historikë (shembuj nga e kaluara)
  • Parimet e dizajnit (uniteti, harmonia, hierarkia, rendi hapësinor, etj)
  • Funksionin dhe përdorimin shoqëror (ergonomi, rehati, proksemikë)
  • Proceset e dizajnit (skica, mbivendosje përsëritëse, studime modeli, modelim dixhital, prototipa pune në shkallë të plotë, kuvende kolazhi)
  • Materialin (klasifikimi, karakteristikat, vetitë, disponueshmëria, kostoja)
  • Proceset e fabrikimit (dora, fuqia, dixhitale)
  • Çështjet e dizajnit mjedisor (qëndrueshmëria, materialet e rinovueshme jashtë gazit)
  • Kontekstin përreth (vendosja hapësinore për mobiljet)

Praktikat profesionale (vendime ekonomike, ligjore dhe të biznesit)

Çfarë është "interior dizajn"?

Interior  design është arti dhe shkenca e përmirësimit të brendshëm të një ndërtese për të arritur një mjedis më të shëndetshëm dhe më të këndshëm estetikisht për njerëzit që përdorin hapësirën. Një interior designer është dikush që planifikon, hulumton, koordinon dhe menaxhon projekte të tilla.

Kur kemi të bëjmë me interior design, përveç aftësive krijuese, aspekte të tjera të rëndësishme janë përdorimi i një sërë rregullash të cilat bazohen në parimet kryesore të interior design. Elemente të tij janë; hapësira, linjat, format, drita, ngjyra, struktura dhe modeli. Përdorimi dhe ekuilibrimi i mirë i këtyre elementëve është çelësi për krijimin e një hapësire të brendshme funksionale dhe estetike. Interior design është një proces që u ofron klientëve të saj një sërë zgjidhjesh të këndshme, por efikase për një përdorim më të mirë të hapësirës. Qëllimi i dizajnit të brendshëm është të përmirësojë përvojën e përdoruesit duke menaxhuar më mirë hapësirën në dispozicion, në mjedisin e ndërhyrë. Në thelb, interior design është një mënyrë për të transformuar jetën e njerëzve që jetojnë ose shijojnë një hapësirë ​​të caktuar, duke përmirësuar cilësinë e jetës së tyre përmes dizajnit dhe dekorimit.

Na Ndiqni në: