Cili është fokusi i studimit në Ekonomi dhe Agrobiznes?
Studimi në Ekonomi dhe Agrobiznes përfshin një fashë të gjerë profilesh në fushën e ekonomisë me orientim më të fokusuar drejt bujqësisë. Objekti i studimit përmban analizën e strukturave prodhuese, agropërpunuese, të marketingut, të financimit, të teknologjisë së informacionit nga prodhuesi deri tek konsumatori final, si dhe hartimin e strategjive dhe politikave me fokus zhvillimin e territorit rural, harmonizuar me strategjitë e institucioneve kombëtare dhe ndërkombëtare.
Cilat janë fushat me interes studimi në “Ekonomi dhe Agrobiznes”?
Studimet në Ekonomi dhe Agrobiznes analizojnë se si funksion dhe ndryshon ekonomia dhe agrobiznesi, si ndikojnë veprimet e politikave dhe ndërlidhjeve ndërmjet aktorëve publikë dhe/ose privatë. Ato përfshijnë analizën mikro- sektoriale, rajonale të aktorëve dhe sistemeve ku agrobiznesi funksionon. Disa synime me interes kërkimi janë: Politikat bujqësore; tregjet e produkteve bujqësore; produktet dhe shërbimet bujqësore; marrëveshjet midis vendeve në zhvillim dhe vendeve te zhvilluara; bujqësi e qëndrueshme; sipërmarrja dhe menaxhimi i agrobizneseve; siguria ushqimore; zinxhiri i vlerave dhe zinxhiri i furnizimit; shpërndarja dhe shitja me pakicë; burimet njerëzore dhe kualifikimi në agrobiznese; shërbimet financiare në zonën rurale dhe agrobiznesi; menaxhimi i turizmit rural si dhe teknologjia e informacionit në agrobiznes.
Cilat janë disa nga mundësitë e punësimit në përfundim të studimeve në fushën Ekonomi dhe Agrobiznes?
Të diplomuarit në fushën e Ekonomisë dhe Agrobiznesit përgatiten për t’u punësuar në sipërmarrje prodhimi, ferma, sipërmarrje agropërpunimi, kërkim tregu, struktura turistike, agjenci, sipërmarrje me fokus rekrutimin, institucione bankare, sigurimi, auditimi, përpunimi informacioni, struktura të qeverisjes qendrore dhe lokale, institucione që prodhojnë strategji, projekte, insitucione ndërkombëtare duke shpalosur aftësitë e një profesionisti në menaxhimin e strukturave në nivel mikro si dhe në hartimin e politikave dhe strategjive në nivel makro.
Cili është kuptimi i sistemit të Agrobiznesit?
Agrobiznesi është një kombinim i fjalëve “bujqësi” dhe “biznes” dhe i referohet çdo biznesi që lidhet me prodhimin bujqësor. Kompanitë në këtë industri përfshijnë të gjitha aspektet e prodhimit të ushqimit. Agrobiznesi është një koncept që përdoret për prodhimin e produkteve bujqësore, industritë e prodhimit dhe të shpërndarjes së inputeve për bujqësinë, si dhe industritë e përpunimit të produkteve bujqësore dhe të shpërndarjes së produkteve të konsumit.
Cili është subjekti i studimit të Sistemit të Agrobiznesit?
Objekt studimi i Sistemit të Agrobiznesit është sektori i prodhimit të fermës, sektori i prodhimit dhe shpërndarjes së inputeve për bujqësinë dhe sektori i përpunimit dhe shitjes së produkteve të konsumit.
Ҫ’të veҁantë ka formimi i një menaxheri agrobiznesi?
Një menaxher agrobiznesi është një profesionist në fushën e menaxhimit të sipërmarrjeve, me aftësi profesionale të marrë vendime në kushte të veçanta që karakterizojnë sektorin bujqësor.
Ҫfarë është marketingu?
Marketingu është “një proces social dhe menaxherial’’ nëpërmjet të cilit individët dhe grupet marrin atë që ata kanë nevojë dhe duan, përmes krijimit dhe shkëmbimit të produkteve dhe vlerave me të tjerë.
Ҫ’kuptojmë me marketing të ushqimeve?
Marketingu i ushqimeve mund të përkufizohet si performanca e të gjithë aktiviteteve të biznesit të përfshira në rrjedhën e produkteve ushqimore nga pika e fillimit të prodhimit deri te konsumatori final.
Ҫfarë është Politika e Përbashkët Bujqësore Evropiane?
