Çfarë është Biologjia Marine
Biologjia marine është shkenca që merret me studimin e gjallesave, kafshëve dhe bimëve që jetojnë në trupat ujore, dete e oqeane. Objekt i biologjisë marine janë gjithashtu organizmat e transportuara nga pjesët e tjera të biosferës si ajri dhe toka, por në një kuptim më të gjerë, ajo përpiqet të studiojë të gjitha fenomenet jetësore që kanë të bëjnë me morinë e gjallesave që banojnë në trupat ujore marine. Një ndër qëllimet kryesore të biologjisë marine është të zbulojë se si fenomenet detare dhe oqeanike kontrollojnë shpërndarjen e organizmave. Biologët detarë studiojnë mënyrën në të cilën organizmat e veçantë përshtaten me vetitë e ndryshme kimike dhe fizike të ujit të detit, me lëvizjet dhe rrymat e oqeanit, me disponueshmërinë e dritës në thellësi të ndryshme dhe me sipërfaqe të ngurta që përbëjnë shtratin e detit. Vëmendje e veçantë i është dhënë përcaktimit të dinamikës së ekosistemeve detare, veçanërisht për të kuptuarin e zinxhirit ushqimor dhe marrëdhëniet grabitqar-pre’. Biologjia detare merret gjithashtu me efektet e formave të caktuara të ndotjes në jetën e peshqve dhe bimëve në oqeane, veçanërisht efektet e pesticideve dhe shkarkimeve urbane apo të plehrave me origjinë nga aktiviteti njerëzor, derdhjet aksidentale nga cisternat e naftës etj. Informacioni biologjik detar mbi shpërndarjen e popullatave të peshqve dhe krustaceve ka një rëndësi të madhe për peshkimin.
Çfarë është Peshkimi
Peshkimi është një nga fushat e Biologjisë Marine e cila ka në qendër të saj mbrojtjen e biodiversitetit si dhe përdorimin e qëndrueshëm të resurseve ujore. Ajo përfshin studimin e bollshmërisë së popullatave peshkore, migrimeve, sjelljeve si dhe zinxhirit ushqimor. Nëpërmjet studimeve të saj, ajo vendos në dispozicion të menaxherëve të peshkimit, informacionet e nevojshme për të patur një vendimmarrje sa më të mirë. Peshkimi nga ana tjetër është aktiviteti ekonomik i zënies së peshkut dhe prodhimeve të tjera ujore. Aktiviteti i peshkimit varion nga operacione të vogla familjare duke u mbështetur në metodat tradicionale të peshkimit deri në peshkimin komercial që kryhet nga kompanitë e mëdha që përdorin flota të fuqishme dhe teknologjinë më të përparuar. Peshkimi në shkallë të vogël kryhet zakonisht në ujëra relativisht të afërta me portet apo brigjet, ndërkohë që anijet e mëdha të peshkimit shkojnë mijëra milje larg dhe janë të pajisura për të përpunuar zeniet në bord. Për shkak të rëndësisë ekonoamike dhe sociale, aktiviteti i peshkimit drejtohet nga praktikat komplekse të menaxhimit të peshkimit dhe regjimet ligjore, që ndryshojnë shumë midis vendeve.
Çfarë është Hortikultura
Hortikultura është shkencë agronomike që kontribuon në mënyrë të qenësishme në sigurimin e ushqimit të domosdoshëm për njerëzimin dhe zbukurimin e peizazheve publike e kopshteve familjare, duke krijuar atmosferë e mirëqenie nëpërmjet kombinimit të energjisë së diellit me tokën, farën, ujin dhe aftësinë krijuese të njeriut.
Hortikultura është gjithashtu shkenca e shfrytëzimit të pemëve, perimeve dhe luleve, si për plotësimin e nevojave familjare me fruta dhe perime, ashtu edhe dekorimin e blloqeve të banimit në qendrat e banuara dhe qytete për kënaqësi estetike. Kjo është ajo që sot njihet si hortikultura urbaneapo e qyteteve dhe praktikisht është shndërruar në një ndër aktivitetet me rritjen më të shpejtë të viteve të fundit.
Hortikultura është intensive dhe e sofistikuar. Ajo ka përpunuar teknika të shumëllojshme kultivimi që ndërsa mundësojnë prodhimin e suksesshëm të perimeve dhe frutave në kushte të ndryshme klimatike dhe tokësore dhe kërcënimesh nga sëmundjet dhe dëmtuesit, plotësojnë kërkesa nga më të ndryshmet të konsumatorëve të shumëllojshëm. Ndërkohë, nëpërmjet një procesi të gjatë seleksionimi, hortikultura ka mundur të krijojë forma të përshtatshme bimësh, të afta të përshtaten me mjedise dhe praktika kultivimi nga më të ndryshmet.
Çfarë është Zooteknia dhe Siguria e Produkteve Blegtorale
Zooteknia dhe kontributet e saj në ekonominë e vendit.
Blegtoria është degë e bujqësisë, e cila bazohet në rritjen e kafshëve shtëpiake më qëllim që të fitohen të mira materiale për të ushqyerit e njerëzve, si qumështi, mishi, vezët; të lëndëve të para si lëkurët, leshi dhe plehut organik që përdoret gjerësisht në bujqësi. Shkenca mbi blegtorinë ose “Zooteknia” studion prejardhjen dhe evolucionin e kafshëve shtëpiake, karakteristikat e racave, llojeve dhe linjave, mënyrat e rritjes, rregullat e shumëzimit, të ushqyerit e drejtë të tyre, mënyrat e vlerësimit, zgjedhjen e kafshëve për riprodhim, kujdesin dhe shfrytëzimin e tyre.
Zooteknia na mëson si të kultivojmë dhe të krijojmë kafshë shtëpiake të cilat e shfrytëzojnë më mirë ushqimin dhe për njësi produkti të konsumojnë më pak ushqim dhe të japin prodhime më të larta blegtorale dhe të sigurta. Zooteknia është shkencë biologjike e zbatuar si e tillë, është shkencë relativisht e re e cila për herë të parë është ligjëruar në Institutin Agroekonomik të Versajës, në vitin 1848.
Për një pjesë të madhe të njerëzimit, blegtoria siguron një burim të besueshëm të ushqimit për komunitetet dhe një mjet për të gjeneruar të ardhura të rregullta për shtëpite e tyre. Pronarët e fermave blegtorale variojnë në madhësinë e tyre nga ferma me vetëm një ose dy lopë apo një tufë të vogël të dhive apo dele, deri në ato me mbi 50 krerë lopë e mbi 100 kokë bagëti. Do të ishte absurde të inkurajohen ata që braktisin bagëtinë e tyre dhe jetesën të bazuar në blegtori. Në vend të këtij fenomeni, fokusi duhet të jetë në përmirësimin e shëndetit dhe produktivitetin e kafshëve të tyre dhe duke zgjeruar qasjen ndaj mundësive të tregut.
Blegtoria mund të jetë një aktivitet i domosdoshëm për përmirësimin e jetesës rurale, transformimin e ekonomive rurale dhe të ushqyerit për popullatat urbane në rritje të shpejtë, të uritura për proteina esenciale dhe lëndëve ushqimore të përmbajtura në qumësht, mish dhe vezë.