Politika e Përbashkët Bujqësore Evropiane (PBB), e lançuar në vitin 1962 si një nga arsyet më të rëndësihme të formimit të tregut të përbashkët Evropian, është një partneritet mes bujqësisë dhe shoqërisë dhe midis Europës dhe fermerëve të saj. Objektivat e PBB janë; (i) të mbështesë të ardhurat e fermerëve dhe të përmirësojë produktivitetin e bujqësisë për të mundësuar një ofertë të qëndrueshme e me kosto të përballueshme të ushqimit; (ii) të garantojë që fermerët ë Bashkimit Evropian (BE) të kenë një mënyrë jetese të arsyeshme; (iii) të kontribuojnë në përballimin e ndryshimeve klimatike dhe në menaxhimin e qëndrueshëm të burimeve natyrore; (iv) të ruajë dhe mirëmbajë zonat rurale dhe peisazhin në të gjithë hapësirat ruale Evropiane; (v) të mbajë gjallë ekonominë rurale, duke nxitur punësimin në nivelin e fermës, industrisë agro-ushqimore dhe sektorët e lidhur me to. PPB është një politikë e përbashkët për të gjitha vendet e BE-së. Ajo menaxhohet dhe në nivel Evropian me burimet e buxhetit të BE-së.
Ҫfarë janë financat rurale dhe bujqësore?
Financat rurale dhe bujqësore studiojnë shërbimet financiare gjithëpërfshirëse ofruar sektorit rural, më gjerë se konceptimi i hershëm si “kredi për të varfërit”. Ato fokusohen në studimin e shërbimeve alternative të financimit të investimeve bujqësore dhe jobujqësore në zonat rurale në të gjitha nivelet e të ardhurave, duke kuptuar si drejtohen burimet e veta dhe të huaja me theks përmirësimin e kapaciteteve të drejtimit financiar të ekonomive familjare rurale, financimin e zinxhirit të vlerës nëse ato krijojnë, shërbimet e sigurimeve bujqësore dhe institucionet mbështetëse formale (specifikisht; tregjet financiare rurale, tregjet e sigurimeve bujqësore, organizatat joqeveritare, qeveritë, donatorët, etj.) si dhe institucionet jo formale.
Ҫfarë është vendimmarrja financiare?
Vendimmarrja financiare është proces i marrjes së përgjegjësisë bazuar mbi qëllime financiare duke marrë përsipër përballimin e rreziqeve të mundshme në horizonte kohore të ndryshme nga individët, familjet apo ndërmarrjet e të gjitha formave juridike. Për rrjedhim dallohet vendimmarrja financiare personale, e cila studiohet nga financa personale dhe vendimmarrja financiare e ndërmarrjeve, forma më e lartë e organizimit të të cilave i përket shoqërive aksionere. Në kushtet e biznesit apo financës së ndërmarrjes, vendimmarrja financiare i përket studimit dhe zgjedhjes së alternativës apo strategjisë më të mirë duke synuar optimizimin e rezultatit lidhur me investimet, financimet, drejtimin e aktiveve dhe politikën e dividentit.
Ҫfarë kuptojmë me zhvillim rural?
Zhvillimi rural është përkufizuar si një proces shumë i ndryshueshëm, duke pasur si objektiv kryesor në të gjithë botën, mirëqenien e banorëve të zonave rurale. Mënyra e funksionimit dhe forma e tij përcaktohet dhe influencohet nga shumë faktorë të zonave rurale të një vendi. Kjo fushë i referohet së pari termit ‘’zhvillim’’, që nënkupton një ndryshim pozitiv ose më tepër një progres në një popullsi të caktuar. Që ky zhvillim të jetë rural, atëherë ai duhet të zbatohet në një zonë rurale. Në këtë mënyrë duam të tregojmë se nuk bëhet fjalë vetëm për zhvillimin bujqësor, por njëkohësisht marrim në konsideratë edhe aktivitet e tjera ekonomike. Pra, si përfundim themi se zhvillim rural quhet procesi i cili krijon mundësinë e një jetese të qëndrueshme në zonat rurale nga pikëpamja ekonomike sociale dhe mjedisore.
Ҫfarë është politika e ushqimit?
Politika e ushqimit është një kurs veprimi i qeverisë që ka si subjekt konsumatorin e ushqimit dhe synon të arrij në tre objektiva: garantimin e sigurisë së ushqimit (ushqimi duhet të jetë i sigurtë, pra të mos shkaktojë efekte të padëshiruara në organizimin e njeriut – food safety policy), politikën e sigurisë ushqimore (ushqimi duhet të jetë i disponueshëm në treg dhe çdokush duhet të ketë mjete të mjaftueshme për të blerë ushqim – food security) dhe politikën e të ushqyerit (ushqimi duhet të jetë i shëndetshëm – nutrition policy). Për arritjen e objektivave të mësipërm qeveria mund të mbështetet në tregun e lirë, informacion, edukim e këshillim, të përdorë instrumenta ligjorë e rregullatorë (të tilla si rregulla sjelljeje apo standarde produktesh e procesesh) apo instrumenta ekonomikë (taksa e subvencione). Disa herë qeverisë i duhet të ndërhyjë në mënyrë direkte për kontrollin dhe inspektimin e plotësimit të rregullave e standarteve.
Çfarë kuptojmë me turizëm?
Turizmi është lëvizja e njerëzve nga vendbanimi i tyre i zakonshëm në një vend tjetër (me synimin për t’u kthyer) jashtë mjedisit të tyre të zakonshëm për të kaluar kohën e lirë, për biznes ose qëllime të tjera për për një periudhë minimale prej njëzet e katër orësh dhe maksimale jo më shumë se një vit radhazi.
Çfarë kuptojmë me turizëm rural?
Çdo formë e turizmit që tregon jetën rurale, artin, kulturën dhe trashëgiminë në vendet rurale që i sjell komunitetit rural përfitime ekonomike dhe sociale, si dhe mundëson ndërveprimin midis turistëve dhe banorëve vendas për një përvojë më të pasur turistike, mund të përkufizohet si turizëm rural.
Çfarë kuptojmë me turizëm alternativ?
Turizmi alternativ përfshin udhëtime personale dhe autentike dhe inkurajon bashkëveprimin me mjedisin lokal, njerëzit dhe komunitetet. Turizmi alternativ përfshin paketa turistike dhe shërbime individuale turistike në zonat e mëposhtme:
a. Turizmi i bazuar në natyrë; turizmi në mjedise natyrore, ekoturizëm, turizëm në qiell të hapur dhe i aventurës duke përfshirë çiklizmin, kalërimin, skijimin, rafting, zhytjen, vizitat në shpella dhe ngjitje.
b. Turizmi kulturor: trashëgimi rurale, kulturore, etnike, fetare, verë, kuzhinë, muzikë, arte dhe zanate përfshirë dhe agroturizmin.
Çfarë kuptojmë me agroturizëm?
Agroturizmi nënkupton udhëtimin ose vizita të publikut të gjerë në fermë që kryen aktivitet bujqësor ose operacione të tjera komerciale bujqësore si blegtori, akuakulturë, hortikulturë, pylltari etj., me qëllim përfitimin e kënaqësisë së turistëve, ofrimin e programeve rekreative që mund të përfshijnë mikpritjen në vend, shërbime, udhëtime me guida ose jo, akomodime “bed and breakfast”, kopshte zoologjike për kafshët shtëpiake, festivale në ferma, festa korrjesh dhe vjeljesh, kalërim ose edukim dhe pjesëmarrje të tyre në aktivitetet e fermës si vjelje e ushqimit të vet, peshkim me pagesë dhe kampingje duke krijuar njëkohësisht edhe të ardhura për fermën. “Agroturizmi është një ofertë turistike e një lloji të ri, një hibrid midis turizmit dhe bujqësisë, e cila kënaq kërkesën turistike për produkte, shërbime bujqësore dhe akomodim të ofruara nëpërmjet një eksperience turistike në fermë”.
Çfarë ështe ekoturizmi?
Ekoturizmi përcaktohet si udhëtim i përgjegjshëm në zonat natyrore i cili ruan mjedisin, mbështet mirëqenien e vendasve dhe përfshin interpretimin dhe edukimin e dyanshëm. Ai është udhëtim i qëllimshëm në zona natyrale për të kuptuar historinë, kulturën dhe mjedisin natyror, duke u kujdesur që të mos ndryshohet integriteti i ekosistemit ndërsa krijon mundësi financiare për banorët vendas. Ai konsiston në pasurimin e përvojave personale dhe ndërgjegjësimin mjedisor përmes interpretimit, promovon mirëkuptim dhe ka vlerësim më të madh për natyrën, shoqërinë lokale dhe kulturën. Ekoturizmi është një formë e turizmit të qëndrueshëm bazuar në burime natyrore i cili përqëndrohet kryesisht në përvojën dhe soditjen e natyrës dhe rezultati të jetë me ndikim të ulët, jo konsumues dhe i orientuar në vend.
Çfarë kuptojmë me Turizëm të Qëndrueshëm?
Turizmi i qëndrueshëm nënkupton turizmin i cili është ekonomikisht i qëndrueshëm dhe njëkohësisht nuk shkatërron burimet nga të cilat do të varet e ardhmja e turizmit, veçanërisht mjedisin fizik dhe strukturën sociale të komunitetit pritës. “Ai përfaqëson aktivitet ekonomik turistik të përgjegjshëm në raport me mjedisin, i realizuar në mënyrë që të shijohet dhe vlerësohet nga konsumatori, duke promovuar ruajtjen e mjedisit, nëpërmjet minimumit të ndikimit negativ, e duke siguruar përfshirje përfituese e shpërndarje aktive socio-ekonomike tek komunitetet vendase e destinacioneve turistike”. Qëllimi i turizmit të qëndrueshëm është të rrisë përfitimet e ofruesve të shërbimit dhe të zvogëlojë ndikimet negative të shkaktuara nga turizmi i destinacioneve. Kjo mund të arrihet; duke mbrojtur mjediset natyrore, jetën e egër dhe burimet natyrore kur zhvillohen dhe menaxhohen aktivitetet turistike.
Çfarë kuptojmë me menaxhim të bizneseve turistike, agroturistike apo të turizmit rural?
Menaxhimi i këtyre lloj bizneseve bëhet nëpërmjet analizimit dhe vlerësimit të:
• Strukturës së tregut
• Raportit të Shtetit me bizneset turistike, agroturistike dhe turizmit rural
• Sjelljes organizative të bizneseve
• Rolit të burimeve njerëzore turistike, agroturistike apo të turizmit rural
• Karakteristikave të produktit turistik, agroturistik dhe të atij turistik rural
• Rolit dhe karakteristikave të marketingut në bizneset turistike, agroturistike dhe turizmit rural
• Karakteristikave të financës dhe kontabilitetit në bizneset turistike, agroturistike dhe turizmit rural
Çfarë sistemesh dixhitale përdoren në mbështetje të sistemeve të agrobiznesit?
Sistemet dixhitale janë softëare në mbështetje të sistemeve të agrobiznesit të dizenjuara kryesisht për të optimizuar dhe menaxhuar operacionet e fermave dhe aktiviteteve të prodhimit. Ato ndihmojnë në automatizimin e aktiviteteve të fermave të tilla si menaxhimi i regjistrave, ruajtja e të dhënave, monitorimi dhe analizimi i aktiviteteve bujqësore, si dhe modernizimi i orareve të prodhimit dhe punës. Këto softe përshtaten për të përmbushur kërkesat specifike të fermës pasi çdo agrobiznes ka aktivitete të veçanta.
Çfarë kuptojmë me sistem informacioni në biznes?
Sistemet e informacionit sigurojnë informacion që organizatat dhe sipërmarrjet e agrobiznesit kanë nevojë për të menaxhuar veten në mënyrë efektive. Bizneset sot përdorin “Sistemet e Informacionit” për të arritur 6 objektiva madhore; përsosmërinë operacionale, produkte të reja, shërbime dhe modele biznesi, përmiresimin e mardhënieve klient/furnitor, përmirësim të vendimmarrjes, avantazhe konkuruese dhe mbijetesën e përditshme.
Cilat janë njësitë e akomodimit në turizëm?
Disa nga njësitë e akomodimit që përdoren për qëllime të ushtrimit të aktiviteteve turistike janë si vijon:
• “Bujtinë” standard; “Fjetinë” standard, komfort
• “Kamping” standard
• “Hotel” dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje
• “Motel” standard, komfort, superior
• “Resort” tre yje, katër yje, pesë yje
• “Qendër kurative” dy yje, tre yje, katër yje, pesë yje
• “Fjetje dhe mëngjes” (B&B) standard, komfort, superior.
Cilat janë industritë e turizmit?
Turizmi është një konglomerat industrish, pasi përbëhet nga disa të tilla. Kështu, pjesë e aktiviteteve të turizmit janë: shërbimet e akomodimit, ushqimit dhe pijeve, tregtia me pakicë, transporti, aktivitet kulturore, sportive dhe rekreative.
Cili është ndikimi i tregëtisë elektronike në biznes?
Tregtia elektronike (Electronic commerce) përfshin të gjithë procesin online të zhvillimit, marketingut, shitjes, dorëzimit, shërbimit dhe pagesës së produkteve dhe shërbimeve të kryera në një vend tregtimi global me mbështetjen e një rrjeti botëror të partnerëve të biznesit. E- commerce është procesi i blerjes, shitjes, transferimit apo shkëmbimit të produkteve, informacionit dhe shërbimeve nëpërmjet rrjeteve kompjuterike. Ai përdor internetin dhe ëebin për kryerjen e transaksioneve të biznesit.
Si implementohet dhe realizohet siguria në sisteme dhe rrjete të bizneseve?
Realizimi i mbrojtjes nga sulme pasive dhe aktive qëndron në konfigurimin e rrjetit ashtu dhe në sigurinë e aplikuar në nivel serveri.